Oketa: Projektet që do të paraqesim do thellojnë luftën ndaj korrupsionit
Qeveria shqiptare ka reaguar menjëherë pasi Bordi i Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit ftoi atë që të zhvillojë dhe të paraqesë një vazhdim të Programit të Pragut në kuadër të një “Faze të Dytë”, të këtij projekti.
Zevendëskryeministri, Gazmend Oketa, u shpreh dje gjatë një konference për shtyp, se “ky vazhdim i projektit, siç theksohet në njoftimin e mbledhjes së Bordit të Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit, zhvilluar dje në Uashington, bazohet në suksesin e Programit të Pragut që aktualisht po zbatohet prej më shumë se një viti dhe do të mbështesë vazhdimin e përpjekjeve të reformave për të ndihmuar Shqipërinë të bëhet vend kompakt”. Sipas zotit Oketa, ky program mund të fillojë menjëherë me përfundimin e programit që është në zbatim, pra rreth muajit tetor 2008. Zëvendëskryeministri theksoi se qeveria shqiptare siguron se projektet që do të zhvillojë dhe paraqesë në kuadër të kësaj ftese për Fazën e Dytë të Programit të Pragut, do të kenë si objektiv të tyre thellimin e luftës ndaj korrupsionit, si dhe modernizimin dhe rritjen e efiçencës së qeverisjes së vendit”. “Qeveria shqiptare dëshiron të shprehë mirënjohjen e thellë për taksapaguesit amerikanë, për qeverinë dhe autoritetet amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë bërë vendit tonë në rrugën e reformave ekonomike, politike e sociale, për ndërtimin e një ekonomie tregu funksionuese dhe një shoqërie të shëndetshme demokratike. Shprehim gjithashtu vlerësimin maksimal për rezultatet mjaft pozitive të arritura gjatë fazës së parë të zbatimit të Programit të Pragut, që me një financim prej rreth 14 milion dollarë, bëri të mundur që në vendin tonë të arrihen objektiva mjaft të rëndësishëm të përmirësimit të qeverisjes dhe luftës kundër korrupsionit”, theksoi zoti Oketa. Ai u shpreh se “me mbështetjen e këtij projekti u realizua idea e zvarritur prej vitesh për krijimin e 'One Stop Shop' për regjistrimin e biznesit, u mundësua jo vetëm shkarkimi online i dokumenteve tatimorë, por edhe pagesa online të taksave dhe tatimeve, si dhe filloi tashmë aplikimi në mënyrë pilot i prokurimeve online”. “Me garantimin e suksesit në zbatimin e këtyre tre projekteve, Shqipëria renditet në vendet më të avancuara në këto reforma dhe bëhet padyshim një vend i dhënies së eksperiencave
për vendet e tjera” - tha Oketa