Ikën Uruçi, Meta fajëson Ramën
23/02/2009 Dorëhiqet kryetarja e degës së LSI-së në qytetin e Shkodrës. Akuzon drejtuesit e partisë
“Veprimi skenar i shëmtuar i lidershipit të PS-së. Po përdor njerëzit e kapur”
Dorëheqja e Esmeralda Uruçit nga posti i kryetares së degës së LSI-së në qytetin e Shkodrës ka rikthyer akuzat mes dy partive kryesore të opozitës për marrjen e anëtarësisë. Përmes një konference për shtyp Uruçi ka bërë të njohur largimin nga të gjitha funksionet partiake, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i LSI-së, që e ka cilësuar këtë veprim si një skenar të shëmtuar të iniciuar nga lidershipi socialist Edi Rama.
Deklarata e Uruçit
“LSI-ja mund të kthehet në një sipërmarrje private, ku sundon uni i kryetarit të partisë. Druhem shumë se forumet nuk do të pyeten për asgjë, ndërsa parimi "një anëtar, një votë" është kthyer që tani në një slogan sa për të kaluar lumin”, - deklaroi Uruçi gjatë një konference për shtyp, ku njëkohësisht njoftoi largimin e saj nga të gjitha funksionet partiake që ka mbajtur në LSI. Ajo shprehu bindjen se pa një bashkëpunim të ngushtë parazgjedhor është e pamundur të sigurohet fitorja e së majtës. Duke analizuar situatën brenda LSI-së, Uruçi u shpreh se listat e kandidatëve për deputetë janë produkt i kryesisë qendrore, në mos vetëm i kryetarit dhe për ta nuk i është marrë asnjë mendim askujt në bazën e partisë. “Njerëz pa lidhje me LSI-në po zënë vendet e para në listat e kandidatëve për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë. Në disa rrethe të vendit shumë intelektualë e punëtorë të palodhur të partisë janë zëvendësuar pa asnjë dhimbje. Në vend të tyre janë afruar njerëz të fuqishëm të biznesit, të cilët e njohin mirë vlerën dhe pushtetin e parasë”, - tha Uruçi.
Reagimi i LSI-së
"Ndiejmë neveri për këtë skenar të shëmtuar të Edi Ramës, që njerëz të blerë dhe të kapur nga korrupsioni i tij bashkiak po i përdor si pasojë e panikut që ka nga rritja dhe shpërthimi i LSI-së në gjithë Shqipërinë", - thuhet në një deklaratë të LSI-së. Sipas saj, LSI-ja është një forcë politike me mision shumë të rëndësishëm në jetën politike shqiptare, që përfaqëson interesat e të gjithë shkodranëve dhe të gjithë shqiptarëve dhe nuk mund të ngelet kurrsesi peng as LSI-së dhe as e ardhmja e shkodranëve nga interesa të dyshimta dhe pazaret e burrit të zonjës Uruçi. “E vërteta është se zonja Uruçi ka qenë e komanduar në degën e LSI-së në Shkodër dhe jo e zgjedhur sipas parimit ‘një anëtar, një votë’, siç pretendon ajo.
Me sa duket zonja Uruçi nuk e përballoi dot fluksin e madh të anëtarësimeve të reja, afrimit në LSI-në e Shkodrës të mjaft intelektualëve të mirënjohur në këtë qytet. Por LSI-ja tashmë po shkon e sigurt drejt objektivit të saj për të qenë forcë e parë politike”, - thuhet në deklaratë. Sipas saj, largime të tilla të dy apo tre njerëzve të kapur nga paratë e pista të betonizimit të Tiranës, apo nga paratë e p/buxhetit që Rama nuk pranon ta detajojë, nuk e frenojnë aspak rritjen e pandalshme të LSI-së jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë.
Precedenti
Dy ditë më parë nga Lëvizja Socialiste për Integrim u largua edhe drejtuesi i degës së kësaj partie në Urën Vajgurore Syrja Ormenaj, i cili njëkohësisht është edhe kryetar bashkie në këtë qytet. Në deklaratën e dorëheqjes Ormenaj paraqiti si shkak kryesor ofrimin në radhët e LSI-së të ish-ministrave të akuzuar për korrupsion. “Prej më shumë se një viti LSI-ja është kthyer në oborrin personal të Ilir Metës. LSI-ja po ofron gjithmonë e më shumë politikanë të së shkuarës, duke e kthyer partinë nga një forcë e re në një parti të politikës së vjetër”, - deklaroi Ormenaj. Më tej ai deklaroi bashkimin me Partinë Socialiste, duke e cilësuar këtë si një forcë që nuk i përket të shkuarës.