Ohri, Berisha-Gruevski: Zgjidhje çështjeve të mbetura
Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të Marrëveshjes së Ohrit, Kryeministri Sali Berisha i bëri dje të ditur homologut maqedonas se zbatimi i plotë i saj dhe zgjidhja e çështjeve të tjera të mbetura në këtë kuadër është thelbësore për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin e bashkëpunimin ndëretnik në vendin fqinj. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha rikonfirmoi qëndrimin se paqja, stabiliteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë përbën interes madhor për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndaj edhe çdo akt që bie në kundërshtim dhe i cenon ato, është i papranueshëm. Gjatë qëndrimit të tij në Zagreb, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me KM e Maqedonisë z. Nikola Gruevski. Kryeministri Gruevski i bëri me dije Kryeministrit Berisha se pala maqedonase është duke punuar që së shpejti të fillohet me pjesën maqedonase të projektit të autostradës që do të lidhë të dyja vendet, pjesë e Korridorit 8, si edhe se së shpejti do të nisë hartimi i projektit për pjesën maqedonase të linjës hekurudhore që do të lidhë të dyja vendet. Kryeministri Berisha e përshëndeti këtë hap të qeverisë maqedonase duke e vlerësuar Korridorin 8 si një infrastrukturë të një rëndësie strategjike për të dy vendet dhe rajonin. Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin maqedonas për planet e qeverisë shqiptare për të filluar së shpejti me rrugën Tiranë-Elbasan, si element thelbësor i Korridorit 8 në Shqipëri dhe përfundimin e Rrugës së Arbrit, e cila e shkurton me rreth 100 kilometër distancën Shkup-Tiranë, si edhe për gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të përfunduar edhe pjesën e hekurudhës deri në kufirin me Maqedoninë, duke krijuar kështu mundësinë edhe të këtij transporti shumë të rëndësishëm ndërmjet të dy vendeve dhe më gjerë.