Oferta në tetor
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet i bindur se Bashkimi Europian do t’i ofrojë Kosovës liberalizim të vizave si dhe vendosje të marrëdhënieve kontraktuale e tregtare.
Ai e ka vlerësuar takimin në New York me përfaqësuesen e lartë të BE’së, Catherine Ashton.
“Flas me besim të plotë se tetori do të jetë muaji i përkushtimit të ofertës konkrete nga Brukseli për Kosovën për procesin e liberalizimin e vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe marrëdhënieve tregtare. Kjo po ndodh për herë të parë për Kosovën dhe në fakt dhe de-jure Kosova do të trajtohet si shtet nga vendet e BE-së”, ka thënë Thaçi në një intervistë për agjencinë e lajmeve Kosovapress.
Ai ka thënë se me të gjithë përfaqësuesit e vendeve që ka pasur takime e kanë përshëndetur progresin në Kosovë.
“Ato vende që janë në proces të njohjes do të përshpejtojnë njohjet, se edhe ato vende që kanë pasur hezitime janë shumë të qarta se e vetmja zgjidhje është njohja e pavarësisë së Kosovës. Pra, është një mbështetje e gjithëmbarshme botërore për Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri ka folur edhe rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese për imunitetin e deputetëve, anëtarëve të Qeverisë dhe Presidentit.
Sipas tij, çështja në rastin Limaj nuk duhet të personalizohet apo të individualizohet në asnjë rrethanë si vendim i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e imunitetit të deputetëve.
“Mendoj që politika nuk duhet në asnjë rang të komentojë vendimet e organeve të drejtësisë dhe këtë qëndrim e respektoj edhe sot, dhe është inkurajues qëndrimi i politikës kosovare që të respektojë organet e drejtësisë. Çështja nuk duhet të personalizohet dhe individualizohet në asnjë rrethanë si vendim i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Thaçi.
Gatë kësaj interviste, ai ka folur edhe për situatën në veri.
“Zhvillimet e 25 korrikut janë ato që kanë përcaktuar hapat e mëtutjeshëm të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë, të respektimit të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Tanimë definitivisht me një mbështetje të plotë dhe unike gjithëndërkombëtare, edhe të EULEX-it, NATO-s, BE-së dhe SHBA-ve, doganierët dhe policët e Kosovës janë në pikat 1 dhe 31”, tha Thaçi.
Sipas tij, veprimet në veri nuk janë çështje vetëm e ndaljes së kontrabandës, “sepse kontrabanda është ndalur qind për qind, por është edhe mesazhi se Kosova është një, e pandashme, unike, me kufij të pandryshuar dhe me mbështetje të plotë ndërkombëtare”.
“Barrikadat janë një rezistencë e jashtëligjshme dhe njerëzit që kanë krijuar probleme, që kanë shkaktuar dhunë, strukturat kriminale dhe ilegale do të ballafaqohen me drejtësinë, në mënyrë që edhe në veri të Mitrovicës do të ketë rend, ligj, zgjedhje të lira, do të ketë lidership të zgjedhur dhe do të ketë investime socio-ekonomike nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Nuk do të ketë rikthim në gjendjen e mëparshme, do të ketë një mbështetje të plotë që është konfirmuar në takime me zotin Ban Ki-Moon, me sektaren e Shtetit, znj. Clinton dhe Baroneshën Ashton për hapat tonë të mëtutjeshëm në veri të Mitrovicës”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri vlerëson të suksesshme takimet në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së.
“Vizita në SHBA, takimi me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon ishte në mbështetje të të gjitha të arriturave në Republikën e Kosovës. Gjithashtu, takimi me sekretaren e Shtetit, znj. Clinton ishte një mbështetje e fuqishme e SHBA-ve për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, për respektimin e plotë të integritetit territorial, për fuqizimin e sovranitetit të shtetit tonë, për bashkëpunimin ndërfqinjësor dhe ndërshtetëror mes Kosovës dhe vendeve të rajonit, në kuadër të kësaj edhe me Serbinë”, ka thënë Thaçi.