Zbardhet vrasja e rrugës "Bardhyl", në kërkim autori
Zbardhet një nga vrasjet më të vjetra në Tiranë, ndërkohë që antikrimi ka shpallur në kërkim autorin e identifikuar. Bëhet fjalë për vrasjen e Shpëtim Dapit, në Rrugën Bardhyl, dosja e së cilës ishte harruar për 16 vjet në sirtarët e prokurorisë. Vetëm pak kohë më parë, ajo është rikthyer në polici dhe pas një pune të skuadrës së vrasjeve është mundësuar identifikimi i autorit të saj, i cili është Elvin Osmani. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga policia, por nga të dhëna të besueshme, mësohet se ai ndodhet prej vitesh në emigrim.
Ngjarja e bujshme ka ndodhur 16 vjet më parë. Pikërisht më 14 maj të vitit 1992, policia kishte marrë informacion se Shpëtim Dapi kishte mbetur i vrarë në Rrugën Bardhyl të Tiranës, sapo kishte dalë nga një lokal. Në dosjen e asaj kohe shkruhet se Dapi ishte masakruar me thikë nga një person i paidentifikuar. Por, në një kohë të shkurtër, policia identifikoi si të dyshuar për këtë vrasje Elvin Osmanin. Megjithatë, ai nuk u arrestua ndonjëherë dhe dosja e vrasjes shkoi në prokurori pa autor. Sipas të dhënave të policisë, Osmani në atë kohë njihej nga policia si person problematik, pavarësisht se deri në ditët e sotme nuk është dënuar për ndonjë vepër penale. Megjithatë, që në vitin 1992 e deri sivjet, askush nuk ishte kujtuar për vrasjen e Shpëtim Dapit, përveç familjes së tij. Këmbëngulja e tyre ka bërë që skuadra e vrasjeve të rikthejë në vëmendje këtë dosje dhe të vazhdojë hetimin e mëtejshëm të saj. Nga vlerësimi i dosjes, policia ka rinisur marrjen në pyetje të dëshmitarëve të kësaj ngjarjeje të rëndë, ku një pjesë e tyre nuk jetojnë më. Nga ana tjetër, familjarët kanë ngritur dyshimet se si ka mundësi që autori i dyshuar i kësaj vrasjeje nuk është arrestuar, edhe pse shumë dëshmitarë dhe shumë prova të vrasjes së Dapit të çonin te ky person. Në këto kushte, rreth një muaj më parë, skuadra e vrasjeve ka formuar një grup hetimor dhe ka nisur punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të vjetër. Burime të besueshme nga grupi hetimor bënë të ditur se u mblodhën një sërë dëshmish dhe u rivlerësuan provat që u gjetën në vendin e ngjarjes, duke identifikuar si autor të kësaj ngjarjeje Elvin Osmanin. Pas dokumentimit të ngjarjes së vjetër dhe plotësimit të dosjes, policia e dërgoi atë në prokurori. Ndërkohë, prokurori i çështjes vendosi që të lëshojë një urdhër-arresti për Elvin Osmanin dhe menjëherë ka nisur puna për gjetjen dhe kapjen e tij. Megjithatë, gjatë hetimit për gjetjen e tij, uniformat blu kanë zbuluar se ai nuk ndodhet prej vitesh në Shqipëri. Burimet policore thanë se ai kishte emigruar jashtë vendit që në vitin 1992, ndërkohë që më pas është kthyer shumë pak herë në Shqipëri. Tashmë ka disa vjet që ai nuk ka shkelur në tokën shqiptare. Megjithatë, policia dyshon se ka gjetur vendin ku fshihet i kërkuari dhe ka bërë gati dokumentacionin për ta dërguar për kërkim ndërkombëtar në Interpol. Gjithashtu, Interpol-Tirana ka nisur punën bashkëpunuese me shtetin, ku mendohet se fshihet Osmani që të realizojë arrestimin e tij për llogari të drejtësisë shqiptare dhe ekstradimin në vendin tonë. Por, vendi ku fshihet i kërkuari nuk është publikuar nga ana e policisë, për shkak të hetimit të këtij rasti. Policia tha se dosja e zbardhur vetëm dy ditë më parë është një ndër dosjet më të vjetra që nuk janë zbardhur nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.
Policia arreston kunatin si autor. Plagoset edhe e fejuara e viktimës
Shkodër, 30-vjeçari vritet afër shtëpisë së të fejuarës
Ardjan Muja, 30 vjeç, banues në lagjen "Salo Halili" në Shkodër është qëlluar për vdekje me disa plumba, pranë shtëpisë së të fejuarës së tij, në një pallat në lagjen "Ahmet Haxhia" të qytetit. Viktima ka qenë i shoqëruar me të fejuarën e tij, Dorela Bushati, kur në katin e katërt të pallatit është grindur me vëllain e të fejuarës, Fatjon Bushatin. Debati mes të rinjve ka kaluar shumë shpejt te përdorimi i armëve. Nga të shtënat ka mbetur i vdekur në vend Ardjan Muja, ndërsa ka mbetur e plagosur e fejuara e tij, si dhe kunati, që sipas policisë është autori i vrasjes së Mujës. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur pranë trupit të viktimës një pistoletë, që mendohet se është nxjerrë nga Ardjan Muja për t‘u vetëmbrojtur. Ai ka arritur të plagosë vrasësin, por nuk ka mundur t‘i shpëtojë vdekjes nga plumbat e marrë. E ndodhur mes të fejuarit dhe vëllait, që të dy me pistoleta në duar, e fejuara e viktimës është munduar të shuajë sherrin, por nuk ia ka arritur qëllimit, duke mbetur edhe ajo e plagosur. Policia e Shkodrës ka arritur të ndalojë autorin e dyshuar të vrasjes, i cili po mbahet në ruajtje në spitalin e qytetit, pasi është i plagosur. Policia ka shoqëruar gjithashtu të afërm të viktimës dhe të vrasësit për t‘i pyetur në lidhje me rrethanat e ngjarjes. Sipas burimeve nga grupi hetimor që është ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, vrasësi dhe viktima kanë pasur probleme me njëri-tjetrin. Të afërmit kanë treguar se Fatjon Bushati nuk kishte qenë dakord që motra e tij, Dorela, të fejohej me Ardjan Mujën. Për këtë arsye ata kishin shkëmbyer shpesh fjalë me njëri-tjetrin, ndërsa dje, përplasja ka qenë fatale. Ndërkohë, mendohet se të dy protagonistët e kësaj ngjarjeje ishin të përgatitur për një përplasje të fortë dje, pasi nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti që të dy ishin të armatosur me pistoleta. Policia nuk ka mundur të përcaktojë ende se kush e ka përdorur i pari armën, por nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe shqyrtimi i provave materiale ka rezultuar se viktima Ardjan Muja ka shkrehur të gjithë plumbat që kishte në karikatorin e pistoletës, përpara se të vdiste. Ekspertët thanë gjithashtu se Muja është qëlluar një herë në trup dhe më pas në kokë, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
SSSASS