E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Mirit të Xhikes do të rigjykohet në Gjykatën e Tiranës



Laureta Rryçi

Vrasja e Fatmir Ramës, i njohur më së shumti me emrin Miri i Xhikes, do të rigjykohet sërish, por kësaj radhe do të jetë një trup gjyqtarësh nga Gjykata e Tiranës. Pavarësisht se procesi për ngjarjen e bujshme i kushtoi shumë Drejtësisë shqiptare, vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda e detyroi institucionin e akuzës ta dërgojë edhe një herë dosjen për gjykim në një gjykatë të një niveli më të ulët për sa i përket rrezikshmërisë së veprës penale. Madje, sipas burimeve, kjo është konsideruar nga trupa gjyqësore si një prej shkeljeve të shumta procedurale që janë gjetur gjatë gjykimit të kësaj çështjeje. I arrestuar për vrasjen e bujshme në Lundër është prej vitesh Lavdërim Tufa. Në ngjarjen që ndodhi pak kilometra larg kryeqytetit mbeti i vrarë Fatmir Rama, apo Miri i Xhikes, Julian Durishti dhe Kristaq Cami. Apeli i Krimeve të Rënda vendosi katër vite pas dënimit me “burgim të përjetshëm” të Tufës, ta rikthejë çështjen për rigjykim, por kësaj radhe në Gjykatën e Tiranës. Shkak, sipas arsyetimit të vendimit të trupës gjyqësore për dhënien e këtij vendimi, kanë qenë shkelje të shumta procedurale, mes të cilave më kryesorja, moskompetenca. Sipas kësaj trupe gjykuese, i pandehuri Tufa nuk duhet të ishte gjykuar nga Krimet e Rënda, por nga Gjykata e kryeqytetit. Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje dosjen për rigjykim dhe shorti elektronik përcaktoi treshen e gjyqtarëve që do të rigjykojnë këtë çështje. Kryesuesi u përcaktua gjyqtari Albert Meçe.
Debati
Rikthimi i procesit për të zbardhur vrasjen do të vërë sërish në pikëpyetje të forta se cili apo cilët ishin autorët e krimit. Tashmë pritet sërish të nisë një debat i ashpër për një qime floku në maskën e gjetur në vendngjarje, ajo që dënoi me burgim përjetë Tufën, si një nga autorët e krimit të trefishtë. Në të njëjtën kohë pritet që ky gjyq të jetë sërish i stërzgjatur, me paraqitje provash, dëshmish dhe ADN-në e kontestuar prej mbrojtjes për qimen e flokut.
Vrasja e Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes) ndodhi më 29 mars 2002, gjatë një ndeshjeje futbolli në kohën që ai ndodhej te “Kartodromi 2000”, pronë e tij, së bashku me shokët e tij, duke ndjekur një ndeshje futbolli. Nga ana e policisë, por edhe e prokurorit të çështjes, u fol për dy ekzekutorë, ndërkohë që njëri prej tyre mbetet edhe sot i pazbuluar, ndërsa personi i dytë i akuzuar, Lavdërim Tufa. Përgjatë procesit hetimor e gjyqësor, por edhe shpalljes së vendimit, Tufa dhe familjarët e tij kanë pretenduar pafajësinë.
Procesi
Prova
ADN-ja e njollave të gjakut, të gjetura në kapuçin ngjyrë blu të markës "Diadora" dhe e kryer në Institutin e Policisë Shkencore në Romë, sipas Gjykatës, përcakton qartë përputhshmërinë e personave të ekzaminuar. Këtë e pohoi gjykata, kur deklaroi se prova e vetme dhe kryesore për vërtetimin e Lavdërim Tufës si autor i mundshëm i vrasjes është ADN-ja. ADN-ja është bërë më 5 mars 2004. Në Itali, përveç kapuçit me njolla gjaku dhe një qime floku, që ka dalë e papërshtatshme për ekzaminim, janë dërguar edhe kampionet e gjakut të Lavdërim Tufës dhe të shtetasit Shkëlzen Xixi, i dyshuari i parë. ADN-ja përcaktoi se Shkëlzen Xixi nuk ishte i përputhshëm. Ndërsa, pas krahasimit të Lavdërim Tufës doli se përputhshmëria e tij arrinte mbi 90%. Për të bërë krahasimin e njollave të gjakut i është marrë gjak të pandehurit Tufa, me dëshirën e tij. Gjaku i është marrë në datë 27 tetor 2003. Ndërkohë që në datë 5 mars 2004 rezultoi se njollat e gjakut dhe pështyma në kapuç i përkasin Lavdërim Tufës.

