Hajde flasim për komunistët
Pas një debati trevjeçar, të hënën, Kuvendi i Shqipërisë miratoi të ashtuquajturin Ligj të Hapjes së Dosjeve të Spiunëve. Këtë informacion e mora në mbrëmje, në lajmet e TV “Klan”. Ligji u kritikua nga shumëkush në Shqipëri, se po përcillet me fjalë të bukura, por me qëllim të keq - eliminimin apo shantazhimin e kundërshtarëve të Berishës. Sido që të jetë, mirë që ky ligj është miratuar. Mirë, ngase dikush do ta zbatojë atë për një qëllim të mirë. Me këtë, Shqipëria përmbushi edhe një detyrim si secili shtet euro-lindor që ka ndaj Evropës.
Po të njëjtën mbrëmje, duke u hallakatur nëpër programe televizive, e zura fillimin e një emisioni në Radio Televizionin e Kosovës kushtuar ish-gazetarit, shkrimtarit dhe përfaqësuesit të ish-Jugosllavisë në cilësi të Ambasadorit në disa vende të Amerikës Latine dhe Spanjë, Rexhai Surroit.
Në koincidencë me Ligjin e Dosjeve në Shqipëri, dokumentari glorifikues për protagonistin e saj të ndjerë, shkund një periudhë kohore me të cilën këndej as që ka pasur kohë të merret dikush, ndërsa në Shqipëri disi po i vonohet një kapak.
Për dallim prej vendeve të tjera të bllokut komunist, në të cilat pas kolapsit të sistemit filloi edhe ballafaqimi më të kaluarën e afërt, në Kosovë zëvendësimi i komunizmit jugosllav me një model të fashizmit serb, nuk kishte lënë kohë e as hapësirë të mendohet për disa nga përgjigjet në shumë pyetje që shtroheshin në vendet e lindjes.
A duhet hakmarrë ndaj ish-pushtetarëve? A duhet të ketë secili qasje të papenguar në dosjet sekrete? A duhen pastruar të gjitha postet publike nga nomenklatura e kaluar, apo të përmbyllet në heshtje një periudhe gjysmëshekullore pa asnjë debat? Janë dilema që në Kosovë nuk janë shtruar kurrë. Për këtë komunistët dhe bashkëpunëtorët e Shërbimit Sekret Jugosllav nga ish-krahina e Kosovës ishin më me fat prej gjithë homologëve të vendeve tjera ish-komuniste.
Kurrë, askush nuk u mor me ta!
Është e vërtetë se procesi i lustracionit apo purifikimi i shoqërisë përmes diskualifikimit masovik të atyre që ishin përfshirë në abuzimin e shtetasve në regjimet e mëparshme në Kosovë është shumë më kompleks se në secilin vend postkomunist. Kompleks, ngase këtu për dallim prej vendeve të tjera komuniste, kemi dy kategori, të cilave ndonjëherë do të duhej t’u zbardhej veprimtaria. Kemi shërbyesit e komunizmit jugosllav dhe bashkëpunëtorët e regjimit të Millosheviçit.
Sidoqoftë, ky kompleksitet nuk duhet të jetë pengesë që edhe ne të kalojmë nëpër ingranazhet e purifikimit.
Duke sqaruar përvojën gjermane të lustracionit, ditë më parë drejtoresha e Zyrës për Qasje në Arkiva të Fshehta pranë kancelares gjermane, Angela Merkel, tha se ‘qoftë i rrezikshëm apo jo, ky proces duhet të kryhet, ashtu siç duhet të kryhet një operim shëndetësor që i imponohet njeriut’.
Prandaj, as për ne nuk është vonë që të imponohet ky proces. Nëse në Poloni, edhe pas 18 vjet të përmbysjes së komunizmit, kapitulli i dosjeve është aktual, duke prekur edhe në dosjen e liderit legjendar antikomunist Leh Valencës, pse në Kosovë të mos ketë hulumtim të dosjeve – edhe pse ato ndodhen në Serbi. Secili duhet të ballafaqohet me rolin që kishte gjatë kohës së komunizmit, duke i shtuar kësaj, në Kosovë, edhe periudhën e Millosheviçit.
