Rama: Berisha të dorëzojë imunitetin
Opozita këmbëngul në kërkesën e saj për largimin e kryeministrit Sali Berisha“Berisha na rrëfeu atë që mjafton për Prokuroren e Përgjithshme për të kërkuar imunitetin e tij”
TIRANË- Opozita këmbëngul në kërkesën e saj për largimin e kryeministrit Sali Berisha dhe dorëzimin më pas prej tij të mandatit të deputetit. Madje, dje me daljen e fakteve të reja në lidhje me trafikun e armëve, Partia Socialiste si forca kryesore opozitare ka kërkuar edhe ndërhyrjen e kryeprokurores Ina Rama, për të marrë kryeministrin Sali Berisha si të pandehur, jo vetëm për ngjarjen e Gërdecit, por edhe për skandalin e shitjes së armëve. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, në daljen e katërt radhazi, duke e konsideruar katastrofën e Gërdecit si pasojë e një afere të tërë korruptive në lidhje me tregtinë e armëve, i ka kërkuar kryeprokurores që t’i kërkojë zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të deputetit Berisha, njëherësh kryeministër. “Si një i pandehur, i zënë në grackën e opinionit publik, për shkak të dhjetëra fakteve e të një filli fare të thjeshtë logjik që të çon tek ai vetë, si kryefajtor për tragjedinë, kryeministri na rrëfeu në fakt atë që mjafton për Prokuroren e Përgjithshme, për të kërkuar imunitetin e tij e për ta kthyer Sali Berishën nga një të pandehur të opinionit publik, në një të pandehur të Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë”,u shpreh kryesocialisti Edi Rama. Referuar deklaratave të vetë Berishës dhe skandalit të përgjimeve që implikojnë dhe djalin e tij, Shkelzen Berisha në një bisedë për trafik armësh, kreu i selisë rozë, Edi Rama, ka vënë në dukje se të gjitha provat e bëra publike vërtetojnë faktin se kryeministri, megjithëse ka qenë në dijeni të kësaj afere, nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’u informuar dhe ndaluar një veprimtari të tillë, pjesë e së cilës ishte dhe aktiviteti që kryhej në repartin e Gërdecit. “Kryeministri na rrëfeu se është në dijeni të një investigimi të kryer prej muajsh të tërë nga një gazetë e madhe ndërkombëtare, lidhur me trafik armësh ku flitet edhe për atë vetë dhe djalin e tij dhe, për çudi s’paska bërë asgjë për t’u informuar lidhur me gjithçka ka të bëjë më këtë investigim, duke kërkuar të mësojë gjithçka për veprimtarinë në fjalë- ku bëhet, si bëhet, kush e bën dhe gjithçka tjetër”, - tha Rama. Sipas Ramës, marrja e këtij informacioni do t’i kishte mësuar kryeministrit Berisha shumë kohë më parë se cili ishte aktiviteti që kryhej pikërisht në Gërdec, ku dhe ndodhi tragjedia e së shtunës së kaluar. “Mosveprimi i kryeministrit në drejtim të burimeve të informimit zyrtar dhe përpjekja e tij jo për të mësuar gjithçka mbi këtë çështje nga institucionet përgjegjëse të shtetit të tij, por për të kërkuar nga partnerët dhe tek partnerët alibinë për veprimtarinë e paligjshme që kryhej në Gërdec, tregojnë qartë për këdo që ka një fije logjikë se ai ka qenë mbulesa politike e një zullumi të hatashëm. I kërkoj zotit Kryeministër të dorëhiqet e të dorëzojë imunitetin për t’i dhënë shpjegimet e tij në Prokurori”, tha kryesocialisti. Ndërkohë që sot, në orën 17:30, socialistët kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në një marshim proteste për ngjarjen e Gërdecit, ku humbën jetën dhjetëra qytetarë dhe ku u shkatërruan qindra shtëpi dhe biznese.
