E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis përgatitja e pakos për reforma fiskale

Nga Express më 25 shtator 2011 në ora 17:08

Bizneset vendore mund t’i gëzohen iniciativës së Ministrisë së Financave, për përgatitjen e një pakete për reforma fiskale, e cila parasheh lirimin nga taksa doganore për lëndën e parë, lirimin nga taksa doganore për ambalazh, lirimin e mjeteve kapitale nga pagesa e TVSH-së, zvogëlimin e kamatave që bizneset paguajnë në Administratën Tatimore, kur ato vonohen në pagesën e tatimeve. Nisma është mirëpritur edhe nga njohës të çështjeve ekonomike.

Kërkesat e bizneseve janë që një kohë të gjatë për lirimin nga barriera, që sipas tyre kanë shkuar në dëm të tyre. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Lekë Musa ka thënë se me këtë situatë të tanishme nuk mund të ketë rritje të prodhimit vendor, sipas tij biznesi duhet të lirohet nga taksa për lëndën e parë dhe TVSH-ja.

“Fillimisht folën për ngritjen e prodhimit vendor, nuk mund të ketë ngritje të prodhimit vendor pa i plotësuar disa parakushte dhe këtu janë parakushtet që të jetë më e leverdishmja të prodhohet në Kosovë se sa të importohet direkt dhe për të realizuar këtë duhet që të krijohen disa lehtësira fiskale. Në rend të parë duhet të ketë lirime të materialit, lëndës së parë kryesisht makinerisë investimeve kapitale si nga dogana, ashtu edhe nga TVSH-ja”, ka thënë Musa.

Deri më tani kjo nuk ka ndodhur, pasi është thënë se ka implikime buxhetore dhe do të ketë zvogëlim të të hyrave si rezultat i heqjes së këtyre barrierave, por sipas Musës kjo është e domosdoshme që të krijohen kushtet për ngritjen e prodhimit vendor.

Kreu i OEAK-ut ka theksuar se deri më tash ka qenë më e leverdishme që të importohen produktet apo mallrat e ndryshme se sa që të prodhohet në Kosovë. Ndërsa një paketë fiskale do të thotë heqjen e doganës dhe TVSH-së për pajisje për gjitha investimet kapitale dhe për lëndën e parë do të jetë diçka që do të tregojë efekte në vitet në vijim.

Sipas Musës një gjë të tillë mund të kundërshtojnë vetëm ata që dëshirojnë që të shohin Kosovën si një vend ku vetëm konsumohet dhe vetëm importohet dhe nuk prodhohet në këtë vend apo eksportohet në këtë vend.

Nga ana tjetër profesori i ekonomisë në Universitetin AAB-Riinvest, Muhamet Sadiku, ka theksuar se me këta paketë të taksave që është aktualisht biznesi ka shqetësime të mëdha.

“Bizneset vërtet i kanë shqetësimet e mëdha fiskale në Kosovë. Kjo vazhdon që një periudhë të gjatë kohore. Në anën tjetër, tash janë në sipërfaqe edhe shqetësimet buxhetore të Kosovës se sa Kosova do të jetë në gjendje të mbajë këtë konduksion të shpenzimeve qeveritare. A do të ketë Kosova mungesë të hyrave që të mbulojë të gjitha këto apetite që janë në rritje e sipër dhe reformat fiskale është e domosdoshme, reforma e cila do të provokonte sektorin prodhues. Në kuadër të kësaj duhet të merren në konsiderim shumë nxitës fiskal për tërheqje të investitorëve të jashtëm”, ka thënë Sadiku.

Për më tepër ai ka shtuar se Kosova definitivisht mundësitë më të mëdha për të ri-industrializuar dhe fuqizuar sektorin e vet, prodhuesit i kanë përmes investimeve të jashtme, që do të krijonte mundësi reale që Kosova deri diku të ndryshojë strukturën e vet.

Ndërkaq zyrtarë të qeverisë pohojnë se tashmë janë në finalizim të një pakoje fiskale, e cila është në favor të bizneseve vendore. Por, Menderes Ibra, këshilltar për politika i Ministrisë së Financave, ka thënë përmes telefonit për Kosovapress se zbatimi i këtyre reformave ekonomike nuk mund të ndodhë shpejt, pasi që nevojitet edhe adoptimi i bazës ligjore.

Ai ka thënë se në paketën fiskale e cila është duke u përgatitur bënë pjesë lirimi nga taksa doganore për ambalazh, lirimin nga pagesa e TVSH-së për mjetet kapitale dhe të tjera.

“Bëhet fjalë për lirimin nga taksa doganore për lëndën e parë, lirimin nga taksa doganore për ambalazh, lirimin e mjeteve kapitale nga pagesa e TVSH-së, pastaj zvogëlimin e kamatave që bizneset paguajnë në Administratën Tatimore, kur ato vonohen në pagesën e tatimeve”, ka thënë Ibra.

Për më tepër ai ka shtuar se këto reforma që i ka paraparë Ministria e Financave do të jenë në përkrahje të biznesit vendor.

“Këto janë masat kryesore, të cilat konsistojnë në përkrahjen e bizneseve, me qëllim që prodhuesit vendorë të vendosen në një pozicion të barabartë me importuesit”, thotë Ibra.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është tatim mbi konsumin. Gjashtëmbëdhjetë për qind është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për të gjitha mallrat në Kosovë, pa marrë parasysh origjinën e tyre. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›