E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Fatmir Mediu kërkon rritjen e taksës së pastrimit



Emanuela Sako

Shqipëria vuan nga grumbullimet e mbeturinave për shkak të mungesës së landfilleve për përpunimin e tyre. Kjo situatë do të ndryshonte vetëm nëpërmjet rritjes së tarifës së pastrimit, në mungesë të investimeve të tjera. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë një takimi për menaxhimin e mbetjeve urbane, theksoi se po të rriteshin tarifat e pastrimit, atëherë do të kishim qytete më të pastra. Në të njëjtën kohë do të menaxhoheshin më mirë mbetjet e ngurta urbane. Ai u shpreh se pavarësisht se politikat e qeverisë janë për një ulje të tarifave, për mjedisin do të ishte e detyrueshme një rritje e tyre, pasi vetëm kështu do të mund të rriteshin dhe investimet për krijimin e landfilleve.
“Në qoftë se ne si qytetarë nuk do të paguajmë nuk do të jemi koshientë për atë që duhet të bëjmë për mjedisin, që është interesi ynë i përbashkët. Padyshim që nuk duhet të kemi investime të qenësishme për t’i trajtuar ato. Shpesh ne paguajmë kosto në elementë të tjerë që kanë të bëjnë me komoditetin e jetës sonë, por nuk paguajmë taksa të mjaftueshme për ato që janë të interesit jetik të përditshëm dhe të shëndetit tonë”, - u shpreh Mediu.
Taksat
Rritja e taksave të qytetarëve për pastrimin, për Ministrinë e Mjedisit do të ishte një mundësi për të investuar në sektorin e trajtimit dhe përpunimit të mbetjeve. Por, qytetarët do të nxirrnin nga xhepat e tyre edhe disa para për këtë çështje. Ndërkohë që ata shpeshherë janë ankuar për tarifa të larta të taksave vendore, si dhe të taksës së pastrimit. Aktualisht, taksa e pastrimit për një familje në Tiranë shkon në shifrën e 4000 lekëve në vit. Megjithatë, Ministri Mediu ka bërë të ditur se për çështjen e pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve urbane do të punojë edhe në nivel lokal. “MMPAU do të jetë partnere me strukturat lokale, të kujtdo forcë politike qofshin ato, sepse për ne janë struktura në shërbim të qytetarëve. Ne kërkojmë të bëjmë më të mirën për qytetarët dhe që të kemi një Shqipëri të pastër. Menaxhimi i mbetjeve të ngurta është një problem që ka të bëjë shumë me kualitetin e jetës, shëndetin, etj, por dhe për ta bërë vendin tonë sa më interesant dhe të prekshëm”,- deklaroi Mediu.
Çështja
Specialistët e Ministrisë së Mjedisit bënë të ditur se menaxhimi i mbetjeve urbane është një problem i madh për dhe ende i pazgjidhur në vendin tonë. Ndërkohë që janë theksuar problemet me mbetjet e ngurta, mbetjet urbane, apo mbetjet spitalore. Këto të fundit, sipas të dhënave të specialistëve, rezultojnë se janë tepër problematike, pasi asnjë spital privat apo shtetëror nuk siguron përpunimin e tyre. Për mbetjet spitalore, Mediu theksoi se mosndarja e mbetjeve, sidomos të atyre të rrezikshme, përfshirë ato mjekësore, do të krijonte probleme ekologjike, por dhe kosto në dëm të shëndetit të qytetarëve. Ndërkohë, MMPAU ka krijuar grup pune për të trajtuar këtë si probleme primar.
Inspektorët e mjedisit kanë kryer vëzhgime në Tiranë, ku rezulton se asnjë klinikë apo strukturë spitalore nuk ka struktura për të trajtuar mbetjet mjekësore. Pavarësisht nga gjobat, qoftë sektori publik dhe ai privat nuk kanë sensibilitetin dhe reagimin e nevojshëm për të parë në një investim afatgjatë trajtimin e këtyre mbetjeve apo planifikimin brenda buxhetit të ministrisë përkatëse. “Eksperienca të vendeve të tjera tregojnë bashkëpunimin ndërmjet investitorëve privatë strukturave të pushtetit lokal dhe qendror dhe iniciativave të ndryshme ekonomike për të ndërtuar atë që duhet në raport me menaxhimin e të mbetjeve të ngurta”, -theksoi Mediu. Njëkohësisht, mbetjet janë bërë problem edhe për bregdetin, pasi të gjitha ato mbetje urbane që hidhen në kanale apo rrugë përfundojnë në bregdet.

Ministria e Mjedisit, projekti për ndarjen e mbetjeve urbane

Drejtuesit e Ministrisë se Mjedisit shprehen se duhet të ketë një ndarje të mbeturinave që në fillim, pa u shpërndarë në pikat e grumbullimit. Ndarja e mbetje urbane do të bënte më të lehtë grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve, pa shkaktuar probleme në mjedis. ”Ne shikojmë që kemi një situatë të vështirë në trajtimin e mbetjeve. Ne shikojmë që mbetjet urbane i kemi të grumbulluara në qendrat kryesore urbane, ndërkohë në qendra të tjera nuk ekziston fare sistemi. Ne shohim që mbetjet hidhen rrëzë kanaleve dhe përfundojnë të gjitha në bregdet. Ne si qeveri qendrore shikojmë nevojën që ka pushteti vendor për të realizuar më mirë këtë shërbim dhe tashmë, deri më sot është pushteti vendor ai që thotë që ka nevojë për rritje të tarifave, por ata duhet të ndërmarrin kostot politike të këtij hapi. Ne duhet të kemi një ndarje të mbetjeve që do të thotë të mos hedhim gjithçka në landfill, por një pjesë të kësaj mase mbetjesh ta riciklojmë dhe mund të kemi edhe rastin e icineratorëve të cilët bëjnë prapë djegien dhe hedhin shumë pak në landfill”, theksoi zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino. Për një situatë të tillë, duhen bërë edhe ndryshime në legjislacionin aktual, duke e përafruar me atë europian. Mediu theksoi se MMPAU po punon për përafrimin e legjislacionit, por në radhë të parë për të ndërtuar një plan kombëtar të menaxhimit të mbetjeve, si dhe një plan rajonal për këtë çështje. Ministri i Mjedisit solli si shembull pozitiv në këtë fushë landfiled-in e Bushatit. Ndërsa, cilësoi si një eksperiencë pozitive për ndarjen e mbetjeve që në burim, në Bashkinë e Lezhës, ku bëhet ndarja e mbetjeve që në burimin e tyre.

16 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›