Tiranë, alarme të rreme për bomba te shkollat “Petro Nini” dhe “Karl Gega”
• TIRANE – Telefonatat anonime alarmojnë policinë e qytetit për vendosje bombash në gjimnazet e Tiranës. Forcat e shumta të policisë që kanë mbërritur paraditen e djeshme në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, kanë shkaktuar ndërprerjen e mësimit në këtë institucion. Të gjitha sallat janë boshatisur pasi forcat e policisë ushtruan kontrolle të imtësishme për objekte të dyshimta. Alarmi ishte shkaktuar nga një telefonatë, e cila në orët e mëngjesit, pak çaste pas nisjes së proçesit mësimor lajmëroi por vendosjen e një bombe në shkollën e mesme “Petro Nini”. Policia pasi ushtroi kontrolle për më tepër se një orë në këtë shkollë nuk gjeti asgjë të dyshimtë, ndërsa rezultati i verifikimeve ishte se alarmi i dhënë ka qenë i rremë. Vetëm pak kohë më pas, një tjetër telefonatë ka mbërritur në polici. Ajo lajmëronte për vendosje lëndësh shpërthyese në ambientet e shkollës “Karl Gega” në kryeqytet. Edhe aty, sikurse në shkollën e mesme “Petro Nini” mësimi është ndërprerë për dy orë. Gjatë kësaj kohe efektivat e policisë kanë verifikuar në të gjitha ambientet e brendshme të shkollës dhe përreth saj por nuk kanë gjetur asnjë gjë të dyshimtë. Në përfundim të kontrolleve policia ka arritur në përfundimin se edhe ky alarm ka qenë i rremë. Mësohet se strukturat e policisë kanë identifikuar personat që kanë kryer telefonatat dhe kanë filluar ndaj tyre ndjekjen penale për njoftim të rremë. Ndërkaq pas kontrolleve të ushtruara nga policia në të dy shkollat është rikthyer mësimi në kushte normale. Policia dyshon se autorët e telefonatave kanë qenë nxënës, që frekuentojnë shkollat përkatëse, të cilët kanë qenë të interesuar për prishjen e procesit mësimor. Prej kohësh policia e Tiranës nuk ishte përballur me telefonata të tilla që jepnin alarme të rreme. Ky fenomen ishte përhapur dukshëm në vitet 2005-2006, por pasi policia instaloi pajisjet e identifikimit të telefonatave alarmet e rreme u reduktuan. Gjithsesi ato duket se janë rikthyer dje kur telefonatat kanë lajmëruar për alarme të rreme thuajse në të njëjtën kohë, në dy shkolla të ndryshme të kryeqytetit.