E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria, program trajtimi për zonat e vendit që vuajnë nga kequshqyerja



Emanuela Sako

Kequshqyerja e nënës dhe fëmijës është thelluar së tepërmi në 5 rrethe të veriut dhe në dy njësi bashkiake në kryeqytet. Kequshqyerja çon drejt humbjes së jetës disa nëna dhe foshnjat e tyre, të cilat janë bërë problematike në këto zona. Për këtë, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, USAID-in, UNICEF etj, kanë hartuar një program ndërhyrjeje 3- vjeçar për të shmangur agravimin e situatës. Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se projekti përfshin zonat rurale dhe disa zona urbane, por që kanë vështirësi ekonomiko-sociale dhe kanë në përbërje komunitete të ndryshme, por që vuajnë nga kequshqyerja. Për rrjedhojë, të gjithë personat që vuajnë nga kequshqyerja vuajnë edhe nga sëmundje të ndryshme, të cilat shfaqen të rrezikshme për jetën.
Zonat
Zonat më problematike janë 5 rrethe të veriut, që përfshihen në Prefekturën e Shkodrës dhe të Kukësit. Por, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se edhe Tirana është pjesë e mungesës së informacionit dhe ka në përbërjen e saj familje që vuajnë nga këto probleme. Konkretisht, janë dy minibashki në Tiranë që kanë edhe numrin më të madh të komunitetit rom, të cilët kanë mangësi në ushqime dhe, në edukim, në informacion dhe që vuajnë çdo ditë nga sëmundje të ndryshme që vijnë për shkak të mungesës së ushqimit. Projekti i MSH-së, synon uljen e varfërisë, uljen e vdekshmërisë foshnjore, përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës. Nga projekti, do të përfitojnë rreth 50 për qind e 75 mijë fëmijëve deri në moshën tre vjeçare. Nëpërmjet punonjësve të UNICEF-it dhe pushtetit vendor do të punohet në terren, duke nxitur që të gjithë të marrin shërbim shëndetësor, si dhe të ngrihen qendra për trajtimin e tyre.
Varfëria
Komunitetet më të varfra do të pajisen me një paket ndërhyrjeje, për të mundësuar kapërcimin e gjendjes së vështirë ekonomiko-sociale. Paketa e hartuar nga specialistët përfshin, transfertat e parave, edukimin mbi ushqimin, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, dhënien e informacionit për nënat dhe fëmijët. Për këtë çështje do të punohet edhe me qendrat shëndetësore apo spitalet, në mënyrë që ndihma dhe informacioni të jetë i saktë. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë do të bëjë monitorimin e zonave të tjera që kanë probleme të këtij lloji. Gjithçka do të bëhet në mënyrë që të ulet vdekshmëria dhe sëmundshmëria në vend. Një pjesë e madhe e sëmundjeve shëndetësore vihen re që tek nënat, të cilat vuajnë nga sëmundje që vijnë për shkak të ushqimit të dobët tek to dhe që transmetohen tek fëmija. Por edhe nëse fëmija nuk e trashëgon gjendjen e keqe shëndetësore nga nëna, nëse ata nuk trajtohen sipas rregulloreve shëndetësore, ata janë më të predispozuar për t’u sëmurur apo të humbasin jetën.