Opozita braktisi punimet e Kuvendit në shenjë proteste kundër këmbënguljes së mazhorancës për vijimin e rendit të ditës Topalli ndërpret debatin për Gërdecin, opozita braktis sallën TIRANË- Opozita ka braktisur dje punimet e Kuvendit në shenjë proteste kundër këmbënguljes së mazhorancës për ndërprerjen e debatit për tragjedinë e Gërdecit dhe vazhdimin e diskutimeve sipas rendit të ditës. Deputetet e majtë kanë kërkuar vazhdimin e debatit për ngjarjen e rëndë deri në nxjerrjen e përgjegjësive, ndërsa shumica ka insistuar në kërkesën e saj për të vijuar me diskutimin e projektligjeve sipas rendit të ditës të përcaktuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. SeancaKuvendi ka vijuar dje seancën plenare të ndërprerë një natë më parë. Gjatë diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës, deputetët u përqendruan sërish në debatin për tragjedinë e Gërdecit. Pozita dhe opozita ashtu si dhe një natë më parë kanë vazhduar të debatojnë në lidhje me shkaqet dhe pasojat e kësaj ngjarje të rëndë. Deputetët opozitar kanë edhe një herë nga kryeministri Sali Berisha që të marrë përsipër përgjegjësitë në lidhje me këtë ngjarje dhe të japë dorëheqjen si një hap moral në respekt të jetëve të humbura në Gërdec. Sipas sekretarit organizativ të PS-së, deputetit Blendi Klosi, largimi i Berishës nga posti i kryeministrit është domosdoshëm për t’i paraprirë katastrofave të tjera. Klosi ka theksuar se përgjegjësia për këtë ngjarje nuk mund të mbetet vetëm tek tre zyrtarët e arrestuar, por ajo duhet të përfshijë të gjithë drejtuesit e institucioneve që kanë lidhje dhe mund ta parandalonin atë. “Prokuroria sot do të duhet të vejë në pranga Ministrinë e Financave, Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm, Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Punës, administratorët të cilët kanë lejuar ngritjen e një bombe kaq të madhe. Në këto kushte ne kërkojmë që kryeministri të largohet, por kjo është thjesht një masë administrative, ndërsa masë ligjore që ne kërkojmë sot si opozitë është, që kryeministri të japë imunitetin e tij”, tha Klosi. LargimiNë përfundim të minutazhit të përcaktuar për diskutime jashtë rendit të ditës, opozita ka këmbëngulur që seanca, për shkak të situatës së rëndë që ka pasuar shpërthimin e ndodhur në repartin ushtarak të Gërdecit dhe fakteve të bëra publike nga media për trafikun e armëve, të përqendrohet pikërisht tek ky problem. Por kjo kërkesë ka gjetur kundërshtimin e mazhorancës, e cila ka insistuar në respektimin e rendit të përcaktuar më parë. “Është plotësisht anormale që parlamenti të merret me këto çështje që janë planifikuar për rendin e ditës, në kushtet kur tragjedia ende nuk është mbyllur. Ky është amoraliteti më i madh që ne të mblidhemi sot në parlament për të miratuar ligje tregtie për KESH-in dhe për INSIG-un, ndërkohë që atje ende dalin kufoma”, u shpreh Braçe, duke ftuar opozitën që në shenjë proteste të largohet nga salla. Këtij qëndrimi të opozitës, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, iu përgjigj: “gjykoj se ngjarja që ka ndodhur është shumë e rëndë, por kjo nuk do të thotë që shteti të ndalet dhe të mos funksionojë më”.
Kryetari i LDK kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha për ngjarjen Gërdecit
Lesi: 5 ministra të qeverisë bëjnë afera korruptive
TIRANË- Jo vetëm opozita bën përgjegjës qeverinë për ngjarjen e Gërdecit dhe skandalin e tregtisë së armëve. Pas deputetit demokrat, Spartak Ngjela, edhe ish-kryetari i PDK-së Nikollë Lesi, nisur nga pasojat e një ngjarje të tillë dhe mungesën e efiçencës qeverisëse për parandalimin e saj, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha, por për t’i dhënë atij një mundësi të dytë për të kompozuar një kabinet të ri qeveritar. Lesi nuk ka nguruar që të deklarojë publikisht se të paktën 5 prej ministrave të qeverisë aktuale janë të përfshirë në afera korruptive. Për këtë arsye, ai ka theksuar se vetëm një rikompozim i ri i qeverisë do të sillte dhe një fytyrë të re të mazhorancës së djathtë. “I kërkoj publikisht kryeministrit Berisha që të japë dorëheqjen dhe ta vendosë në tryezën e presidentit të Republikës, dhe të krijojë një kabinet të ri me ministra nga mazhoranca ku ka plot njerëz nga PD dhe parti të tjera me emra të rëndësishëm, si dhe të ndershëm. Pasi të shoh kabinetin e ri të kryesuar prapë nga Berisha, atëherë do të bindem ta votoj, apo jo. Nuk votoj më Berishën me ministra që janë hajdutë, me ministra që duhet të shkojnë në burg”, u shpreh Lesi. Ndërsa, duke iu referuar pikërisht ngjarjes së Gërdecit, kreu i Lëvizjes Demokristiane ka deklaruar se kjo përbën një histori për të cilën prokuroria duhet të presë mandate arresti edhe në sallën e Kuvendit. Sipas tij, kjo ngjarje nxori zbuluar qeverinë dhe veçanërisht disa ministra në pjesëmarrjen e tyre në korrupsion dhe afera korruptive. “Gërdeci është një histori e pastër korrupsioni dhe mafia. Një histori që duhet të ketë pranga dhe në sallën e parlamentit shqiptar nga prokurorja e përgjithshme. Në emër të moralit të 3 korrikut 2005 nuk mund të hesht kur pas meje një pjesë dërrmuese e ministrave janë kthyer në mafiozë dhe në shkelës të ligjit”,u shpreh Lesi.