E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i fishekëve, thirret si dëshmitar Kosta Trebicka

• Prokuroria e Përgjith-shme zyrtarizon hetimet për trafikun e municioneve që janë tregtuar jashtë Shqipërisë pasi paketoheshin në kuti kartoni në fabrikën e Gërdecit, e cila shpë-rtheu në flakë më 15 mars 2008.

Trazhgim Sokolaj

Grupi hetimor i dosjes "Gërdeci" me gjashtë prokurorë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Tiranës si dhe dhjetë oficerë të Policisë Gjyqësore, ka zhvilluar dje për më shumë se tri orë një analizë të provave të mbledhura. Analiza është zhvilluar në organin qendror të akuzës, ku janë marrë në shqyrtim deklarimet e punonjësve të fabrikës së Gërdecit, të cilët kanë pohuar se kishin paketuar fishekë nga arkat e drurit dhe të hekurit në kuti kartoni, të cilat me kamionë niseshin në destinacione të panjohura nga Gërdeci. Gjatë analizës anëtarët e grupit të hetimit fillimisht janë njohur me përmbajtjen e dosjes së hartuar nga Prokuroria e Tiranës dhe më pas kanë marrë detyrat për veprimet hetimore që duhet të kryejnë me qëllim zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Gërdec dhe dokumentimin e abuzimeve që kanë shoqëruar procedurën e demontimit të municioneve të ushtrisë shqiptare. Burimet nga Prokuroria konfirmuan dje për gazetën "Panorama", se një nga veprimet e para hetimore është pyetja e biznesmenit Kosta Trebicka në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat objekt hetimi. Biznesmeni shqiptaro-amerikan ka denoncuar një sërë aferash dhe abuzimesh të ndërmarrjes MEICO në procesin e demontimit të municioneve të ushtrisë shqiptare. Marrja e dëshmisë së Kosta Trebickës ka qenë një nga detyrat e para dhe më kryesoret që është lënë nga drejtuesit e hetimit për prokurorët dhe oficerët gjyqësorë. Sipas burimeve hetimore, Prokuroria do të vendosë ditën e sotme kontakt me Kosta Trebickën, për të caktuar një kohë të arsyeshme për pyetjen e biznesmenit. Prokurorët gjithashtu do t'i kërkojnë atij edhe biseda të përgjuara, të dhëna e dokumente që lidhen me abuzimet që ai ka denoncuar. Dëshmia e Kosta Trebickës do të verifikohet më pas nga veprimet hetimore të Prokurorisë.
Hetimet për trafik
Mekanizmi që shkaktoi shpërthimet katastrofike në Gërdec, konsiderohet thuajse i zbardhur dhe i dokumentuar nga Prokuroria. Hetimet e zhvilluara për 15 ditë nga Prokuroria e Tiranës duket se kanë grumbulluar prova të mjaftueshme që tregojnë shkakun e zjarrit që shkaktoi shpërthimet në fabrikë si dhe pasojat e shkaktuara nga ngjarja në jetë njerëzish dhe në dëme materiale. Është dokumentuar se në fabrikë janë shkelur rregullat e sigurisë, janë punësuar të mitur, mungonin kushtet e sigurisë dhe pajisjet kundër zjarrit si dhe është provuar se objekti i çmontimit ishte vendosur në mes të një zone të banuar. Në këtë mënyrë, tashmë hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme duket se janë fokusuar më tepër në korrupsionin dhe abuzimet e zyrtarëve shtetërorë që kanë shoqëruar procesin e shitjes së municioneve të ushtrisë shqiptare të destinuara për çmontim dhe asgjësim. Trafikimi i fishekëve dhe abuzimet me këtë aktivitet të zhvilluar ilegalisht nga Gërdeci, janë një tjetër drejtim në të cilin Prokuroria do të vazhdojë hetimet. Pas dëshmisë së Kosta Trebickës, Prokuroria pritet të marrë në pyetje rreth këtij fakti edhe Mihal Delijorgjin dhe Ylli Pinarin, të cilët ndodhen në qelitë e paraburgimit në Tiranë. Gjatë hetimeve në linjën e trafikut të paligjshëm të municioneve, Prokuroria mësohet se do të thërrasë edhe persona të tjerë si dëshmitarë veç Kosta Trebickës. Me dokumentet e sekuestruara deri më tani, organi i akuzës ka provuar se fabrika e firmës "Alba Demil" në Gërdec, nuk zotëronte asnjë leje apo licencë për të kryer paketimin apo tregtimin e fishekëve, ndërsa ishte e autorizuar për biznes vetëm me produktet e dala nga përpunimi i metalit të gëzhojave që mbanin fishekët dhe predhat.

