E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, nesër lista e të pastrehëve

 

SHKODER - Hapet drita jeshile për të seleksionuar 40 familjet e pastreha që presin të përfitojnë banesa në qytetin e Shkodrës. Këshilli Bashkiak, pas 3 orësh debate dhe vetëm me votat e të djathtëve ka miratuar strukturën e pikësimit, e cila përcakton dhe mënyrën sesi do të bëhet renditja e 40 personave, nga 1400 që janë gjithsej në listën e të pastrehëve. Këshilli Bashkiak i Shkodrës, mbledhur një ditë më parë në një mbledhje jashtë radhe, i dha fund shtyrjes së afatit të shpërndarjes së hyrjeve për të pastrehët. Në mbledhjen e kaluar kjo pikë nuk u miratua për mungesë të numrit të duhur të këshilltarëve si dhe për shkak të disa propozimeve të së majtës. Por të premten maxhoranca votoi pro këtij sistemi. Pas 3 orë debatesh sistemi i pikëzimit është miratuar me vetëm 15 votat e maxhorancës, ndërkohë që e majta ka qenë kundër propozimit të kryetarit Luka dhe është shprehur e indinjuar për mënjanimin e propozimeve të tyre. Të hënën pritet që të miratohet përfundimisht lista e 40 familjeve të pastreha që do të marrin shtëpi në pallatin që po ndërtohet pranë ish-Divizionit. Kërkesën për shtëpi e kanë kryer 1400 persona, por vetëm 40 do të mund të zgjidhin aktualisht shqetësimin e tyre.                                                        r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›