PS fton qytetarët të protestojnë kundër qeverisë
Autori i Lajmit: Red.Partia Socialiste fton qytetarët shqiptarë të dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre dhe për të kundërshtuar politikat e Qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, theksoi se opozita është në parlament, për të bllokuar çdo iniciativë antikushtetuese që synon pushtimin e institucioneve, por kjo gjë nuk mund të bëhet vetëm atje. “Ka ardhur koha që njerëzit për problemet e tyre ekonomike të dalin në rrugë, bashkë me ne të gjithë. Të gjithë jemi kryefamiljarë, të gjithë kemi familjet tona, të gjithë kemi hallet nëpër shtëpitë tona dhe duhet të dalim atje, për t u bërë zëdhënës të revoltës së tyre që artikulohet më mijëra mënyra nga heshtja deri tek mallkimi në çdo shtëpi që i bëhet kësaj qeverie”, - tha Braçe. Numri dy i deputetëve socialistë pohoi se në çdo rrugë apo dyqan dëgjohen mallkimet e grave dhe fëmijëve që nuk kanë ujë dhe drita apo të kryefamiljarëve, të cilëve nuk u mjafton rroga për të përballuar çmimet që janë sot në treg. Sipas tij, të njëjtat mallkime vijnë edhe nga ish-të përndjekurit apo nga ish-pronarët, të cilët duhet t i zgjidhin të drejtat e tyre në Strasburg. “Unë mendoj që ka ardhur koha që politika ekonomike, financiare, sociale e qeverisë të kundërshtohet me çfarëdolloj mjeti në këtë vend. Të kundërshtohet korrupsioni, të kundërshtohet rritja e çmimeve, të kundërshtohet mungesa e dritave, të kundërshtohet mungesa e ujit, të kundërshtohet vjedhja marramendëse që këta bëjnë çdo ditë në administratën e tyre”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 27/10/2007