Dhembja dhe mpirja e qafës, shkaqet dhe trajtimi
e qafës në ditët e sotme është shumë e përhapur. Pozicionet jo të përshtatshme të qëndrimit në këmbë apo ulur, mbajtja e takave të larta, artrozat apo tensionet nervore janë të gjitha motive për të shkaktuar dhembje në këtë pjesë të trupit. Dhembja e qafës ndonjëherë është vërtetë e padurueshme dhe na bën të ndjehemi keq kur ndodhemi në ambiente me njerëz dhe në të shumtën e rasteve nuk të lejon të kesh një ditë normale, pasi duket si një peshë e madhe që i ka zënë rrugën mendimeve. Shumë pak gjëra janë më ngacmuese e të parehatshme se dhembja dhe mpirja e qafës, që mund ta prekë çdokënd, në çfarëdo moshe.
Dhembja
Dhembja e qafës shfaqet në forma të ndryshme. Në qoftë se dëshiron të zgjedhësh terapinë më të dobishme, duhet të studiosh me kujdes simptomat. Dhembja akute, e dhunshme është e pranishme vetëm në një anë dhe shfaqet sidomos kur përpiqemi që të ndryshojmë pozicion. Jemi të detyruar që ta mbajmë kokën të përkulur nga një anë. Të krijohet përshtypja se jemi tërësisht të bllokuar dhe të ngrirë. Dhembja është e shurdhët, qafa është e ngrirë, muskujt janë të tendosur dhe të krijohet përshtypja se kemi një peshë mbi shpatulla. Kjo dhembje përgjithësisht shkaktohet nga qëndrimi në një pozicion të keq për një kohë të gjatë ose nga stresi dhe tensionet emocionale. Dhembja është konstante dhe përgjithësisht është në të dyja anët e qafës. Qafa është e ngrirë dhe shkakton shumë dhimbje në qoftë se përkulet para apo pas. Dhembja shtohet me lodhjen apo kur ushtrohen disa lëvizje. Zakonisht ndodh pas një kontraktimi apo një nervozizmi. Si pasojë e kësaj merren dhe dhimbjet e kokës, probleme në shikim, zhurmë në dëgjim dhe nevralgji të vazhdueshme. Mund të bëhet fjalë për shfaqje të një traume. Dhembja është e shurdhët zakonisht në të dyja anët e qafës dhe irritohet në vazhdimësinë e kokës apo në mes të shpatullave. Duke e lëvizur kokën provohen mjaft shtrëngime në muskuj, ndjehemi të rëndë dhe na duket sikur jemi të ngarkuar me plumb. Dhembja pakësohet gjatë pushimit dhe mund të mos e ndjejmë për periudha të gjata. Ndonjëherë shoqërohet me mpirje krahu, gjë që mund të jetë shkak i një artroze apo hernie në tru. Qafa është e ngrirë dhe shkakton dhembje kur përkulet. Kjo shoqërohet dhe me të vjella, dhembje koke, ethe dhe acarim nga drita. Mund të bëhet fjalë për meningjit.
Qafa
Qafa si pjesë e shtyllës së kurrizit është e ngjashme me pjesën tjetër, por ndryshon në atë që ka për qëllim të lëvizë më shumë dhe në drejtime të ndryshme. Gjithashtu qafa nuk i duron ngarkesat e rënda që mund të përballën nga pjesa e poshtme e shtyllës kurrizore. Dy unazat e sipërme në qafë janë shumë të ndërlikuara dhe ju mungon trupi kryesor nga sipër. Kjo zëvendësohet nga një bërthamë drejtuar nga trupi i unazës poshtë dhe shërben si një bosht rrotullimi i cili lejon kokën të rrotullohet mbi qafën. Unaza në majë mban peshën e kafkës dhe quhet atlas, si gjiganti mitologjik i cili e mban botën mbi supet e tij. Shpesh dhembja dhe mpirja në qafë shkaktohen nga lëvizja e disqeve në pjesën e sipërme të kurrizit saktësisht të qafës. Kjo mund të ndodhë në mosha ta ndryshme, duke filluar nga mosha më e re, madje edhe para moshës 25 vjeç e deri tek moshat e mëdha. Ky çrregullim ndryshon nga personi në person.
Qëndrimi
Dhembja dhe mpirja e qafës mund të ndodhë për shkak të pozicionit jo të duhur të qëndrimit në punë. Nëse tavolina e punës është shumë e ulët dhe ju duhet të punoni me kokën e përulur dhe dhembja e mpirja e qafës ndodhë për shkak të lodhjes së ligamenteve. Qëndrimi i shtrirë për një kohë të gjatë mund të shkaktojë dhembjen dhe pirjen e qafës. Po ashtu edhe përdorimi i 2-3 jastëkëve mund ta shkaktojë këtë problem. Gjithashtu, nëse dysheku është tepër i butë mund të shkaktojë dhimbjen dhe mpirjen e qafës. Ndonjëherë disa prej këtyre problemeve mund të qetësohen nga fjetja në shtrat më të fortë dhe duke përdorur vetëm një jastëk. Prandaj, nëse dhembjet dhe mpirja e qafës nuk mënjanohen me përdorimin e dyshekut më të fortë, jastëkut të përshtatshëm, çlodhjes, edhe përdorimit të ilaçeve të ndryshme që na rekomandojnë mjekët e shumtë, tabletave të ndryshme, qetësuese dhembjesh rekomandohet që të provoni edhe ju metodën e natyrshme të thjeshtë dhe jo të dhembshme të kiropraktikës të ashtuquajtur “kthimit në vend, palosjes” të diskut apo disqeve të lëvizura, të cilët duke prekur nervat e përafërta shkaktojnë dhembjen ngacmuese, madje edhe mpirjen e qafës, krahëve e nganjëherë edhe të duarve gjer tek fundi i gishtërinjve.
