Varfëria, Sindikatat: Shqiptarët po largohen nga puna për arsye politike
Jonida Tashi
Sindikatat e pavarura shqiptare ankohen se punëtorët shqiptarë vuajnë për të gjetur një vend pune, ndërsa një pjesë e madhe kanë dalë të papunë si pasojë e largimeve për kritere politike. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura, Kolë Nikollaj theksoi se këto probleme kanë rritur nivelin e varfërisë në mbarë vendin.
Deklarata
“Vihen re mungesa e stabilitetit në punësim, largimet apo transferimet nga puna pa motiv, por mbi kritere të pastra politike, ku anëtarësia e KSSH-së është penalizuar ndjeshëm”,- pohoi Nikollaj. Sipas këtij të fundit, ka ende diskriminim në paga, sidomos për të rinjtë e gratë, dhe puna jashtë orarit është shpesh e diktuar nën presion psikologjik apo stres. Sipas një vëzhgimi të sindikatave, siguria në punë mbetet ende një problem, i cili vazhdon të prodhojë aksidente në vendin e punës. “Mungesa e sigurisë në vendin e punës si dhe dëmtimi i ndjeshëm i shëndetit e jetës në punë kanë bërë prezente shumë aksidente në punë, në rrugë e kudo”,- ka deklaruar kreu i Konfederatës.
Sigurimet
Një tjetër problem i ngritur nga sindikatat për punëtorët është puna në të zezë. Mosderdhja e sigurimeve shoqërore e shëndetësore si dhe mospagesa e pensioneve e asistencës sociale brenda kritereve minimalisht të pranueshme, sipas sindikatave, e pengojnë zhvillimin e sigurimin e “Punës së Denjë”, e për pasojë cenojnë ndjeshëm jo vetëm liritë sindikale tonat, por dhe liritë themelore të individëve. Deklaratat e mësipërme janë bërë dje gjatë prezantimit të ecurisë së projektit “Puna e Denjë” i financuar nga Komisioni Evropian. Projekti ka nisur dy vjet më parë dhe mbaron në maj të vitit të ardhshëm. Duke marrë shkas nga situata e krijuar në vendin tonë për të sigurua një vend pune, sindikatat i kërkojnë qeverisë të ketë një interesim më të madh, veçanërisht në kontrollin e territorit me qëllim që të sigurohen standardet e punës.
Studimet e pjesshme
UT shpall sot fituesit përfundimtare për fakultetet e tjera
Universiteti i Tiranës do të shpallë sot listat përfundimtare të fituesve në fakultet e tjera në varësi të tij, për studimet me kohë të pjesshme. Bëhet fjalë për fituesit e fakulteteve Juridik, Ekonomik, Shkencave të Natyrës, Shkencave Sociale. Në këto fakultete, aplikantët ishin renditur vetëm sipas notës mesatare. Kjo, pasi rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule vendosi ditën e hënë, që të lihet një afat dyditor për të gjithë ata aplikantë që mendojnë se u është kryer ndonjë padrejtësi administrative në llogaritjen e mesatares. Pas këtij vendimi, aplikantët mund të verifikonin mesataret e afishuara dhe në rast se kishin ankesa, mund t’i paraqesin ato në sekretaritë e fakulteteve jo më vonë se ora 16.00 e ditës së djeshme. Burime nga UT-ja sqarojnë se ditën e sotme, ora 12.00 do të shpallen rezultatet përfundimtare, në të gjitha departamentet e fakulteteve, me përjashtim të Filologjikut. Pas publikimit të emrave fitues, këta të fundit duhet t’u drejtohen sekretarive të fakulteteve përkatëse për të kryer procedurën e regjistrimit.
Sistemi i Bolonjës
Studentet e Vlorës protestuan dje para Ministrisë së Arsimit
Studentë të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Vlorës protestuan dje para Ministrisë së Arsimit, për sistemin e Bolonjës. Studentët janë kundër vendimit të marrë nga Rektorati i Universitetit të Vlorës, për futjen e sistemit 3+2 në përfundim të ciklit mësimor dhe pa i njoftuar më parë. Deri më tani, ata kanë studiuar sipas programit 4-vjeçar, ndërkohë që në fund të studimeve do të pajisen me diploma të nivelit të parë. Studentët thonë se do t’i drejtohen të gjitha instancave dhe nuk do të heqin dorë nga protestat deri sa të zgjidhet problemi i tyre.
Ceremonia
Ministri, nderon me titullin “Profesor” katër akademikë
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka nderuar dje me titullin “Profesorë” katër akademikë të Albanologjisë shqiptare. Ditën e djeshme, ministri i Arsimit, mori pjesë në ceremoninë e laurimit me titullit “Profesor” të katër akademikëve shqiptarë, Enver Muhametaj, Gëzim Hoxha, Stefan Çapaliku dhe Luan Përzhita, të zhvilluar në ambientet e Akademisë së Shkencave. Ministri Tafaj e vlerësoi si të shkëlqyer kontributin e tyre në shkencat albanologjike dhe theksoi se ditët e profesorit janë ditët e prestigjit të një institucioni. Lidhur me veprimtarinë e Qendrës së Studimeve Albanologjike (QSA), Tafaj u shpreh: “QSA tashmë ka hyrë në një fazë të re të veprimtarisë së saj. Me standardet e një universiteti, kjo qendër do t’i ofrojë albanologëve shqiptarë një aspekt tjetër, atë të përgatitjes së akademikëve të rinj, duke hapur 6-7 degë të reja studimi Master dhe Doktoraturë”.
Bashkëpunimi
MASH-i nis bisedimet me Egjiptin, për arsimin e lartë
Ministria e Arsimit nis bisedimet për të lidhur urat e bashkëpunimit me Egjiptin, për fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Për këtë arsye, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, priti dje Sekretarin e Përgjithshëm të Fondit Egjiptian për bashkëpunimin teknik, Ambasadorin Samah Mohamed Sotuhi, së bashku me Ambasadoren e Egjiptit në Shqipëri, Amina Imam Gomaa. Ministri, duke i uruar mirëseardhjen shprehu gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin me Republikën Arabe të Egjiptit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Sipas kreut tonë të Arsimit, fushat me interes bashkëpunimi për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, janë sidomos ato në Bujqësi, Bioteknologji dhe Teknologjinë e informacionit. Nga ana e tij, Sotuhi shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim dy palësh në këto fusha dhe vlerësoi se do të rritet numri i bursave që Republika Arabe e Egjiptit jep për studentët shqiptarë.
Aktiviteti
Këshilli Studentor i Fakultetit të Ekonomisë mblidhet sot për Bolonjën
Këshilli Studentor i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës do të organizojnë aktivitetin me temë “Karta e Bolonjës dhe zbatimi i saj në Fakultetin e Ekonomisë”. Aktiviteti do të zhvillohet në orën 11:00, në Hotel Tirana International, salla Teuta. Pjesëmarrës në këtë aktivitet përveç të tjerëve, do të jenë edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, dekani i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Omer Stringa, zëvendësambasadori italian në Shqipëri, etj.
16 Dhjetor 2009