E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërndahen thirrje: “Firmosni peticionin për shkarkimin e Vasil Bollanos”

Autori i Lajmit: red.
Lufta politike dhe imazhi që i ka dhënë Himarës kryebashkiaku Vasil Bollano ka sjellë reagimet e para në këtë zonë kundër drejtuesit të tyre. Dhe për të treguar qëndrimin e tyre kundër kërkesave të kreut të bashkisë së Himarët në këtë qytet është shpërndarë një fletëthirrje ku kërkohet largimi i tij. Megjithëse “trakti” është shpërndarë prej pak ditësh në Himarë dhe mbeten ende mister personat që e kanë shkruar dhe shpërndarë, banorët e kësaj zone nuk janë kundër kërkesës së autorëve të fletushkës. Reagimet e politikës në Tiranë dhe të banorëve të Himarës kanë ardhur pas publikimit të një dokumenti zyrtar ku kryebashkiaku Bollano kërkonte autonomi për një pjesë të madhe të jugut të Shqipërisë.
Fletëthirrja
Mëngjesin e së shtunës, persona dhe subjekte të paidentifikuar kanë shpërndarë në qytetin e Gjirokastrës një thirrje në të cilën u kërkohet qytetarëve që të firmosin peticionin për shkarkimin e kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano. Mësohet se thirrja e shtypur në një fletë të bardhë, me gërma të zeza, në format A4, ishte vendosur dhe ngjitur në godinat dhe sheshet publike, madje edhe në vendet ku ngjiten lajmërimet dhe shpalljet e vdekjeve. Në letër thuhet “Eja, o vëlla … Eja, o motër … Eja, o at ….. Eja, o nënë …”, - niste thirrja drejtuar qytetarëve të Gjirokastrës. “Eja, o shqiptar kudo ndodhesh, eja mblidhuni për të kundërshtuar ofendimin, përbuzjen, poshtërimin nga ata që shesin edhe shpirtin për t u bërë shërbëtor i djallit …”,- vijonte thirrja e ngjitur në sheshet dhe rrugët publike të qytetit”. “Ejani, për Himarën, ejani për Shqipërinë, për nderin, për krenarinë tonë, për atë që e kemi mbrojtur me gjak ndër shekuj, me atë gjak që është dhe mbetet KUQ E ZI”, thuhej në thirrje. ”Eja për të mos e lënë Himarën të bëhet blu…Eja të reagojmë kundër atyre që i dhamë respektin, mikpritjen shqiptare dhe tani na ofendojnë në vatrat tona …O shqiptar po si mund të durosh, kur të thonë që gjaku yt është bardhë e blu, të të poshtërojnë, në shtëpinë tënde, në sy të botës, ti që ke dhënë jetën, shpirtin për këto troje, nipër të atyre heronjve që u dogjën, u përvëluan, u vranë, u martirizuan për ty…”,- shkruhej mes të tjerash në këtë thirrje. “Unë, - vijon kjo thirrje, - sot guxoj të them: Mjaft më ! Mjaft më poshtërimit, mjaft më greqizimit, o sot o kurrë për shqiptari, për Himarën kuqezi”. Në fund letra fton qytetarët: “Firmosni peticionin për shkarkimin e Vasil Bollanos, për vrasësin e Himarës, vrasësin e shqiptarisë. Eja, eja dhe ti”.
Kërkesat
Në qarkun e Gjirokastrës nëpërmjet tubimeve dhe thirrjeve të ndryshme kërkohet shkarkimi i kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano. Burime nga policia e Gjirokastrës bëjnë të ditur se në protestën nacionaliste të 2 qershorit 2008, të zhvilluar në fshatin Toç të rrethit të Tepelenës, nëpërmjet thirrjeve të tyre pjesëmarrësit në të e etiketonin Vasil Bollanon si antishqiptar me tendencat e tij për pavarësinë e Vorioepirit. "Shqipëria ështe e shqiptarëve", "Shqipëria nuk është Greqi", kanë qenë dy parullat kryesore që kanë hedhur tubuesit. Gjatë kontaktit me drejtuesit e rendit, pjesëmarrësit në protestën e Toçit kërkuan njëzëri që kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Bamir Topi, të merrnin masa administrative për shkarkimin e Bollanos si kryebashkiak i Himarës. Gjithashtu, grupi i banorëve bëri thirrje për ndjekje penale ndaj tij, për thirrjet e antishqiptare. Protestuesit nuk kanë harruar që indinjatën e tyre për veprimet e kryebashkiakut të Himarës t i shprehin edhe me anë të flamujve shqiptarë që mbanin në duar. Përgjatë gjithë tubimit, ata i kanë valëvitur flamujt kuqezi dhe një pjesë i ka hedhur mbi supe, për të treguar se ndiheshin shqiptarë.

Hetimet për Bollanon
Shkak për hetimin e Bollanos janë bërë ankesat e disa banorëve të zonës, të cilët kanë njoftuar Prokurorinë për dëmin e shkaktuar me heqjen e tabelave orientuese në aksin Qeparo-Qafë Llogora. Pas verifikimeve në terren, ka rezultuar se policia bashkiake e Himarës i ka hequr ato me urdhër të kryetarit Vasil Bollano. Kështu, heqja e tyre për organin e akuzës përbën shkelje ligjore, e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 21 milionë lekësh, për të cilin Bollano duhet të japë llogari para Gjykatës së Vlorës. Sipas burimeve nga kjo gjykatë, rezulton se i pandehuri Bollano është marrë në pyetje në lidhje me këto shkelje, duke mbajtur qëndrim pohues, me pretendimin se në tabelat dhe sinjalistikën e rrugëve, përveç gjuhës shqipe, duhet të shkruhen edhe në greqisht, pasi sipas pretendimeve të tij, kjo zonë është e banuar nga minoritarë grekë.

Ky lajm është publikuar: 25/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›