E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Rinumërim në disa qarqe, në të kundërt protesta

Imeraj tha se PS-ja kërkon rinumërim votash në qarqet Berat, Shkodër dhe Tiranë


TIRANË- Pas mandatit të 9-të të fituar në Fier, si rezultat i rinumërimit të votave në 7 kutitë e votimit dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Socialiste shpreson të përmbysë rezultatin edhe në qarqe të tjera, ku ajo ka vërejtur parregullsi, si në qarqet e Beratit, Shkodrës dhe Tiranës. Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, deklaroi dje se, selia rozë kërkon me urgjencë rinumërim publik të një sërë kutish në disa qarqe të vendit.


Në të kundërt, PS-ja paralajmëron se nuk do ta njohë Kuvendin e ardhshëm dhe se do të nisin protestat popullore. "Sot shqiptarët filluan të shohin me sytë e tyre se çfarë ka në kutitë e marra peng në Fier nga Sali Berisha.


Orë pas ore, të gjithë do të kuptojnë jo vetëm pse Sali Berisha i mori peng këto kuti, jo vetëm pse Ilir Meta nxitoi ta shpallte martesën me Sali Berishën pa u hapur kutitë e Fierit, Beratit, Shkodrës, Tiranës e gjetkë, por edhe pse PS-ja është e vendosur të mos e njohë Parlamentin, pa u lexuar çdo votë e marrë peng nga Sali Berisha, përmes një komisioni qendror zgjedhor, që Kryeministri i rrëzuar më 28 qershor, kërkon ta kthejë në një kapak të krimit të tij elektoral",- tha dje Imeraj.


Zëdhënësja e selisë rozë shtoi se, Partia Socialiste i siguron votuesit, që kërkojnë zbardhjen e së vërtetës, se do t'i shkohet deri në fund transparencës së procesit zgjedhor. "


Ashtu siç theksuam e ritheksojmë, se duam me çdo kusht mandatin e 9-të në Fier, duam pa asnjë kompromis rinumërimin publik të një sërë kutish në Berat, Shkodër, Tiranë dhe gjetkë, ku rezultati është deformuar me mekanizma të paligjshëm.


Askujt të mos i shkojë ndërmend se ky proces i manipuluar do mbetet pa zbardhur, qoftë deri në nxjerrjen e rezultatit dhe qoftë pas nxjerrjes së rezultatit, kur ne do kërkojmë hetimin e plotë të dokumentacionit zgjedhor, në një sërë gropash të zeza të 28 qershorit, dhe nuk do gjejmë paqe pa u ndëshkuar kushdo që ka shkelur ligjin dhe ka cenuar barazinë në zgjedhje",- tha ajo.


Imeraj shtoi se, "vetëm transparenca para popullit sovran e shpëton Parlamentin e ardhshëm nga mungesa e opozitës, e cila po u shkel në të drejtat e saj kushtetuese e ligjore mbi procesin zgjedhor, nuk do ta njohë Parlamentin dhe do të ndjekë rrugën e protestave popullore për shpëtimin e demokracisë".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›