E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Bujqësisë, gati grupin e punës për verifikimin e titujve të pronësisë

Ministria e Bujqësisë, ndonëse nuk është miratuar ende ligji për titujt e pronësisë, ka gati grupin e punës për verifikimin e tyre. Burime pranë Ministrisë së Bujqësisë bëjnë të ditur se menjëherë pas miratimit të ligjit do të fillojë puna për verifikimin e titujve të pronësisë së tokës të ndarë sipas ligjit 7501. Grupet e punës janë vendore dhe janë ngritur në të gjitha komunat e vendit. Këto komisione do të verifikojnë të gjithë mënyrën që kanë ndjekur dikur komisionet e ndarjes së tokës. Projektligji për verifikimin e titujve të pronësisë së tokës pret miratimin nga Kuvendi. Me kërkesë të ministrit Gjana, ai do të rikthehet sërish në Kuvend në komisionin përkatës për t’u rishqyrtuar. Projektligji në fjalë ka si qëllim të vendosë kriteret e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore dhe strukturat shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Projektligji ka përcaktuar edhe mënyrën e përfitimit të pronësisë së tokës. Sipas projektligjit, kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë private mbi tokën e sipërfaqet, që më 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastrale, në zërin “Tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar. Njëkohësisht titulli i pronësisë fitohet për ato sipërfaqe të tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të ministrit të Bujqësisë, deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 8337, datë 30.4.1998, “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”. Pika e tretë që njeh një titull pronësie është për ato sipërfaqe të tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”. Një tjetër pikë e diskutueshme dhe që shihet si standard i dyfishtë është pika tre e këtij projektligji, e cila përcakton se familjet fshatare ose individët, që faktikisht e përdorin tokën bujqësore dhe e shfrytëzojnë atë në kufijtë e pretenduar prej tyre si pronë e parakolektivizimit dhe që nuk kanë pranuar të pajisen me aktin e marrjes se tokës në pronësi, mund ta kërkojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë, sipas procedurave të përcaktuara në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Sipas projektligjit, nuk mund të bëhet kërkesë për t’u pajisur me dokumentacion pronësie, kur sipërfaqja e tokës së pretenduar u është dhënë më parë në pronësi personave të tjerë, në bazë të dispozitave të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”. Projektligji ka përcaktuar edhe bazën që nuk njihen titujt e pronësisë. Sipas neneve të tij, nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi dhe i krijimit të titujve të pronësisë të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë në zërin “Tokë bujqësore” si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore, pas kësaj date.

Topalli fton të rinjtë: Bëhuni pjesë e politikës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në cilësinë e nënkryetares së Partisë Demokratike, ka ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e politikës, gjatë një takimi festiv, mesditën me të rinjtë e Forumit Rinor demokrat të Shkodrës. “Sot kam ardhur te ju me një qëllim të veçantë: t’ju ftoj të bëheni pjesë e politikës, t’ju ftoj të bëheni pjesë e përpjekjeve tona drejt Bashkimit Evropian, të bëheni pjesë dhe mbështetës të reformave të mëdha që ka ndërmarrë Shqipëria. Ju jeni të rinjtë e një vendi të suksesshëm, të një vendi që ulet sot në tryeza së bashku me vendet më të zhvilluara të NATO-s, ju jeni të rinjtë e një vendi që po ratifikon me ritme të përshpejtuara MSA-në dhe së shpejti shpreson të jetë anëtar i Bashkimit Evropian”, - tha Topalli. Më tej ajo nënvizoi se reformat na kanë sjellë një stabilitet ekonomik, na kanë shndërruar në një vend të lakmueshëm për investime nga bizneset ndërkombëtare dhe në një vend me interes për të turizëm e investime. “Unë jam sot këtu për t’ju thënë juve, se ne kemi nevojë për mbështetjen e të rinjve, ne kemi nevoje për mbështetjen tuaj, në vazhdueshmërinë tonë drejt realizimit të gjithçkaje kemi premtuar, siç kemi dëshmuar qartazi në këto tre vjet. Unë jam këtu për t’ju thënë se Partia Demokratike është e hapur për investimin tuaj në të dhe se ju do të jeni deputetët e ardhshëm evropianë”, - ka përfunduar fjalën zonja Topalli. Në këtë aktivitet, Topalli shoqërohej nga deputetët Astrit Bushati, Ramiz Çoba, si edhe drejtues lokalë të Shkodrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›