Oficeri i plagosur nga Ilir Paja, kurim në Itali
• TIRANE – Oficeri i Policisë Kriminale të Policisë së Tiranës, i cili u plagos më 6 mars 2008 nga i kërkuari Ilir Paja, është nisur dje për kurim në spitalin e Barit në Itali.Mëngjesin e djeshëm, oficeri i Sektorit të Vëzhgimit dhe Operacioneve Speciale ka udhëtuar nga Spitali Ushtarak në drejtim të Italisë me një avion sanitar. Të dielën mjekët shqiptarë dhanë miratimin për lëvizjen e oficerit. Më parë ata kishin kërkuar që i plagosuri të mos lëvizte nga regjimi i shtratit pasi gjendja e tij ishte e rënduar dhe lëvizja mund të përkeqësonte akoma më shumë plagët e marra. Agjenti i Policisë Kriminale mbeti i plagosur mesditën e 6 marsit 2008 në afërsi të Farmacisë nr.10 në Tiranë. Ai ishte vënë në ndjekje të personit të shumëkërkuar Ilir Paja, kur ky i fundit qëlloi me armë në drejtim të oficerit të policisë. Pasi nuk ka mundur të qëllojë në shenjë me armë zjarri, i kërkuari për disa akuza, ka goditur me makinë oficerin e policisë duke i shkaktuar atij dëmtime serioze në trup. Një tjetër efektiv policie që ndodhej në vendin e ngjarjes qëlloi me armë, duke plagosur rëndë në gjoks Ilir Pajën, i kërkuar për një vrasje në Gjermani dhe dy arratisje nga burgu në Itali.