E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oligoelementet, miligramët që na mbrojnë qelizë pas qelize

Autori i Lajmit: red.
KROMI
Kromi ruan vlerat e kolesterolit
Eshtë një element i rëndësishëm për një metabolizim korrekt të sheqernave në organizëm. Kromi është një komponent esencial i tolerancës ndaj sheqernave. Një ndër funksionet e tij është aftësia e rritjes së efikasitetit të insulinës dhe ajo e rritjes së përdorimit të sheqerit nga organizmi duke ndihmuar në parandalimin e hipoglicemisë apo diabetit. Kromi së bashku me hekurin, kanë detyrën të trasportojnë proteinat në fluksin e gjakut dhe kanë një rol edhe në sintezën e proteinave nëpërmjet lidhjeve me molekulat e ARN (acidit ribonukleik).
Kromi është prezent sidomos tek majaja e birrës, tek mishi, tek djathi dhe tek cerealet. Fëmijët mbi 7 vjeç dhe të rriturit duhet të marrin nga 0,05-0,20 mg krom në ditë, ndërsa për më të vegjlit, sasitë e sugjeruara janë më të vogla. Mungesa e kromit gjeneron intolerancë ndaj glukozës, vlera të larta trigliceridesh dhe të kolesterolit.

JODI
Dozat e duhura të jodit normalizojnë metabolizmin
Eshtë prezent sidomos tek hormonet e tiroides, funksioni kryesor i jodit është i lidhur me aktivitetin e këtyre hormoneve, të cilat janë përgjegjës të disa funksioneve metabolike ndër të cilat rritja trupore.
Jodi është prezent sidomos tek peshku, por gjendet edhe tek qumështi dhe tek vezët. Prezenca e tij tek frutat apo zarzavatet varet nga terreni i kultivimit. Doza ditore e këshilluar (RDA) është rreth 0,15 mg për të dy sekset, ndërsa gjatë shtatzënisë apo dhënies së gjirit, rritet. Një mangësi e jodit mund të shkaktojë strumën (gushën), ose ndryshe rritjen e gjendrës së tiroides.

MOLIBDENI
Mungesa e Molibdenit çrregullon frymëmarrjen dhe pulsin
Eshtë prezent sidomos në qelizat e mëlçisë dhe favorizon metabolizmin e sheqernave dhe të yndyrnave, ka dhe një rol në metabolizmin e hekurit. Siguron një funksionim normal qelizor, por ka dhe veti antioksiduese. Burimet më kryesore të tij janë qumështi dhe derivatet e tij, legumet, cerealet dhe zarzavatet me gjethe jeshile të errët si dhe mëlçia e vicit.
Dozat e rekomanduara shkojnë nga 0,05-0,1 mg/ ditë.
Rrallë mund të ketë mangësi në organizëm të molibdenit i cili mund të zhvillohet si pasojë e akumulimit të solfiteve, një substancë toksike për sistemin nervor që përdoret rëndom si konservant ushqimor apo i ilaçeve. Ndër simptomat e mungesës supozohen: rritje e frekuencës kardiake, cefalea, frymëmarrje e përshpejtuar, irritabilitet si dhe alterime .

SELENI
Më tepër selen mbron lëkurën dhe shikimin
Në bashkëveprim me vitaminën E, Seleni vepron si antioksidant që bllokon formimin e radikaleve të lira. Seleni kontribuon në mbrojtjen e sistemit kardiovaskolar, në rritjen anormale të qelizave si dhe në prodhimin e antikorpeve dhe në forcimin e mbrojtjes imunitare. Selenin e gjejmë tek cerealet, djathrat, mishi, peshku, dhe frutat e detit. Mund ta gjejmë edhe tek frutat dhe zarzavatet sipas nivelit të selenit në terrenet e kultivimit.
Dozat e këshilluara janë: 55mcg/dite, ndërsa për fëmijët në rritje ato janë vetëm: 0,2 mcg/ditë. Në periudhën e dhënies së qumështit nga nëna rekomandohet një dozë ditore rreth 15mcg në ditë.
Mungesa e këtij minerali mund të vijë nga gatimi i ushqimeve që determinon lindjen e problemeve të lidhura me plakjen si: sëmundje kardiovaskolare, ulje e rezistencës ndaj infeksioneve, sëmundje të lëkurës si dhe probleme të shikimit.

