Rregullorja e re e universitetit, 500 studentë bojkotojnë mësimin
VLORE - Rregullorja e re e vendosur nga senati i universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë ngre sërish në protesta studentët. Rreth 500 vetë bojkotuan dje mësimin, duke paralajmëruar se do ta përshkallëzojnë protestën, nëse nuk arrijnë një marrëveshje me drejtuesit e këtij universiteti. Një javë më parë ata bënë një tjetër protestë. Por kërkesat e tyre nuk gjetën zgjidhje, ndaj u detyruan të reagojnë sërish dje. Sipas tyre, miratimi i rregullores së re të këtij universiteti u shkel të drejtat. Ata kërkojnë të rivendoset një orar i favorshëm dhe të mos jenë të detyruar të shkojnë në auditorë paradite dhe pasdite. Gjithashtu, studentët kërkojnë të hiqet rregullorja, sipas së cilës janë të detyruar të jenë pjesëmarrës në leksione. Pika e rregullores që ka gjetur më shumë kundërshti ka të bëjë me mesataren, e cila duhet të jetë mbi 6 gjatë vitit, në mënyrë që ata të mos e humbnin atë, nëse mbeten në ndonjë provim në fundviti. Rektori Tanush Shaska reagoi dje nga Amerika për protestën e studentëve. Sipas tij, rektorati po shqyrton kërkesat, por ende nuk është konkluduar nëse do të ketë ose jo ndryshime. q.b