Një traditë që duhet prishur
Gjatë festave fetare, politikanët shqiptarë vizitojnë qendrat e komuniteteve fetare dhe prej andej përcjellin mesazhe politike. Mediat vërshojnë pas tyre për dy arsye: një, janë mësuar që lajmet e tyre të kenë në qendër politikanët dhe, dy, ditët e festave është vështirë (kur truri profesional nuk punon në rregull dhe te ne nuk punon shpesh), për lajme të tjera.
Kjo është një traditë që duhet prishur. Sjellja e tyre, një shtrëngim duarsh me krerët e komuniteteve fetare dhe një deklaratë para kamerave, nuk është sjellja që iu shkon për shtat festave fetare. Në këto ditë të shënuara për njerëzit është në qendër të vëmendjes Zoti dhe jo politikanët.
Nëse politikanët vërtet duan t’u përcjellin mesazhe të sinqerta qytetarëve të thjeshtë, në këto ditë të shënuara, ata duhet të sillen si qytetarët e thjeshtë, të marrin pjesë në mesha, në festat katolike dhe ortodokse, ose të marrin pjesë në falje (namaz), në festat myslimane. Aq më mirë sikur të shkonin në meshë çdo të diel e në falje çdo të diel; secili sipas besimit të vet.
Qenia e tyre ateistë nuk do të përbëjë problem për askënd, mjaft që ata vetë të ndihen rehat në kësi mjedisesh.
Ja ç’shkruan Michael Novak në esenë “Feja dhe themelimi i Amerikës: shembuj nga influenca e fesë” për presidentin amerikan të njohur si ateist, Thomas Jefferson (1743 –1826):
“Presidenti Jefferson po shkonte një mëngjes të diele në kishë, me librin e trashë e të kuq të lutjeve nën sqetull, teksa një mik, pasi shkëmbyen përshëndetjen e mëngjesit, e pyeti se ku po shkonte. Presidenti iu përgjigj se po shkonte në kishë. “T’i po shkon në kishë, zoti Jefferson? Ti nuk beson asnjë fjalë nga ai libër”. “Zotëri, - iu drejtua Jeffersoni, - asnjë nga shtetet që kanë ekzistuar ose ekziston nuk është qeverisur kurrë pa besim.”
Vëreni fjalët e Jefferson-it. Ai nuk tha që besonte në zotin kristian; ai e shmangu atë pikë. Por Jefferson-i binte dakord me të gjithë kolegët e tij themelues të mendimit amerikan, që një popull nuk mund ta ruajë lirinë pa besim.”