E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ok dëmshpërblimit të ish të përndjekurve

03/04/2009  Mazhoranca jep pro 71 vota, opozita voton kundër. Abstenon PBDNJ-ja

Kuvendi i dha fund debateve për ndryshimet e propozuara nga mazhoranca për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, duke i votuar ato me 71 vota. Ndërsa opozita, ndryshe nga sa mendohej nuk e braktisi seancën. I vetmi reagim i saj ishte vota kundër projektit, ndërsa e vetmja votë e shënuar në tabelën e abstenimeve ishte ajo e deputetit të PBDNJ-së Spiro Peçi. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, që mendohet të jetë në fillimi të muajit maj, i hapet rrugë procesit të depozitimit të kërkesave pranë Ministrisë së Drejtësisë nga disa kategori të tjera përfituesish. Konkretisht, të atyre që kanë marrë njoftimin “negativ” nga ministria e Drejtësisë, si dhe të familjarëve të atyre që janë ekzekutuar pa gjyq, të dënuarve në kampe internimi të rrethuar me tela me gjemba dhe të afërmve të klerit. Në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion dhe sipas radhës së caktimit të dëmshpërblimit, fondet do të ndahen në mënyrë të proporcionale për të gjithë ish-të dënuarit dhe familjarët e viktimave të pushkatuara, me kusht që vlera e dëmshpërblimit gjatë fazës së parë të mos jetë më shumë se 1 000 000 lekë. I njëjti mekanizëm do të përsëritet deri në shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit për të gjithë ish-të dënuarit/familjarët e viktimave, me kusht që në çdo rast pjesa takuese që kompensohet të mos jetë më e vogël se 100 000 lekë. Dëmshpërblimi financiar i depozituar në llogaritë bankare tërhiqet personalisht nga vetë ish-i dënuari politik apo nga kujdestari i tij, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar apo nga familjari i viktimës së ekzekutuar. Depozitat bankare që çelen në emër të ish-të dënuarit politik apo familjarëve përfitues, bëhen të disponueshme brenda 1 jave kalendarike nga çelja e tyre.

Propozimi i Berishës

Ligji pritet të pësojë të tjera ndryshime më vonë. Në seancën e së hënës kreu i qeverisë, Sali Berisha pasi vlerësoi nismën, propozoi që Kuvendi të shtojë një amendament për dëmshpërblimin e atyre që në kohën e diktaturës quheshin grupet e diversantëve. “Luftuan katër vite kundër okupacionit, dhe kur panë që Enver Hoxha po vendoste një okupacion të ri, u larguan dhe ranë në këtu në pritat për shkak të një tradhtari që u jepte rusëve të gjitha të dhënat. Ndaj krahas shpalljes së tyre ‘Martirë të lirisë’, unë i propozoj Kuvendit që të ketë një amendament për dëmshpërblimin. Ata ranë që ne të bëheshim të lirë”, - tha Berisha.

Shqyrtimi i kërkesave

Kërkuesit që kanë paraqitur kërkesë për përftimin e dëmshpërblimit financiar në Ministrinë e Drejtësisë dhe janë njoftuar me “njoftim negativ” kanë të drejtë të riparaqesin një kërkesë të re për të rikonfirmuar vullnetin e tyre, si dhe certifikatën e lindjes së lëshuar jo më vonë se 45 ditë nga dorëzimi i kësaj kërkese të dytë, të cilat i bashkëngjiten dokumentacionit të paraqitur prej tyre. Pas regjistrimit të dokumentacionit strukturat e Ministrisë nisin procedurat e shqyrtimit administrativ për përfitimin e dëmshpërblimit financiar dhe për përfitimin e dëmshpërblimit financiar të paraqitura pas datës 19.12.2008.

Tërheqja e dëmshpërblimit

Kur ish i dënuari politik ka vdekur ose vdes pas depozitimit të kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë, familjarët e përcaktuar në nenin 8 këtij ligji, për çeljen e depozitës bankare, duhet të depozitojnë në Ministrinë e Financave këto dokumente:

-Certifikatën e vdekjes së ish- të dënuarit politikë.

-Dëshminë e trashëgimisë të ish- të dënuarit politikë.

-Kopjen e vlefshme të dokumentit të identitetit.

-Certifikatën e trungut familjar.

Dëmshpërblimi

Shpërndarja e fondit në mënyrë proporcionale do të nisë menjëherë për 1 440 persona, me vlerë 980 milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›