Rama në Skrapar: “Nuk kam ardhur për tju ndarë, por për tju bashkuar”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim elektoral në qytetin e Çorovodës, në rrethin e Skraparit, ku ka prezantuar kandidatin e PS-së në këtë qytet, Fidel Yllin. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Rama u ka thënë banorëve të Skraparit se kishte ardhur jo për t’i ndarë, por për t’i bashkuar ata drejt një të ardhmeje më të mirë. Po gjatë ditës së djeshme, kryesocialisti Edi Rama ka zhvilluar një takim në qytetin e Beratit. Përpara të pranishmëve në këtë takim, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar se koalicioni “Bashkimi për ndryshim” do të arrijë një fitore spektakolare në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Bindjen dhe optimizmin për fitoren Rama e shprehu në një takim madhështor që Partia Socialiste zhvilloi në qytetin e Vlorës. Ai i bëri kryeministrit Berisha që ta pranojë humbjen me dinjitet, pasi asgjë nuk mund ta pengojë fitoren spektakolare që do të arrijë Partia Socialiste më 28 qershor. “Ka vetëm një forcë të madhe që mund ta bëjë ëndrrën realitet, ka vetëm një fuqi të jashtëzakonshme që mund ta fitojë sfidën, ka vetëm një parti që mund ta mbajë barrën e rëndë të ndërtimit të Shqipërisë europiane: kjo quhet Partia Socialiste e Shqipërisë. Jemi mbledhur këtu sot për t’i thënë të gjithë Shqipërisë se Vlora e ka vulosur fitoren e 28 qershorit dhe vulat e Vlorës në historinë e këtij vendi janë vula që nuk shlyhen dhe nuk ka forcë që ndryshon fatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, që është vendosur nga populli i Vlorës dhe i mbarë Shqipërisë”, - tha Rama.
22 Qershor 2009