Oh! bën i plumbit, oh! bën dhe i gjembit
Serbët, që nga zyrtari i parë i shtetit - Presidenti Boris Tadiç, te kreu i Kishës Ortodokse - Patriarku Irinije, deri te minoritari i parë serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, janë bërë politikisht tejet zhurmues për t’u dëgjuar, shumë të lodhshëm në bashkëpunim dhe mjaft të kërcyer edhe pas luftës. Plumbi serb i mori shqiptarët, siç thuhet, brinjë më brinjë, ndërsa çfarë i ndodhi Serbisë me pavarësimin e Kosovës, ishte një çpim gjembi. Por sjellja e tyre politike e diplomatike vijon si në thënin shqip: Oh! bën i plumbit, oh! bën dhe i gjembit. Absolutizmi serb është deri në marri, i përmbledhur në një fjalë dhe në një shifër: Presidenti Tadiç përsërit vetëm “Kurrë!”, për mosnjohje të shtetit të Kosovës, Patriarku i ri i Kishës Serbe, Irinije, i shpalli botës se do të presin edhe 2000 vjet për “ … kthim te Kosova jonë, djepi ynë shpirtëror”.
Potera është shumëfishuar, për t’u barabitur me dhimbjen shqiptare e gjëmimet e luftës së NATO-s, një strategji kohore tek shohin se bombardimet po palosen në histori, plagët po kurohen me pavarësi dhe, përtej të dyjave, në vëmendje të mbetet vetëm “Serbia viktimë”. Beogradi luan politikën e lënies së fajit të vet, në derë të tjetrit:
Kisha e shteti e patën kthyer Kosovën në geto, Patriarku Irinije e kori zyrtar bërtasin se “në Kosovë mungon paqja dhe liria”.
Serbia zhbiu një popull të tërë, kurse ikjen e serbëve e moskthimin ia veshi pavarësisë.
Shqiptarët qenë kthyer në popull kolonial, shteti serb kryeneçësisht vepron hapur me fantazmën e shtetit pushtues në Republikën e Kosovës.
Beogradi kërkon bashkëpunim me qeveritë e rajonit për të ecur bashkërisht për në BE, por me mendësi kolonialiste vë stërkëmbësha duke mos shkuar në mbledhjet e rajonit ku ftohet edhe Kosova.
Kreu krime barbare të harruara nga kujtesa ngjerëzore, dhe sajuan “shtëpinë e verdhë”, në Klos të Matit, në Shqipëri, për t’u barazuar në krim.
Miratuan një rezolutë për masakrën e Srebrenicës, dhe nuk guxuan t’i vënë genocidit emër, a thua se ai çbëhet kur s’thuhet.
Nuk kanë shqiptuar asnjë ndjesë për mizoritë në Kosovë, por kryeparlamentarja serbe, Slavica Dejanoviç njoftoi se kanë nëpër duar një rezolutë për dënimi e krimeve ndaj serbëve.
çuan pavarësinë e Kosovës - aspiratë mbarëpopullore e përmbushur, në Gjyqin Ndërkombëtar të Drejtësisë, të Hagës, ndërsa krimi serb nuk është ndëshkuar ende as idividualisht: Millosheviç vdiq i padënuar, kapja e Karaxhiç pas 13 vjetësh ngjasoi ( dhe ishte) teatër politik përfitimesh ( ai thirret hero), ndërsa Ratko Mlladiç do të gjindet atëherë kur do të dojë Beogradi. Faktorit ndërkombëtar i mbetet të përsërisë lutjet, që ta dorëzojnë.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe këmbëngul të rifillojnë bisedimet. Rifillimi i tyre do të ishte prapakthim te gërma “a”: pavarësia nul, vijojmë më tej.
Serbia gjithmonë ka besuar që, bashkë me Rusinë ka aleat dhe kohën: në gati 11 vjet që kur lufta ka përfunduar, s’ka kurrfarë reflektimi serb, përkundrazi, çdo ditë, përditë e si një ditë, Beogradi bëhet edhe më bërtitës kundër pavarësisë. Sjelljes politike e diplomatike serbe, si s’ka më keq kundër Kosovës, ende nuk po i thuhet troç, “Mjaft më!”, siç e meriton, (paslufta vërtetoi drejtësinë dhe domosdoshmërinë e çlirimit dhe pavarësimit), por faktori ndërkombëtar i lutet: mos e njih, veç bashkëpuno! Ndërsa, ata e lexojnë këtë, si dobësi të Europës. Politika serbe ka bërë të saj një ekuacion të ndërlikuar për ta zgjidhur: miqësi të përhershme me Rusinë, aleancë me Pekinin, avitje zemërthyer me Uashingtonin, futjen sa më parë në BE, kundër Kosovës, armiqësi ndaj NATO-s. Hetohet dhe pa sinqeritet politik: zyrtarët properëndimorë serbë udhëtojnë dendur në kryeqytetet vendimarrës të Europës, por pasi futen brenda zyrave të Brukselit, përçojnë prerë zërin nacionalist: nuk na duhet BE, pa Kosovën! Pas aq shumë lëshimesh, joshjesh, lehtësirash, shpëblimesh, ka ardhur koha që, edhe Brukseli t’i thotë prerë Serbisë: Pa njohjen e Kosovës, s’ka BE! Për ta shqiptuar këtë me lehtësi, BE i duhet të zgjidhë një problem brenda vetvetes: 5 anëtarë të saj - Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro, fatkeqësisht tri prej tyre shtete ballkanike, nuk mund të mbeten kundër shtetit të Kosovës, të cilës nuk ka kush që ia çbën më pavarësinë. Ato të 5-ta, nuk duhet t’u kundërvihen 22 vendeve të tjera të BE-se, që e kanë njohur Kosovën. Me mbështetjen e tyre për Serbinë, ato i bëhen pengesë edhe vetë asaj, sepse u ngjallin iluzione nacionalistëve serbë. Si do të mund të integrohet Serbia në BE, duke pasur një përballje serioze me 22 shtete të rëndësishme të saj, mes tyre vendet më të fuqishme, që ngjizën, jetësuan, mbijetuan dhe fuqizuan Bashkimin Europian?
Thënia shqipe, “Oh! bën i plumbit, oh! bën dhe i gjembit”, merr të njëjtin kuptim edhe në anglishten politike të BE. Serbia bën kotsëkoti “Oh!”. Ajo bërtet asisoj që prej disa vitesh, vetem e vetëm t’i bëjë trysni Europës, të nxisë lëshime nga Europa, për të përfituar sa më shumë, sidomos të pozicionohet brenda BE para Kosovës, në mënyrë që të pengojë shtetin e ri nga dy kryeqytete njëherësh, nga Beogradi posepo, por edhe nga Brukseli. Nëse Serbia do të mund ta arrinte këtë (diçka e pamundur me arsyetim), ky do të ishte një gabim europian me pasoja.