E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, nis sfida elektorale

Italianët filluan të dielën votimin në zgjedhjet parlamentare që ka gjasa të sjellin manjatin konservator të mediave, Silvio Berluskoni, në pushtet, për të tretën herë. Nëse kjo ndodh, ai do të përballet me një sërë vështirësish dhe me një "sëmundje" të rëndë ekonomike dhe sociale. Sfidanti kryesor i miliarderit 71-vjeçar, është lideri i qendrës së djathtë, Valter Veltroni, një ish-komunist që e portretizon veten si një njeri i ndryshimit, edhe pse premtimet e bëra prej tij, gjatë fushatës elektorale, përfshinin një reduktim modest taksash dhe qëndrim të ashpër ndaj krimit, premtime këto të ngjashme me ato të Berluskonit. Ndërkohë, pjesa më e madhe e 47 milionë zgjedhësve të Italisë, janë pesimistë në lidhje me perspektivën e një ringritjeje ekonomike apo të stabilitetit politik, pasi ata po zgjedhin tani qeverinë e 62-të që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kjo pasi ligjet zgjedhore e bëjnë të vështirë për këdo, fitoren e një shumice të dukshme. Duke u mbështetur në statistika, Italia ka zhvilluar pothuajse një palë zgjedhje çdo vit, pasi këto janë pra zgjedhjet e 62-ta në 63 vitet e fundit. Qeveria e koalicionit të qendrës së majtë, e kryesuar nga Romano Prodi, zgjati vetëm 20 muaj dhe u shpërbë në janar, duke e çuar Italinë drejt recesionit ekonomik. "Mua nuk më intereson shumë se kush fiton. Unë dua një qeveri jetëgjatë", thotë një mësues 54-vjeçar, Françesko Antonaçi, pasi hodhi votën në Romë. Qendrat e votimit, u hapën dje në orën 8:00 të mëngjesit dhe u mbyllën në orën 22:00. U rihapën në orën 7:00 të mëngjesit të sotëm dhe mbyllen në orën 15.00. Pak orë më pas, do të mësohet edhe rezultati paraprak. Berluskoni, i vetmi njeri në 50 vjet që ka mundur të çojë një mandat Kryeministri deri në fund, është duartrokitur ndërsa kaloi para zgjedhësve në Milano, hodhi votën e tij në kutinë e votimit dhe puthi në faqe një djalë 3-vjeçar. "Na shpëto Silvio", thërriste një zgjedhës. Valter Veltroni, 52 vjeç, lideri i Partisë Demokratike dhe ish-kryebashkiak i Romës, priti në një radhë të gjatë, në kryeqytetin italian, derisa zyrtarët e qendrës elektorale i hapën udhë drejt kutisë së votimit. Ai tha vetëm kaq: "Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë". Berluskoni, një ndër njerëzit më të pasur të Italisë, ka kryesuar sondazhet e opinionit publik, të zhvilluara para zgjedhjeve, por fushata e tij kohë pas kohe, e ka humbur "shkëlqimin" që e bëri atë të fitonte pushtetin në 1994-ën dhe 2001-shin, kur ai ia doli mbanë ta çonte deri në fund mandatin e tij. Lideri që zakonisht flet lirshëm e madje shpesh edhe pa u matur, ka "rrëshqitur" në disa raste çka edhe mund t‘i ketë kushtuar atij vota. Në ditët e fundit të fushatës, ai fyeu edhe futbollistin e famshëm dhe shumëpopullor në Itali, Françesko Toti, i cili kishte shfaqur preferencat e tij për qendrën e majtë, duke e quajtur, budalla. Por ndërkohë, morali i Italisë, ka rënë goxha shumë nga përpjekjet e pasuksesshme për gjetjen e një blerësi për kompaninë humbëse ajrore, "Alitalia", krizës së plehrave në Napoli, shqetësimeve për shëndetin pas skandalit me mocarelën e njohur dhe lajmeve të këqija për perspektivën e katërt, më të madhe, të Bashkimit Evropian. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka verifikuar një rritje prej vetëm 0.3 për qindësh këtë vit në Itali, vend ky që renditet pas partnerëve të saj të eurozonës dhe që ka borxhin e tretë, më të madh, në botë. Berluskoni dhe Veltroni, së bashku, kanë premtuar një ulje modeste taksash që synon mbi të gjitha të rrisë fuqinë e konsumatorëve. Ata kanë thënë gjithashtu se Italia ka nevojë për më shumë policë për të luftuar krimin. Dhe aftësitë e fituesit për t‘i bërë ballë një recesioni, mund edhe të dëmtohen nga një ligj zgjedhor shumë i komplikuar, i hartuar dhe miratuar nga Berluskoni, që vështirëson në maksimum arritjen e një shumice të qartë në dhomën e sipërme të Parlamentit. Një ndërtues nga Roma, Luçiano di Paskuale, 55 vjeç, ka votuar për Berluskonin, pasi ai beson që lideri konservator kishte më shumë gjasa të përmirësonte situatën në fronte si punësimi apo pagat. "Mua nuk më pëlqen mënyra se si Prodi qeverisi dhe mendoj se Veltroni do të jetë pak a shumë njësoj", tha ai. Ruxhero Bianki, 63 vjeç, thotë në anën tjetër se ka votuar për Veltronin, që gjithashtu ka mbështetjen e yllit të Hollivudit, Xhorxh Kluni. "Unë kam besim te Partia Demokratike, por nuk mendoj se qeveria e ardhshme do të zgjasë më shumë se kjo që po ikën", tha Bianki. Një e treta e zgjedhësve pritet të vendosë në minutën e fundit se kë do të mbështesë. Shumë prej tyre shohin pak dallim mes platformave të prezantuara nga të dy kandidatët. "Sërish ne jemi këtu, duke votuar, por çfarë ka ndryshuar ndërkohë? Asgjë", thotë Mila Sabatini, 35 vjeç, banore e Milanos. "Ajo e imja do të jetë një votë proteste". Një garë e fortë mund ta detyrojë fituesin të kërkojë një marrëveshje koalicioni me partitë më të vogla. Veltroni dhe Berluskoni, të vetmit kandidatë me një shans real për t‘u bërë kryeministra, kanë mohuar se do të mund të krijonin një koalicion të përbashkët. Rreth 158 parti të ndryshme po garojnë në zgjedhjet rajonale dhe kombëtare, përfshirë partinë e re të Berluskonit, Poli i Lirisë dhe të sapoformuarën Parti Demokratike e Veltronit. Pritet një pjesëmarrje e madhe në zgjedhje pavarësisht se shifrat e para ishin larg atyre të parashikuara. Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, në 2006-ën, më shumë se 80 për qind e mbi 40 milionë personave me të drejtë vote, morën pjesë në proces. Sipas rregullave të reja, në këto zgjedhje ndalohej për të gjithë mbajtja e telefonave celularë të pajisur me kamera në qendrat e votimit për të regjistruar mënyrën se si votohej, për shkak se "blerja e votave", ka qenë një fenomen i pranishëm në proceset e mëparshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›