Oksidet malazeze ndotin liqenin
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Liqeni i Shkodrës, më i madhi në Ballkan është në prag katastrofe ekologjike. Kërcënimi tashmë nuk vjen nga Shqipëria, por nga shteti fqinjë i Malit të Zi. Alarmi jepet nga Diana Bejko, drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Mjedisit për Evropën Qendrore e Lindore (REC), me seli në Shkodër. “Rreziku vjen nga Mali i Zi, për shkak se sasi të madha mbetjesh alumini derdhen në liqen nga lumenjtë, që rrjedhin nga shteti më i vogël i Ballkanit. Lumi Moraça, i cili jo vetëm që është furnizuesi me prurjet më të mëdha në liqen, por ai kalon nëpërmes kryeqytetit të këtij shteti, Podgoricës e derdhet në liqenin e Shkodrës i ndotur me okside alumini, të konsideruara si tepër toksike. Kjo për shkak të pranisë së një uzine për shkrirjen dhe përpunimin e aluminit në perëndim të Podgoricës”. Alarmi kishte kohë që përflitej, madje edhe nga studiues të mjedisit nga vetë shteti fqinj i Malit të Zi, por këtë herë ai është më i fortë dhe pohohet nga vetë Bejko, e cila ka vite që merret me projekte të REC-ut, që në fokusin e saj ka ekosistemin e liqenit të Shkodrës. Ashtu siç kishin paralajmëruar specialistët vite më parë, fabrika e aluminit në kufi me Podgoricën në Mal të Zi nuk është më një kërcënim, por një “përbindësh”. Fabrika derdh mbetjet e aluminit dhe kobaltit në lumin Moraça, i cili i përcjell ato direkt e në liqen, duke e çuar këtë të fundit drejt një katastrofe ekologjike. “Kjo është me të vërtetë ndotje e rrezikshme, pasi presupozohet se ekzistenca e metaleve të rënda në ujin e liqenit dhe sidomos përmbajtja e aluminit, krahasuar me normat e lejuara nga BE-ja i kalon disa herë këto shifra. Po kështu dhe mbetjet e kobaltit janë përsëri mbi normat e cilësisë së ujërave për standardet evropiane” u shpreh drejtoresha Bejko, e cila i ka vënë në dijeni kolegët e saj për të marrë masa konkrete. Po kështu lumenjtë që furnizojnë liqenin e Shkodrës nga Mali i Zi, si Moraça dhe Cemi sjellin dhe ndotje urbane me vete. Në një kohë kur nga opinioni i ndryshëm përflitej se ekosistemi i liqenit të Shkodrës ndotet nga pjesa që i përkiste territorit të vendit tonë, tashmë sipas pohimit të Bejkos rezulton që janë fqinjët tanë, që mund të kenë impaktin e tyre më të madh negativ në drejtim të liqenit. Dhe jo thjesht ndotje të mbetjeve urbane, por atyre industriale, shumë herë më të rrezikshme.