Ministria, gati studimin për sëmundjet që “vrasin” foshnjat

Ministria e Shëndetësisë u rikthehet kërkimeve shkencore dhe studimeve të sëmundshmërisë së popullatës pas shumë viteve ndërprerje. Në qendër të vëmendjes është vendosur nisja e një studimi për të verifikuar rastet e vdekjes së foshnjave, si dhe sëmundjet specifike te gratë dhe burrat në të gjithë vendin. Vdekshmëria foshnjore në vendin tonë është në raportet 18 vdekje për 1 mijë lindje, e cila konsiderohet tepër e lartë nga norma e përcaktuar nga BE-ja. Pikërisht për këtë rast, si dhe duke marrë parasysh dhe mjaft sëmundje të tjera, lind nevoja e një studimi për të përcaktuar shkaqet dhe shifrat e prekjes nga sëmundjet.. Në këtë studim do të marrin pjesë 100 specialistë të stafit shëndetësor, ku do të studiohen mijëra raste të personave të ndryshëm të popullsisë. Ministria e Shëndetësisë ka rolin drejtues dhe mbikëqyrës në këtë proces, ndërkohë që agjencitë zbatuese do të jenë INSTAT-i dhe ISHP-ja. Ky studim mbështetet financiarisht nga USAID-i, UNICEF-i, UNFPA dhe Kooperacioni Zviceran. Ndërsa vlera e këtij studimi të rëndësishëm parashikohet të jetë rreth 1.7 milion dollarë. Ky studim bëhet për herë të parë pas shumë vitesh ndërprerje. Në të pritet të marrin pjesë 8 mijë femra të moshës 15-49 vjeç dhe 4500 meshkuj të po kësaj moshe në të gjithë vendin. Pjesë e rëndësishme e këtij studimi do të jenë edhe fëmijët deri në moshën 6 vjeç, për të cilët janë përzgjedhur familjet që kanë pranuar të marrin pjesë. Periudha e zbatimit të studimit do të jetë viti 2008 deri në fund të vitit 2009. Tashmë është përcaktuar numri i stafit mjekësor që do të marrë pjesë për zbatimin e këtij studimi, ku do të angazhohen rreth 100 persona. Një studim i tillë konsiderohet i domosdoshëm, për të pasur evidenca të bazuara shkencërisht, me qellim orientimin e duhur të politikave dhe vendimmarrjeve të përshtatshme. Studimi do të bëhet për të përcaktuar se përse ndodhin rastet e fertilitetit, vdekshmërisë foshnjore për moshat nën 5 vjeç, përdorimi i metodave kontraceptive, mbulesa vaksinale, kujdesi për gruan shtatzëne dhe fëmijët, ushqyerja me gji, sëmundjet seksualisht të transmetueshme tek të gjithë njerëzit etj. Me ndryshimin e mënyrës së jetesës, ushqyerjes dhe faktorëve të tjerë kanë ndryshuar edhe gama e sëmundshmërisë në të gjithë vendin dhe tek të gjitha moshat. Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë është duke punuar edhe për ngritjen e një sistemi informacioni të integruar në të gjitha nivelet e shërbimit, e cila do të shërbejë për t’u njohur dhe verifikuar të gjitha rastet sipas sëmundjeve nga të cilat preken më shumë pacientët. Specialistët theksuan se është e nevojshme që këto studime të realizohen periodikisht çdo 5 vjet.

Vasili takim me specialistët gjermanë, trajnime për mjekët në gjermani
Mjekët shqiptarë do të mund të specializohen në spitalet gjermane, sipas profileve përkatëse. Kjo është bërë në kuadër të një marrëveshje mes Ministrisë së Shëndetësisë Shqiptare dhe asaj Gjermane. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili zhvilloi një takim me një ekip të nivelit të lartë të Ministrisë Federale të Shëndetësisë Gjermane, i cili është duke kryer një vizitë pune tre ditore në Shqipëri në kuadër të intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe. Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e shëndetësisë të të dy palëve ranë dakord për disa çështje, ku mes tyre është dhe trajnimi i mjekëve në spitalet gjermane për t’u specializuar në fusha të ndryshme. Ministri Vasili në kuadër të reformimit të sistemit shëndetësor, e ka cilësuar këtë takim si mjaft të rëndësishëm, ndërsa e vlerësoi si të shkëlqyer traditën e komunikimit mes dy vendeve tona. Vasili theksoi se në këto takime është rënë dakord nga të dyja palët që marrëdhëniet duhet të intensifikohen dhe se shëndetësia shqiptare tashmë ka kapacitetet e duhura për të thithur më shumë projekte të përbashkëta. Gjithashtu gjatë takimit u ra dakord që bashkëpunimi do të nisi me projekte dypalëshe në trajnimet për mjekë dhe personelin mjekësor. Kolegët gjermanë kanë shprehur dëshirën e mirë për të nisur sa më shpejt disa projekte në fushën e shëndetësisë.

16 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›