HEKURI
Marrja e paktë e hekurit nuk të mbron nga infeksionet
Hekuri është përgjegjës i transportit të oksigjenit në indet dhe merr pjesë në punën e shumë sistemeve të rëndësishme enzimatike. Doza ditore e rekomanduar e hekurit varion sipas rasteve dhe sipas moshës: ajo në fakt rritet gjatë menstruacioneve, hemorragjive si dhe peridhave të rritjes së shpejtë trupore si dhe sa herë kemi humbje gjaku. Në përgjithësi rekomandohet marrja e 12 mg në ditë për gratë nga 11-50 vjeç. Mamatë shtatzëna kanë një nevojë ditore rreth 30 mg në ditë, ndërsa gratë me fëmijë në gji, rreth 15 mg /ditë.
meshkujt nga 11-18 vjeç kanë një nevoje ditore për rreth 12 mg, ndërsa nga 19 vjeç e sipër 10 mg/ ditë.
Fëmijët nga 6 muajsh - 10 vjeç duhet të marrin rreth 9 mg në ditë, ndërsa të porsalindurit deri në 6 muajsh 7 mg në ditë. Manifestimi më i rëndësishëm i mungesës së hekurit është anemia e karakterizuar nga zverdhja dhe astenia. Marrja e paktë e hekurit gjatë ditës është lidhur edhe me një predispozicion ndaj sëmundjeve infektive.

MAGNEZI
Pak magnez dobëson funksionet e organizmit
Element esencial për mirëfunksionimin e rreth 350 enzimave, magnezi luan një rol të rëndësishëm në shumë procese metabolike si glikolizi (transformismi i glukozit në energji), por edhe tek sinteza e acideve yndyrore, e proteinave dhe e acideve nukleike. Magnezi merr pjesë në transmetimin e impulseve nervore, dhe në mineralizimin dhe zhvillimin e skeletit.
Përqendrimi më i madh i magnezit gjendet tek legumet, cerealet, tek frutat e thata dhe tek zarzavatet me gjethe jeshile. Tek frutat gjendet në sasi të vogël, ndërsa tek mishrat, tek peshku dhe tek qumështi gjendet në sasi të papërfillshme. Doza ditore e rekomanduar për të rriturit meshkuj është 350mg/ditë, ndërsa për gratë 280 mg/ditë. Implikimi në reaksione të ndryshme enzimatike bën që mungesa e tij t i interesojë organizmit në shumë reparte ndërsa, shqetësimet të jenë të ndryshme (irritabilitet i tepruar, lodhje kronike, gjendje ankthi, dobësi muskulare, probleme me zemrën si dhe probleme me funksionin e intestinit.

KALIUMI
Defiçifi në kalium sjell probleme zemre e muskulature
Kaliumi luan një rol fondamental për organizmin dhe ndërhyn në pjesën më të madhe të funksioneve vitale. Ai rregullon përmbajtjen ujore të qelizave dhe kontrollon presionin ozmotik në to. Luan rol të rëndësishëm në sintezën e proteinave dhe në konvertimin e sheqernave në glikogjen, aktivizon enzima të shumta të lidhura me metabolizimin energjitik dhe është i implikuar në transmisionin e impulseve nervore, në kotrollin e kontracioneve muskulare dhe në presionin arterioz të gjakut. Burimet ushqimore që përmbajnë më shumë kalium janë: ushqimet e freskëta si frutat dhe zarzavatet si dhe mishi i freskët.
Doza ditore e rekomanduar është 3000 mg në ditë si për të rriturit ashtu dhe për fëmijët nga 10-18 vjeç. Për moshat më të vogla nga 1-2 vjeç doza është: 1000 mg ditë kurse nga 6-9 vjeç doza është 1600mg/ ditë.
Mungesa e kaliumit sjell probleme kardiake, debulesë, ulje e tonit muskular, krampi ose ngërçe, lodhje, kapsllëk, dehidratim qelizor, edema.

