E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa në vend të Mediut, qeveria ndryshon pas Samitit

 
Kryesia miraton kandidaturën e Oketës. Berisha bën zgjedhje brenda qeverisë
 
TIRANË-Gazmend Oketa është kandidatura e propozuar nga Partia Demokratike për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, pas dorëheqjes së Fatmir Mediut. Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar dje një mbledhje formale të kryesisë, ku siç ndodh ngaherë, anëtarët e kryesisë janë shprehur pozitivisht për zgjedhjen e Berishës që në karrigen e Mediut tashmë të ulej Oketa, aktualisht zv.Kryeministër. Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike, ka deklaruar pas mbledhjes së kryesisë se PD-së se Gazmend Oketa ishte kandidatura e propozuar nga ai për postin e Ministrit të Mbrojtjes, ndërkohe që nuk është vendosur asgjë për karrigen e zv.Kryeministrit. Burime brenda kryesisë së PD-së deklaruan dje për “Shekullin” se, propozimi i Oketës nga kryeministri, sipas shpjegimit të dhënë nga vetë ky i fundit, ka qenë një zgjidhje e shpejtë dhe e emergjente, duke qenë se vetëm pak ditë na ndajnë nga Samiti i Bukureshtit, ku Shqipëria pret që të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO. Megjithatë, në të njëjtën kohë, anëtarët e kryesisë bënë me dije se do të ketë lëvizje ministrash, por edhe propozim kandidaturash për postin e zv.Kryeministrit. Anëtarët e kryesisë shpjeguan se republikanet do të kërkojnë post ministror dhe kjo do të ndodhë pas Samitit të Bukureshtit, ndërkohe që edhe vetë Berisha gjatë mbledhjes së kryesisë ka paralajmëruar ndryshime të mëdha të qeverisë, menjëherë pas përfundimit të këtij Samiti. Kandidatura e Oketës pritet që të dërgohet zyrtarisht nga kryeministri Berisha tek Presidenti Bamir Topi, një lëvizje kjo krejtësisht formale, pasi gjithçka ishte paravendosur. Po aq formale do të jetë edhe firma që do të hedhë presidenti i Republikës, Bamir Topi për kandidaturën në fjalë, pasi përpos të tjerash, dihet tashmë që mes tij dhe Oketës qëndron edhe një miqësi e fortë. Gazmend Oketa, dekreti për të cilin duhet të marrë votat e Kuvendit,është zgjedhur deputet në zonën nr. 29 të qytetit të Durrësit. Aktiviteti i tij politik nis me zgjedhjen anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit në vitet 2003-2005. Në 2004 është zgjedhur nënkryetar i Partisë Demokratike, dega Durrës. Në nëntor 2005, Oketa është emëruar nga Kryetari i PD, zëdhënës i Partisë Demokratike. Ndërsa plot një vit më parë ai është emëruar zëvendëskryeministër me dekret të presidentit të Republikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›