E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korniza ligjore anti-korrupsion me mangësi të shumta

Nga Express më 25 shtator 2011 në ora 14:06

Lëvizja Fol ka prezantuar raportin mbi Monitorimin e Aktiviteteve Institucionale në luftë kundër korrupsionit për periudhën korrik- gusht 2011, ku shprehet shqetësimi për siç thuhet nivelin e lartë të korrupsionit, mungesën e ligjeve adekuate për luftimin e kësaj dukurie.

Hulumtuesi i Lëvizjes Fol, Armend Mazreku, ka thënë në një konferencë për media të dielën se korniza ligjore anti-korrupsion në Kosovë shoqërohet me mangësi të shumta, pasi që gjatë periudhës korrik-gusht janë miratuar vetëm katër vendime, të cilat kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit.

“Qeveria e Kosovës për gjatë këtyre dy muajve (korrik-gusht) ka miratuar gjithsej 88 vendime dhe nga këto 88 vendime vetëm 4 kanë qenë në luftë kundër korrupsionit dhe të gjitha vendimet kanë të bëjnë me legjislacionin anti- korrupsion, gjegjësisht me ligjet projektligjet, të cilat kanë qenë në proces të amandamentimit, ndryshimit dhe plotësimit, megjithatë pavarësisht ndryshimeve të tilla ende korniza ligjore anti-korrupsion shoqërohet me mangësi të shumta dhe shpeshherë boshllëqet juridike që mbesin ende në fuqi po i krijojnë hapësirën institucioneve për përvetësuar pushtetin dhe pozicionin e tyre publiko politik”, ka thënë Mazreku.

Sipas raportit monitorues të korrupsionit nga Lëvizja Fol, Kuvendi i Kosovës gjatë muajve korrik-gusht ka mbajtur gjithsej 8 seanca plenare, ku prej tyre kanë qenë dy të jashtëzakonshme dhe 6 të rregullta, në të cilat janë shqyrtuar projektligjet për mbrojtjen e informatorëve, prokurimin publik, deklarimin, kontrollin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, parandalimin e konfliktit të interesit, si dhe ai për financimin e subjekteve politike.

Raporti kritikon punën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili brenda periudhës korrik-gusht në kuadër të kategorisë “Shpërdorim i detyrës zyrtare” kanë qenë të paraqitura 122 lëndë, ku njëra prej tyre është zgjidhur një tjetër është në proces të shqyrtimit, ndërkaq 120 lëndë kanë mbetur të pazgjidhura.

Ndërsa statistikat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion rezultojnë se në periudhën korrik-gusht janë zhvilluar gjithsej 277 hetime, ku prej tyre 11 zyrtarë janë arrestuar, gjithashtu janë dërguar gjithsej 142 lëndë në prokurori.

Gjatë muajve korrik-gusht janë shqiptuar gjithsej 6 masa disiplinore edhe nga Doganat e Kosovës.

Lëvizja Fol përmes këtij raporti mëton të nxjerrë në shesh mos punën e institucioneve karshi korrupsionit, ndërsa konsideron se lufta ndaj korrupsionit duhet të kalojë nga sfera e retorikës në atë të veprimeve konkrete, sepse sipas tyre kjo është rruga e vetme që shteti i Kosovës të përmirësojë legjitimitetin e saj të brendshëm dhe ndërkombëtar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›