ZINKU
Sasitë e pakta të zinkut vonojnë shërimin e plagëve
Zinku është prezent në të gjitha indet, ai është element përbërës i mbi 200 enzimave prandaj ndërhyn në shumë procese si metabolizmi i proteinave, i acideve nukleike dhe i sheqernave. Zinku është i domosdoshëm në përthithjen e vitaminave, ai redukton si antioksidant formimin e radikaleve të lira, stimulon sistemin imunitar, mirëfunksionimin e gjendrave sebace (të yndyrës) të lëkurës dhe është i rëndësishëm në cikatrizimin e djegjeve apo plagëve.
Burimet kryesore të zinkut tek dieta ushqimore janë: mishi i viçit, qengjit, cerealet, maja e birrës, veza, etj. Doza ditore e rekomanduar për të rriturit është 10 mg/ditë. Fëmijët 1-10 vjeç 4-7 mg/ ditë.
Mungesa e zinkut në organizëm mund të sjellë: vonesë në rritje, lodhje, probleme me lëkurën, vonim në cikatrizimin e plagëve, ulje apo vonim në përgjigjen imunitare të organizmit, ulje e imunitetit nga infeksionet.

FOSFORI
Mangësitë në fosfor sjellin lodhje mendore e nervozizëm
Element strukturor i dhëmbëve, kockave dhe qelizave, fosfori është një element që përfaqëson më shumë se 1% të peshës së trupit të njeriut. Ai është i domosdoshëm në proceset e ndryshme të prodhimit të energjisë (metabolimin e yndyrnave, karbohidrateve dhe proteinave) stimulon kontraksionet muskulare. Fosfori është gjithashtu i dobishëm në komunikimin ndërqelizor, siguron funksionimin renal dhe transmisionin e impulseve nervore. Burimet ushqimore janë cerealet, zarzavatet, qumështi, mishrat, peshku dhe legumet. Mbi 25 vjeç doza e rekomanduar është 300 mg në ditë nga 6 muaj- 1 vjeç doza është 600 mg/ditë. 1-10 vjeç është 800 mg në ditë, 11-24 vjeç doza është 1200 mg në ditë. Mungesa e fosforit në organizëm është e rrallë pasi ky element është i pranishëm në shumë ushqime. Mungesa e tij mund të sjellë vështirësi në rritje, probleme me kockat si osteoporozë, probleme me transmisionin nervor, lodhje mentale dhe fizike.

MANGANI
Mungesa e manganit favorizon diabetin
Mangani është aktivizues i shumë enzimave dhe merr pjesë në metabolizmin e proteinave dhe sheqernave. Eshtë i rëndësishëm për zhvillimin normal të kockave dhe favorizon eficencën muskulare. Ai gjendet në sasi diskrete te cerealet, tek frutat e thata, tek zarzavatet me gjethe jeshile dhe tek çaji jeshil. Marrja ditore me ushqimin e manganit mund të variojë nga 2-5 mg tek të rriturit, ndërsa tek fëmijët: 1.5 mg nga 1-3 vjeç dhe 2.5 mg për fëmijë nga 7-10 vjeç. Një mungesë manganezi mund të influencojë tolerancen ndaj glukozit, që manifestohet me pamundësinë për të eleminuar sheqerin e tepërt në gjak (shkak potencial i diabetit).

BAKRI
Mu gesa e bakrit shkakton debulesë dhe dobësi kocke
Bakri është shumë i rëndësishëm në metabolizmin e hemoglobinës, në prodhimin e indit lidhës dhe në metabolizmin e proteinave. Ka ndër të tjera aftësi antioksidante dhe merr pjesë në proceset e pigmentimit dhe keratinizimit të flokëve dhe lëkurës.
Burimet ushqimore me disponibilitet më të madh të bakrit janë mishi (në veçanti mëlçia), legumet (soja mbi të gjitha), cerealet integrale, zarzavatet dhe pjesa më e madhe e frutave të detit. Nevoja ditore për bakrin nga 1-10 vjeç është 03-08 mg/ ditë, ndërsa për më të mëdhenjtë është 1,2 mg në ditë. Simptomat nga mungesa e bakrit janë të rralla, megjithatë, ato përfshijnë: anemi, debulesë e përgjithshme, osteoporozë, demineralizim të kockës, leukopeni (mungesë të rruazave të bardha), predispozicion ndaj infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes, alterim në zhvillimin e kolagjenit apo të pigmentimit të flokëve apo lëkurës.

Ky lajm është publikuar: 25/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›