E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa shkarkon 3 kolonelë për Gërdecin

• Lamtumirë armë! Ka qenë kjo përshëndetja e tre ushtarakëve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm, të cilët qysh nga dita e martë nuk do të ushtrojnë më funksionet e rëndësishme në krye të strukturave të mbrojtjes.

Gazmend Oketa, ministri i ri i Mbrojtjes ka firmosur tre urdhrat e parë për shkarkimin e tre kolonelëve të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Burime konfidenciale nga kabineti i kreut të Mbrojtjes bënë të ditur për gazetën "Panorama" se ai ka nënshkruar ditën e martë pezullimin nga detyra të tre ushtarakëve të lartë. Gjithçka sipas informacionit të rezervuar nga kabineti i Oketës, ka të bëjë me reflektimin e përgjegjësive për ngjarjen tragjike të Gërdecit. Madje, sipas të njëjtit, penalizimi në ditët në vijim do të vazhdojë me të tjerë zyrtarë të lartë që mendohet se kanë përgjegjësi për atë që ndodhi në fabrikën e demontimit të municioneve. Gjithsesi, duke filluar nga dita e djeshme kolonel Hilmi Laçi drejtor i armatim-municionit në Shtabin e Përgjithshëm, kolonel Dashnor Çaushi drejtor i Drejtorisë së Logjistikës dhe kolonel Idlir Nikola komandant i Policisë Ushtarake, do të jenë ish-drejtorë. Në urdhrat përkatës, ndryshe nga praktika zyrtare, është saktësuar vetëm shkarkimi nga funksioni pa cilësuar ssnjë motivacion, ndërkohë që ende nuk janë emëruar ushtarakët e tjerë që do t'i zëvendësojnë në këto detyra të rëndësishme. Kolonelët e shkarkuar që presin riemërimin në një detyrë tjetër, janë friksuar se mos ndoshta masa ndaj tyre mund të shkojë më tej e të mbeten jashtë strukturave të Forcave të Armatosura. "Urdhëri i shkarkimit, pohoi një nga të ndëshkuarit që nuk deshi të indetifikohej me emër, është firmosur pa bërë asnjë analizë në sektorët përkatës dhe pa motivuar arsyet. Për më tepër që komunikimi i tij nuk është bërë sipas praktikës zyrtare që është ndjekur deri tani për raste të tilla". Ndërkaq, mësohet se kreu i ri i mbrojtjes ka bërë edhe ndryshimet e para në kabinetin e tij dhe pritet të bëjë të tjera. Pjesa më e rrezikuar për tu larguar nga detyra, pohojnë burimet nga Ministria e Mbrojtjes janë zyrtarët e sektorit politik të cilët i kanë marrë këto përgjegjësi me urdhrin e ish ministrit Fatmir Mediu i cili dha dorëheqjen pas tragjedisë së 15 marsit në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec.                fa.ma

shkarkimet

¨    Hilmi Laçi, Drejtor i Drejtorisë së Armatimit e Municioneve në Shtabin e Përgjithshëm

¨    Idlir Nikola, Komandant i Policisë Ushtarake

¨    Dashnor Çaushi, Drejtor i Drejtorisë së Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm

Drejtori i Logjistikes në hetim
Drejtori i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Dashnor Çaushi, prej javës së kaluar ka qenë person ndaj të cilit zhvilloheshin hetime, lidhur me dosjen penale të hapur nga organi i akuzës pas ngjarjes së ndodhur në Gërdec të Vorës. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, shefi i Logjistikës ka qenë në dijeni të ngarkesave me municione që shkonin në Gërdec si dhe të fakteve të tjera, të cilat nëse shqyrtoheshin më parë mund të bëheshin shkak për parandalimin e tragjedisë.

Në skaner shkresat e Ylli Pinarit
Të gjitha vendimet dhe shkresat e firmosura nga drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, do të kalohen në skaner nga Prokuroria e Përgjithshme gjatë hetimit për tragjedinë e Gërdecit dhe abuzimet e mundshme të zyrtarëve shtetërorë në këtë rast. Organi i akuzës tashmë i ka sekuestruar të gjitha dokumentet që ndodheshin në Ministrinë e Mbrojtjes lidhur me fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec. Verifikimi i këtyre dokumenteve do të zbulojë edhe pozicionin e Yli Pinarit, pasi zëvendësit e tij kanë thënë se nuk kishin dijeni për vendimmarrjen në ndërmarrje.

Hetim për çmimin e fishekëve
Prokuroria do të hetojë edhe abuzimet e mundshme të ndërmarrjes MEICO në caktimin e çmimit me të cilin ajo i ka shitur fishekët firmës në pronësi të Mihal Delijorgjit. Të dhënat e mbledhura nga hetimi tregojnë se mes Ylli Pinarit, drejtor i MEICO-s dhe biznesmenit Mihal Delijorgji, ka pasur bashkëpunim të vazhdueshëm. Në këtë mënyrë, Prokuroria dyshon se ndërmarrja shtetërore ka favorizuar biznesmenin. Për këtë shkak do të bëhet një ekspertizë kontabël rreth dëmit që mund t'i jetë shkaktuar shtetit nga shitja e fishekëve nën vlerën e tyre reale.

Të dhënat për SAC, "hyjnë" në dosje
Grupi i hetimit të dosjes "Gërdeci" ka administruar në fashikullin hetimor informacione dhe të dhëna për firmën amerikane SAC, e cila ishte kontraktuar nga ndërmarrja MEICO për kryerjen e demontimit të fishekëve në Gërdec. Prokuroria tha se ende nuk ka ndonjë hetim rreth kësaj kompanie, ndërsa të dhënat për këtë subjekt janë mbledhur vetëm sa për të verifikuar nëse në përzgjedhjen e saj ka pasur abuzime nga ndërmarrja MEICO në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›