Ylli Pinari s’është pyetur ende
Burime zyrtare nga grupi hetimor i dosjes "Gërdeci", të cilat janë pyetur dje nga gazeta "Panorama" mbi të dhënat, sipas të cilave Ylli Pinari ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO, ishte penduar dhe kishte pranuar të bashkëpunonte me drejtësinë, kanë pohuar se ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes nuk është marrë ende në pyetje. Gjithashtu burimet zyrtare nga mbrojtja ligjore e Ylli Pinarit thanë se nuk kishin dijeni që klienti i tyre të ketë shfaqur ndonjë qëndrim të penduari apo bashkëpunëtori të Prokurorisë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së Gërdecit apo fakteve të tjera lidhur me tregtinë ilegale të municioneve. "Ylli Pinari është një nga personat që do të merret në pyetje gjatë këtyre ditëve, por veç masës së sigurisë nuk kemi pasur asnjë kontakt me të", thanë
burimet e Prokurorisë.

“Armët për afganët: Shqipëria kundër korrupsionit, për NATO-n”
Shqipëria reagon me përfaqësuesin e saj në OKB për shkrimin e "New York Times". Pas investigimit të shtatë gazetarëve, të botuar më datë 27 mars 2008, në të cilin përfshihej shteti shqiptar në aferën e armëve që SHBA niste për në Afganistan, dje gazeta ka botuar në seksionin e saj të letrave reagimin e Adrian Neritanit, përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara. Ky në fakt është reagimi i dytë zyrtar i Shqipërisë pas letrës së dërguar nga Kryeministri Berisha, për mospërfshirjen e tij dhe familjarëve në tij në aferën e fishekëve. Gazeta kish botuar pesë ditë më parë një investigim, në radhët e të cilit hidhej dyshimi për përfshirjen e familjes Berisha të tregtinë e armëve. NYT investigoi lidhur me kontratën që SHBA kishin patur me kompania AYE të Efraim Diverolit prej 300 milionë dollarësh. Sipas investigimit të gazetarëve amerikanë, MEICO i shiste fishekët me 22 USD për 1000 copë për një kompani ndërmjetëse inekzistente nga Qipro, dhe kjo e fundit bënte kalimin tek AEY me 40 dollarë për 1000 fishekë. Gazeta kishte zbuluar edhe faktin tjetër tronditës, që fishekët ishin kinezë dhe jashtë përdorimit. Nga ana tjetër NYT ka zbardhur edhe një pjesë të përgjuar të bisedës mes Kosta Trebickës dhe Divelorit, kur ky i fundit përmendte emrin e Kryeministrit dhe djalit të tij, si garant të aferës. Dje e njëjta gazetë "New York Times", botoi letrën e përfaqësuesit tonë në OKB, në seksionin e saj të letrave.
Letra
"Qeveria e Shqipërisë është e vendosur në luftën kundër korrupsionit dhe është plotësisht e vendosur të ndihmojë NATO-n në Afganistan. Për këtë ne kemi filluar një hetim rreth akuzave për korrupsion ndaj Agjencisë së Eksportit të Armëve në Shqipëri, si dhe ndaj akuzave se Shqipëria ka furnizuar forcat afgane me armë jashtë standardeve. Ne jemi shumë të befasuar nga publikimi i akuzave të pabazuara për korrupsion nga ana e gazetës suaj. Dëshmia e vetme në këtë drejtim vjen nga një burim i vështirë për t'u besuar, me një kasetë të regjistruar në mënyrë sekrete mes dy tregtarë armësh të dyshimtë dhe të interesuar për të mbrojtur veten. Ne hedhim poshtë akuzat e hedhura në këtë bisedë, pasi as Kryeministri, as djali i tij nuk janë të përfshirë në procesin e prokurimit të asnjë ministrie, përfshirë edhe Ministrinë e Mbrojtjes. Për sa i përket Afganistanit, Shqipëria është e vetëdijshme se lufta kundër ekstremizmit është një çështje përcaktuese në ditët tona. Duke njohur tiraninë gjatë regjimit komunist, ne jemi të vendosur për promovimin e lirisë dhe demokracisë në të gjithë botën. Forcat shqiptare sot janë të angazhuara në misionet paqeruajtëse në Afganistan. Ne jemi të gatshëm të dërgojmë më tepër trupa atje nëse është e nevojshme. Për sa i përket akuzave se municioni nuk ishte i koduar, praktikat standarde diktojnë që blerësi mban përgjegjësinë e plotë për testimin e cilësisë. Qeveria e Shqipërisë është tërësisht e angazhuar për transparencë. Përveç kësaj të gjithë dokumentet përkatës që lidhen me këtë çështje dhe të gjitha gjetjet nga hetimet do të bëhen publike. Ne jemi të bindur se kur të jetë bërë kjo, do të provohet se akuzat janë të pabaza".
Adrian Neritani
Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›