E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi që shoqëria shqiptare i mbeti Naim Kryeziut

Jetoi 92 vjeç dhe në qytetin e lindjes së tij, në Gjakovë, për aq sa patën mundësi u kujtuan ta nderojnë sikur të kishte jetuar gjithnjë në qytetin e tyre! Naim Kryeziu jetoi dhe vdiq në Romë pasi pas ngadhënjimit të komunizmit në Shqipëri nuk ishte kthyer më në Tiranë, prej nga kishte shkuar me studime në Itali! As në vendlindjen e tij në Gjakovë nuk u rikthye që ishte larguar që i mitur! Në “Olimpico” të Romës u mbajt një minutë zie në nderim të tijin, ashtu sikurse dhe në stadiumin e qytetit në Gjakovë! Shkrim rasti bëri edhe Agim Kasapolli që me arsye ishte i ithët, i pezmatuar, pasi intervistën filmike të realizuar nga ai në kohën kur punonte në ish RTP, tani në RTK, dikush e kishte shlyer! Ja faktet që i humbim, qoftë për protagonistin, qoftë për realizuesin! Naim Kryeziu plot dymbëdhjetë sezone kishte kaluar në Seria A, në ligën që futbolldashësit më naiv e dinë ç’kuptim dhe ç’rëndësi ka ajo elitë futbolli dhe pas vdekjes u kujtua edhe nga disa media, edhe nga shoqata “Naim Kryeziu” e Gjakovës, nga Fadil Vokrri! Mirëpo, mungon një dokumentar, mungon i realizuar me storie filmike, me pamje dhe zë në tv, apo me shkrime dhe fotografi në ndonjë medium apo, pse jo dhe aq më mirë në ndonjë libër pavarësisht nga faqet që do kishte për faktin se sa e rëndësishme do ishte përmbajtja! Nekrologji e munguar, megjithatë për Naim Kryeziun! Ideja për këtë shkrim më erdhi pas telefonatës që i bëra Xhafer Vokshit në Durrës, ku jeton në moshën prej tetë decenieve e gjysmë! E njoftova se kam idenë dhe së shpejti do të realizojmë një dokumentar për të! Me qeshje emocionuese të kohës ma priti me fjalët “se kjo qenka paranekrologji”! Mosha dhe shëndeti të shtyn të ndjesh qoftë edhe ditët e fundit të jetës! Bile, edhe atëherë kur ndonëse vdekjen e pret ajo mund të “shtyhet” edhe për më shumë kohë nga ç’mendohet, ashtu sikurse ndodh e kundërta, të jetë edhe më e shkurtër nga ç’mendohet si pritje! I erdhi shumë mirë, por nuk la pa pyetur prapë se “e kujt ishte ideja”?! I tregova se ishte e imja dhe falënderimet nga një zë kontrast i fuqishëm, me shqiptim të kthjellët, por njëkohësisht dhe i mekur nga befasia! Edhe ky kishte lindur në Gjakovë, por ndryshe nga personazhi tjetër i këtij shkrimi, Naim Kryeziu, që vdiq ditë më parë, kishte pasur një histori krejtësisht më ndryshe, më të dhimbshme, të përvuajtshme! Kishte marrë pjesë në konferencën e Bujanit, krejtësisht i ri, kishte marrë pjesë në konferencën e Mukjes dhe në shumë takime tjera me rëndësi të kohës! Kishte menduar në lirinë dhe kishte sakrifikuar, ndonëse më vonë i doli të ishte utopike ëndrra e tij! Që në konferencën komuniste të Tiranës në vitin 1954 i kishte filluar jeta e tij edhe më dëshpëruese! Dënimit me vdekje i kishte shpëtuar por jo dhe internimit, burgut! Ndoshta, ndoshta e kishte shpëtuar jo kontributi i tij pasi sistemi jo vetëm se nuk qante shumë kokën, por donte vazhdimisht armiq, sa edhe emri i Asim Vokshit, të vëllait të tij! Kush i di motivet që e shpëtuan nga vdekja, nga pushkatimi “kuq vrasës” i një dogmatizmi të pashembullt kur koha hiqej edhe për një shikim mospajtues, e jo më refuzues! Sot, ky protagonist jeton në pleqëri në Durrës, bën një jetë me paterica dhe u menduam t’i bëjmë paranekrologjinë, ashtu siç u kam thënë pak vetave në kohën kur më lindi ideja! Por, e thashë më ndryshe ndonëse me të njëjtin kuptim “ta realizojmë sa është gjallë”!
“Bota Sot”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›