Vrasja dhe vendimet
Vrasja e Fatmir Ramës ka ndodhur më 29 mars, rreth orës 19:50, brenda lokalit "Kartodrom 2000", ku ai shikonte ndeshjen Shqipëri-Rusi. Në atë moment, Miri i Xhikes ka qenë në shoqërinë e Ylli Kelmendit, Flamur Rrapajt, Kristaq Camit e Julian Durishtit. Dy persona të maskuar qëlluan me breshëri kallashnikovi, duke zbrazur mbi ta 60 gëzhoja dhe më pas u larguan. Policia arrestoi më 26 nëntor të 2004-s Lavdërim Tufën nga Lundra. Gjetja e njollave të gjakut në disa vende, rruga që kishin përshkuar tregonte se e njihnin mirë zonën dhe rrugicat për t’u fshehur nga ndjekja prej policisë, zbuluan Lavdërim Tufën. Procesi gjyqësor nxori të papriturat e tjera. ADN-ja e Tufës u bë në Itali e më pas u konfirmua edhe nga specialistët më të mirë anglezë. Por, sërish avokati i Lavdërim Tufës, Ferdinand Ndoja dhe më pas Basri Mana, patën reagime gjatë procesit, duke kundërshtuar me forcë rezultatin mbi përputhshmërinë. Për gati një vit, gjyqi në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda u shty pasi i pandehuri dhe avokati nuk paraqiteshin. Vendimi pas Shkallës së Parë mbeti në fuqi edhe në Apel. Në shtator të vitit 2006 u dha vendimi në Shkallën e Parë. Disa muaj më vonë u dha në Shkallën e Dytë. Ndërkohë që Lavdërim Tufa, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e shumëpërfolur të Fatmir Ramës, i thirrur ndryshe Miri i Xhikes, kërkon pafajësi. Dhe kjo mundësi për të paraqitur sërish provat iu dha duke kthyer çështjen për rigjykim në Gjykatën e Tiranës, e shpallur si kompetente për të gjykuar këtë vrasje të bujshme.

Londër, pranga shqiptarit që kërkohej për vrasje]

Ardian Rragami, njëri prej protagonistëve të demonstratës anti-komuniste të 13 Dhjetorit 1990 në Shkodër është në pritje të ekstradimit të tij nga Britania. 38-vjeçari u arrestua më nëntor të 2009 nga Scotland Yard për llogari të Interpol Tiranës si i kërkuar për vrasje. Rragami akuzohet për vrasjen e Qemal Kolës ndodhur në vitin 1998. Vrasja ka ndodhur pas një grindjeje në lokal. Sipas medieve britanike, thuhet se ai ishte regjistruar në Britani si shtetas kosovar dhe kishte marrë azil politik. Rragami jetonte, në Ëoodford, nën emrin e Ardian Gashit së bashku me familjen e tij, bashkëshorten e dy fëmijët, kur u arrestua me qëllim ekstradimi. Tani më Rragami është shfaqur në gjykatë ku do të shqyrtohet kërkesa për ekstradimin e tij. Ndaj Rragamit është vendosur masa e arrestit me burg deri më 12 Janar 2010 kur do të zhvillohet séanca gjyqësore e ekstradimit. Ai është një prej organizatorëve të demonstratës anti-komuniste në Shkodër zhvilluar me 13 Dhjetor 1990. Atë kohë Rragami së bashku me nëntë persona do të dënoheshin me nga 20 vite burg për organizimin e demonstratës. Ai do të lirohej nga burgu pas një amnistie ku u përfshinë të gjithë të dënuarit politik.

16 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›