Shkaktarët më të shpeshtë
Motivet nga të cilat shkaktohet dhembja në qafë mund të grupohen në katër kategori:
Kontraktimet muskulore
Kontraktimet muskulore për shkak të stresit, pozicioneve të këqija apo tensioneve emocionale. Kjo është dhe arsyeja më e shpeshtë e dhimbjeve të qafës. Dhe pse shkaku mund të duket i rëndomtë, bllokimi muskulor mund të çojë dhe në një palëvizshmëri totale të përkohshme.
Artroza ose hernia diskale
Sëmundje si artroza apo hernia diskale janë shkaku i dytë i dhimbjeve të qafës, por që të dyja situatat mund të jenë aktive njëkohësisht. Kush vuan nga këto sëmundje mundohet t’i shmangë rrotullimet e kokës dhe lëvizjet e shpatullave pikërisht për dhimbjen që i shkakton kjo. Në këtë mënyrë muskujt nuk ushtrohen, mpihen dhe ndonjëherë dhe ngrijnë dhe kështu dhimbjes së shkaktuar nga artroza apo hernia i shtohet dhe ngrirja e muskujve.
Traumat ose mikrotraumat
Dhimbje të shkaktuara nga trauma apo mikrotrauma, si goditje të ndryshme. Këto mund të jenë dhe goditje të marra gjatë aktiviteteve sportive, lëvizjeve të gabuara apo dhe frakturave të vogla të cilat nuk vihen re për momentin. Pasojat e këtyre goditjeve mund të mbarten me vite dhe mund të shkaktojnë një dhimbje qafe kronike.
Inflamacione të ndryshme
Shqetësime të tjera të shkaktuara nga inflamacione të ndryshme. Sëmundje si meningjiti shkaktojnë dhimbje dhe ngrirje të muskulaturës së qafës por që gjithmonë janë të shoqëruara me simptoma të tjera më të rënda.
Parandalimi i dhembjes
Në qoftë se jemi të kujdesshëm dhe kujtohemi gjatë ditës tonë për gjëra të vogla që kanë lidhje me pozicionet e qafës, mund të shmangim një pjesë të mirë të dhimbjeve të shkaktuara pikërisht nga ky shkak. Për këtë, duhet të:
Të mbajmë një qëndrim korrekt. Shprehja e vjetër “shpatullat prapa dhe gjoksin jashtë” është akoma në fuqi;
Zgjedhja e karriges së përshtatshme. Karrigia e atij që kalon shumë kohë ulur duhet të jetë e tipit që të rregullojë gjatësinë. Këmbët duhet të qëndrojnë të mbështetura në dysheme dhe kurrizi të jetë i mbështetur në karrige;
Të mbahet mirë telefoni. Duhet të shmanget ideja për të bërë një punë tjetër në kohën që flasim në telefon, sepse do të jemi të detyruar që ta mbështesim atë me shpatull në faqe, pozicion i cili është shumë i disfavorshëm për qafën;
Të ngrihesh nga karrigia çdo orë dhe të bësh disa hapa për të ndryshuar pozicionin e kolonës vertebrale. Është një ushtrim i detyrueshëm për ata që kalojnë orë të tëra në tavolinë;
Pozicioni gjatë periudhës së gjumit duhet të jetë ai me kurriz poshtë ose të kthyer në anë. Pozicioni me gjoksin poshtë mban në tension vertebrat e qafës dhe mund të shkaktojë dhimbje;
Të bësh ushtrime të vogla të përditshme. Bëhet fjalë për lëvizje të kujdesshme të qafës në çdo moment të ditës që të ndodheni dhe sa më shpesh që të mundeni për të shmangur ngrirjen e muskujve.
Kur duhet t’i drejtohemi mjekut
Në qoftë se pësoni përplasje me makinë apo një traumë gjatë një aktiviteti sportiv apo duke u rrëzuar për çdo lloj motivi dhe në qoftë se dhimbja në qafë është e shoqëruar me të vjella dhimbje koke, ethe, padurim të dritës dhe mpirje të krahut apo të pjesëve të tjera të trupit.
Si ta përballojmë
Ndërhyrjet e mëposhtme janë të dobishme në rastet kur dhimbja e qafës është shkaktuar nga kontraktimi i muskujve apo një mpirje e tyre.
Me hidroterapi
Kur qafa ka inflamacion bëni një kompresë me akull për dhjetë minuta. Në qoftë se nuk keni akull, atëherë merrni ndonjë ushqim të ngrirë, mbështilleni me një copë dhe përdoreni si kompresë. Në këtë kohë përgatisni dhe një çantë uji me ujë të nxehtë, mbështilleni me një peshqir dhe aplikojeni në të njëjtin vend ku vutë akullin, menjëherë pasi ta keni hequr atë dhe mbajeni për dhjetë minuta.
Me anë të agopunturës
Agopuntura është shumë e dobishme në rastet kur dhimbja e qafës është shkaktuar nga kontraktimet muskulore si ato të shkaktuara nga sëmundja e artrozës.
Me anë të masazhit
Teknikat e masazhit janë të dobishme në të gjitha rastet kur qafa dhe shpatullat kanë ngrirë, qoftë pse keni qëndruar në një pozicion të papërshtatshëm, për shkak të artrozës, për një qëndrim të gjatë në të njëjtin pozicion.
Me aromaterapi
Për të shtuar efikasitetin e masazhit, mund të përdoret një vaj i përftuar në këtë mënyrë: Në 50 ml vaj mandarinash të ëmbla hidh 20-30 pika lavande ose kamomili. Të njëjtat vajra, por me masë 2-5 pika mund të hidhen dhe në vaskën e banjës.
16 Dhjetor 2009