E Diel, 1 Nëntor 2026

Bamir Topi, mes Haxhi Lleshit dhe Haxhi Qamilit

16-10-2011 / Gazeta 55

Presidenti ende në detyrë po shfaq pamjen e vet të vërtetë, atë të sintezës së Haxhi Lleshit me Haxhi Qamilin. I mbrujtur me mendësinë e DumBabës, Bamir Topi e ka shndërruar presidencën në një institucion që bllokon të gjitha nismat europianizuese, ndërkohë që i zbuluar në martesën politike me Edi Ramën, ai është rreshtuar tek pasardhësit e denjë të shërbëtorëve të Bllokut, që synojnë t’u japin pushtet politik, pinjollëve të brezit të dytë

Presidenti Bamir Topi i ka dhënë vetes të drejtën të vetëshpallet Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke u njëjësuar me “ishin” Haxhi Lleshi. Në fakt..., në fakt..., Bamir Topi e ka tejkaluar Haxhi Lleshin, kur ka marrë përsipër të jetë edhe ca si shumë Haxhi Qamil...
Duke e lidhur fatin e tij me brezin e dytë të Bllokut, Presidenti, jo se ka humbur arsyen dhe logjikën, por ashtu ia do “zanati” të sillet..., duke pasur si “udhërrëfyes” përvojën e Haxhi Lleshit.
Ndërsa Haxhi Lleshi e kishte lidhur fatin me brezin e parë të Bllokut, ai nuk lodhej të vriste mendjen, në se duheshin firmosur prej tij, me cilësinë e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, “porositë” që vinin nga Blloku..., por thjesht “pa një e pa dy”..., firmoste.
As më shumë e as më pak këtë po bën edhe Bamir Topi, i vetëshpallur Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në qoftë se i vjen mesazhi nga brezi i dytë i Bllokut, për të firmosur dekretin e mosdekretimit të ligjit për Mbetjet, ai e bën.
Nuk e ka për herë të parë.
E ka bërë edhe me ligje të tjera më parë, të cilët nuk i ka dekretuar edhe pse kanë qenë ndesh me interesat e shtresave shoqërore, përfaqësues i të cilave ai pretendon se është.
A nuk ka firmosur mosdekretimin për ligjin e Lustracionit, apo për Pronat...?
Këto dekretime mosdekretimesh do të bënte edhe Haxi Lleshi, por po të mos ia kishte zënë vendin Bamir Topi. Dhe nuk mund të thotë askush se Haxhi Lleshi do të bënte më shumë se kaq... Mbase, ndoshta më pak..., po.
Por, ndërsa kjo “përsëritje e historisë”, me gjithë “mbivendosjet” disi jo të rastësishme, karakterizohet nga ekzistenca e shumë pikave të takimit, duhet pranuar se ka edhe pika jotakimi. Pikat e jo takimit qëndrojnë në atë se çfarë përfaqësojnë, veç e veç, Haxhi Lleshi dhe Bamir Topi.
Ndërsa Haxhi Lleshi, si pjesë e Bllokut, ishte në shërbim të Bllokut, Bamirt Topi duke pretenduar se ka qenë “djalë bulevardi”, me brengën se i ka pas qëndruar në periferi Bllokut, i ka imponuar vetes dëshirën, që pas “ngjarjeve në bulevard”, të spostohet në Bllok.
Si më mirë mund ta mundësojë këtë...
Sigurisht vetëm, duke realizuar “lidhje të shkurtra” me brezin e dytë të Bllokut.
Që të hyje në Bllok, e ti afroheshe brezit të parë të tij, duhet të jepje prova të forta...
“Kriteret” nuk kanë ndryshuar as nga brezi i dytë i Bllokut.
Pikërisht në këto përpjekje për “përmbushje kriteresh” është duke bërë Bamir Topi, i cili duket me provat e dhëna në dekretimet e mosdekretimeve të disa ligjeve të rëndësishme, e ka merituar të jetë një Haxhi Llesh “i kohëve moderne”...
Por, po të ishte gjallë ende sot Haxhi Lleshi, ai do të ndjehej i turpëruar dhe si i mbetur disi më pas Bamiri Topit, përballë turravrapit të këtij të fundit, për të marrë edhe disa “të mira” nga Haxhi Qamili.
“Të mirat” që ka bërë të vetat Bamir Topi nga Haxhi Qamili, përjashto mjetet, konvergojnë në një pikë, në bërjen barrikadë kundër reformave.
Sikurse Haxhi Qamili, rreth 100 vjet më parë predikonte për simbole turke dhe bënte marrëveshje me grekët, kundër rrugës së sapunisur të Shqipërisë së Pavarur edhe Bamir Topi, nga njëra anë krijon aleanca “Faqezinjsh” dhe nga ana tjetër “i bën duva” brezit të dytë të Bllokut, sigurisht, kundër rrugës së sapunisur të Shqipërisë drejt integrimit.
Këto “kryengritje” anti integrimit dhe pro “dum babën”, do të ripërsëriste edhe Haxhi Qamili, por po të mos ia kishte zënë vendin Bamir Topi. Dhe nuk mund të thotë askush se Haxhi Qamili do të bënte më shumë se kaq... Mbase, ndoshta më pak..., po.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›