E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oficerët e kontaktit tani me pagat e këshilltarit

Autori i Lajmit: red.
Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dje dhe pagat dhe shtesat mbi pagë për punonjësit shqiptarë për kohën, që shërbejnë si oficerë kontakti, pranë ministrive të Brendshme homologe të shteteve të ndryshme, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë. Për efekt të këtij trajtimi, paga e oficerëve të kontaktit të Ministrisë së Brendshme njësohet me pagën e gradës “Këshilltar”, në shërbimin e jashtëm. Oficerët e kontaktit, për kohën që shërbejnë pranë ministrive të Brendshme, homologe të shteteve të ndryshme, përfitojnë edhe kompensim për koston e jetesës përkatësisht 300 euro/USD, për vendet e grupit të parë, 260 euro/USD, për vendet e grupit të dytë, 230 euro/USD, për vendet e grupit të tretë, 200 euro/USD, për vendet e grupit të katërt dhe 150 euro/USD, për vendet e grupit të pestë. Kategorizimi i përfaqësive, për efekt të kostos së jetesës, është sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Trajtimi me pagë i oficerit të kontaktit do të fillojë nga data e mbërritjes së tij në përfaqësi. Deri në këtë çast ai vazhdon të trajtohet me pagën e vendit të tij të mëparshëm. Paga mujore i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat personale, sipas legjislacionit në fuqi. Në bazë të pagës mujore do të paguhen edhe detyrimet për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore. Paga mujore i nënshtrohet rishikimit, në të njëjtën formë, si të gjitha kategoritë e tjera të pagave në Republikën e Shqipërisë. Vendimi përcakton gjithashtu që pagat për oficerët e kontaktit, që shërbejnë në vendet e Evropës, bëhen në euro, ndërsa për vendet e tjera, në USD. Ndërkohë që në bazë të këtij vendimi shfuqizohet pika 5, e vendimit nr.318, datë 4.7.2002, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e oficerëve të kontaktit të Ministrisë së Rendit Publik pranë ministrive homologe të Greqisë, Italisë, Turqisë dhe UNMIK-ut, Kosovë, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë. Shpenzimet për këto paga do të përballohen nga Ministria e Brendshme, brenda fondeve buxhetore vjetore, të parashikuara në ligjin e buxhetit, të vitit përkatës kalendarik. Efektet financiare të këtij vendimi shtrihen nga data 1 janar 2008.
Ky lajm është publikuar: 03/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›