E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli kërkesë donatorëve: Ecni me hapin tonë

03/04/2009  Ministri i Ekonomisë vlerësoi koordinimin e projekteve

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, kërkoi që donatorët të ndjekin hapin e reformave që qeveria e drejtuar nga Kryeministri Berisha ka ndërmarrë gjatë kësaj kohe. Gjatë konferencës së donatorëve në Tiranë, ministri Ruli përmendi gjithashtu eksperiencën pozitive të deritanishme në koordinimin dhe absorbimin e ndihmës së huaj në dikasterin që ai drejton. “Kam një kërkesë të fundit për donatorët. Ndërsa qeveria tashmë po e udhëheq procesin e koordinimit, shpesh herë ne përballemi me procedura tejet të zgjatura të donatorëve, të cilat bëjnë që në çastin që ndihma vjen, ajo të jetë e vonuar apo thjesht jashtë kontekstit. Ne po përpiqemi të lëvizim shpejt, por do të kërkonim gjithashtu që donatorët t’i përgjigjeshin hapit tonë”, - theksoi Ruli. Sipas tij, çështja e një koordinimi efikas mes donatorëve dhe qeverisë është veçanërisht e rëndësishme në kontekstit e integrimit evropian të Shqipërisë. “Më duhet të them se është e thjeshtë të fajësohen donatorët për mungesë koordinimi, në rastin kur ky koordinim nuk ekziston. Por kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Kusht thelbësor duhet të jetë ekzistenca e lidershipit të qeverisë, qartësia e vizionit dhe programeve të saj zhvillimore. Në mungesë të kësaj, donatorët e kanë shumë të vështirë koordinimin dhe dhënien e ndihmës me efikasitet”, - nënvizoi në fjalën e tij ministri i Ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›