Kjo nuk duhet shikuar si një proces as për penalizëm e as linçim të askujt. Thjesht, ajo kastë njerëzish që i kanë shërbyer regjimeve të mëparshme duhet të largohet nga të gjitha postet drejtuese. Justifikimet e llojit se është zbatuar vetëm ligji dhe Kushtetuta e asaj kohe, siç kishte bërë një prokuror në një debat televiziv, janë banale. Njësoj mund të arsyetohet edhe një roje në Auschwizt, edhe pse krahasimi është tejet brutal.
Ne mund të kopjojmë ligjin e Shqipërisë, i cila është kopjuar nga ligji i Çekisë për Dosjet e Spiunëve. Pas miratimit të ligjit, Çekia kishte krijuar listat me të gjithë ata që ishin involvuar në punët e ndyra të regjimit komunist.
Për këtë, gjithë ish-drejtuesve komunistë në poste të larta në Çeki - shërbime civile, gjyqësi, shërbimit sekret, posteve në armatë, posteve menaxheriale në kompanitë shtetërore, bankës qendrore, hekurudhës, pozitat e larta akademike, dhe postet menaxheriale në media elektronike - u ndalohet bartja e posteve publike në Çekinë postkomuniste!
Si do të dukej Kosova me një ligj të tillë?
Sigurisht që me një ligj të tillë nuk do të ishte e mundur që drejtues i Gjykatës Supreme të ishte Rexhep Haxhimusa. As kryeprokuror i vendit nuk do të mund të ishte Hilmi Zhitija. As Azem Vllasi nuk do të kishte mundësi që sërish të jetë këshilltar i kryeministrit të vendit, siç kishte qenë në qeverinë e Bajram Kosumit (ky i fundit, i burgosur, kur Vllasi ishte në maja të pushtetit!). Me një ligj të tillë edhe Radiotelevizioni i Kosovës nuk do të kishte për drejtor Agim Zatriqin. Edhe në Policinë e Kosovës shumëkush do të mbetej jashtë saj, përfshirë edhe drejtorin e sapozgjedhur Sheremet Ahmetin. Këta mund të jenë vetëm disa prej shembujve që më shkojnë nëpër mend, pa përmendur këtu gjithë ata nëpunës tjerë të shpërndarë nëpër institucione të ndryshme. Kërkoj ndjesë për të gjithë ata që nuk mund t’i përmend me emra!
Një ligj sipas modelit çek, do të ishte mburojë për qytetarin që të mos mbes përjetësisht i manipuluar për figurat e historisë dhe politikës, qoftë për të mirë ose për të keq.
Prandaj, nuk dua të paragjykoj për cilësitë njerëzore të Rexhai Surroit, ngase nuk di për të asgjë më shumë sesa ajo që është thënë e shkruar publikisht. Por, fjalët në superlativ, deri në krahasimin që i bëri një mocanik i tij, se vdekja aksidentale e Surroit ishte e nivelit të vrasjes që UDB kishte organizuar kundër Jusuf Gërvallës, më la një shije të hidhur të përpjekjes së retushimit të historisë. Jo përpjekje për lustracion, por për lustër të historisë.
A do të ishte e mundur në Çeki një dokumentar në Televizionin Publik për një ish-ambasador të Republikës Komuniste të Çekosllovakisë? Rasti i muajve të fundit me shkrimtarin Milan Kundera, e ilustron më së miri ndjeshmërinë që ka opinioni çek ndaj të kaluarës së dhimbshme komuniste.
Dekomunistizimi dhe deudbizimi patjetër që edhe te ne një ditë do të aktualizohet. Jo me dëshirën tonë, por do të jemi të detyruar, ngase është njëra nga pritjet e Këshillit të Evropës për vendet e reja që duan të anëtarësohen në BE.
Edhe pse komunistët nuk dorëzohen!