Rinas; Ekstradohet nga Turqia një prej 10 personave më të kërkuar nga policia
Zyra e Interpol-Tiranës ka ekstraduar nga Ankaraja Aleksandër Zhulatin, një prej 10 personave më të kërkuar nga policia shqiptare. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendim nr. 95 të datës 25.09.2000, e ka dënuar këtë person me burgim të përjetshëm për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ndërkohë që ditën e djeshme në bashkëpunim me zyrën e Interpol-Romës është ekstraduar edhe Leksi (Shpëtim) Miraka nga Elbasani, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 40, datë 03.05.2000, ka dënuar me 20 vjet burg, për veprat penale të “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Ditën e djeshme, ata i janë dorëzuar punonjësve të Drejtorisë së Burgjeve, ku janë çuar më pas në qeli, për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.