Ohri në nivele maksimale, pak shanse për pakësim prurjesh
Enti Hidrometeorologjik i Ohrit, ka bërë të ditur se Maqedonia nuk mund t’i vijë në ndihmë Shqipërisë për pengimin e ujit që derdhet mbi Drinin e Zi, i cili vjen më pas në liqenin e Fierzës. “Nëse mbyllet Drini i Zi, i cili mundëson rrjedhje të më shumë 50 metra kub uji në sekondë, atëherë me të vërtet do të ballafaqohemi me probleme“, u shpreh Zdravko Krstanovski, nga Enti Hidrometeorologjik i Maqedonisë njoftojnë mediat maqedonase. Ndërkohë, Llazo Naumovski nga një tjetër ekspert nga Enti Hidrometeorologjik mendon ndërkohë se hidrocentralet e Shqipërisë për dallim nga hidrocentralet e Maqedonisë nuk kanë kapacitet për aq sasi uji.“Derdhja mesatare e ujit nga Maqedonia për në Shqipëri është 100 metra kub ujë në sekondë, por në kushte të tilla sasia e ujit sillet mes 500 dhe 600 metra kub“, u shpreh Naumovski. Por siç thonë ekspertët, nëse nivelet e ujërave rriten dhe në periudhën e kaluar kjo ka ndodhur edhe për faktin se shkrirja e dëborës shkarkonte ujërat nga mali direkt në lumë, atëherë mund të rritet sasia e shkarkimit të ujërave. Por ekspertët thonë se moti i ligë dhe i ndryshueshëm kësaj here mund të jetë përparësi. Hidrologu Josif Milevski: “Për fat këto ditë, parashikohet rreshje të pakta, edhe nëse ka reshje do të jetë dëborë. Ky parashikim është për ditët në vijim. Kjo gjë ka sjellë qetësimin e prurjeve të ujrave, dhe nëse mbahet kjo tendencë do të jetë mirë. Maqedonia për momentin është anashkaluar nga reshjet e mëdha, siç i shohim në vendet fqinje”, tha Josif Milevski, hidrolog pranë Entit Meteorologjik, transmeton sesioni i BBC-së në Shqip. Autoritetet në Shkup thonë se janë në komunikim të vazhdueshëm me ata në Shqipëri për të koordinuar situatat. Ndërkohë që të martën mbi 40 vullnetarë janë dërguar në zonat e prekura nga përmbytjet. Ndihma e Maqedonisë konsiston edhe në anije, pompa për thithjen e ujit dhe tenda.