E Diel, 1 Nëntor 2026

Akt solidariteti me gazetën “TemA”

Nga Tema

Dega e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Prefekturën e Shkodrës

Për Bordin e Degës,

Kryetari, Arben Lagreta dhe 2 anëtarët, Prelë Milani dhe Rifat Ymeri

Dega e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Prefekturën e Shkodrës është solidarizuar me deklaratën e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në lidhje me raportet e fundit shqetësuese ndërmjet qeverisë dhe grupit mediatik të gazetës “TemA”. Po kështu, kjo Degë është solidarizuar edhe me nënshkrimin e Aktit të Solidaritetit me kolegët e gazetës “TemA”.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon me shqetësim ndaj situatës së fundit të krijuar në raportet mes qeverisë së zotit Berisha dhe institucionit mediatik “TemA”. Urdhri administrativ i qeverisë për ta përzënë prej mjediseve aktuale redaksinë e gazetës së përditshme “TemA”, duke prishur rregullat, aktet kontraktore mes palëve, rrezikon veprimtarinë normale të stafit të kësaj gazete dhe krijon pasiguri dhe mundësi të ekzistencës së mëtejshme financiare të këtij institucioni të shtypit të shkruar privat. Kjo përplasje e qeverisë me një ndër gazetat më kritike të saj në ditët e sotme, flet qartë për një presion të hapur, jo vetëm mbi botuesin e kësaj gazete, për të cilin si punëdhënës Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka kritikat e veta, por njëherësh mbi gazetarët dhe redaksinë e kësaj gazete në tërësi, një pjesë e të cilëve janë anëtarë të Unionit të Gazetarëve. Për ta ndalur presionin dhe aktin ndëshkues të qeverisë mbi këtë gazetë dhe për të mos i shtuar marrëdhënies së qeverisë me mediat një precedent që rëndon imazhin e marrëdhënieve institucionale. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë nismon nënshkrimin e Aktit të Solidaritetit me kolegët e gazetës “TemA”, - thuhet ndërmjet të tjerash në deklaratën e hartuar në emër të këtij Unioni nga kryetari i tij, Aleksandër Çipa.

Ndërkohë, duke shpjeguar në vijim pikat kryesore të këtij Akti drejtuar kryeministrit të vendit, Sali Berisha, deklarata sqaron:

“Përmes këtij akti ne i kërkojmë së pari, kryeministrit të vendit, zotit Sali Berisha:

- Anulimin e urdhrave për nxjerrjen e redaksisë së gazetës “TemA” nga mjedisi aktual ku është vendosur pas një investimi të realizuar me kohë, mbi bazën e një marrëveshjeje të rregullt dhe të ngjashme me të tilla, të realizuar mes palëve kontraktore në mjedisin si pronë publike, ku janë vendosur edhe subjekte të tjera

- Ndalimin e çdo akti presioni dhe kërcënimi administrativ dhe jo vetëm administrativ, mbi gazetarin dhe analistin e njohur Mero Baze.

- Mbylljen e kësaj histori të re e konflikti ndërmjet qeverisë dhe mediave kritike, si një nevojë për rritje të treguesit të lirisë së mediave dhe të fjalës së lirë në vend.”

Ndërsa në mbyllje të kësaj deklarate, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë fton organizatat dhe shoqatat e gazetarëve të vendit, si dhe gjithë gazetarët e vendit, ta nënshkruajnë këtë Akt Solidariteti në emër të kauzës për një media të fuqishme me integritet dhe autoritet publik dhe në shërbim të standardit të lirisë së fjalës dhe së drejtës për informim.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Dega Rajonale Korçë

Kryetari

Juliana Dhimitri

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega Korçë, i bashkohet Aktit të Solidaritetit me kolegët e gazetës “TemA”. Komuniteti i gazetarëve të rajonit të Korçës reagon në mbështetje të kolegëve, nisur nga precedenti që cenon lirinë e medias, duke u bërë pjesë e pandarë e një procesi të nisur për t’i dhënë fund presioneve të pushtetit ndaj medias dhe gazetarëve, ndaj fjalës së lirë dhe të drejtës për informim publik. Marrë shkas nga Urdhri Administrativ i qeverisë për ta përzënë prej mjediseve aktuale redaksinë e gazetës së përditshme “TemA”, duke prishur rregullat dhe aktet kontraktore mes palëve, duke rrezikuar veprimtarinë normale të stafit të kësaj gazete, shprehim përkrahjen e të gjithë përfaqësuesve të medias lokale dhe qendrore, të shkruar dhe vizive, ndaj kolegëve të gazetës “TemA”.

Ky akt solidariteti vjen si një apel ndaj qeverisë dhe kryeministrit, z. Sali Berisha, për ta ndalur presionin dhe aktin ndëshkues mbi këtë gazetë dhe t’i japë fund konflikteve të hapura me median.

Përmes këtij akti Unioni i Gazetareve Shqiptarë, dega Korçë i kërkon kryeministrit të vendit, zotit Sali Berisha:

Anulimin e urdhrave për nxjerrjen e redaksisë së gazetës “TemA” nga mjedisi aktual ku është vendosur pas një investimi të realizuar me kohë, mbi bazën e një marrëveshjeje të rregullt dhe të ngjashme me të tilla, të realizuar mes palëve kontraktore në mjedisin si pronë publike, ku janë vendosur edhe subjekte të tjera.

Të ndalet çdo akt presioni dhe kërcënimi administrativ dhe jo vetëm administrativ mbi gazetarin e njohur Mero Baze.

Të mbyllet kjo histori e re e konflikti mes qeverisë dhe mediave kritike, si një nevojë për rritje të treguesit të lirisë së mediave dhe të fjalës së lirë në vend.

Unioni i Gazetarëve të Qarkut të Elbasanit

Kryetar

Besim Dybeli

Shprehim solidaritetin tonë ndaj kësaj ngjarjeje, duke shpresuar se të gjithë bashkë do të jemi me solidë në profesion dhe në shërbim të fjalës sonë të lirë. Gjithçka të ndodhur ne e përjetojmë sikur të na kishte ngjarë ne, ndaj dhe protesta jonë u drejtohet të gjitha instancave shtetërore e personave publikë e politikë, të cilëve nuk po u çrrënjosim dot metamorfozën ndaj qëndrimeve të mediave të pavarura, të shkruara e vizive.

Gazeta “Tomori”

Botuesi, Zylyftar Plaku

Berat

Përshëndetje!

Gazeta “Tomori” dhe stafi i saj janë në mbështetje të Unionit të Gazetarëve dhe të gazetës “TemA”. Një kundërpërgjigje e tillë ndaj dhunës së qeverisë së kryesuar nga z. Berisha për gazetën “TemA” është shenjë e keqe, që tregon se më pas radhën e ka dikush tjetër nga ne.

“Lajmëtari i Furtunës”

toutou9000@hotmail.com

Z. Baze,

Ndjek me vëmendje proceset politike, ekonomike, sociale e kulturore në Shqipëri. Jam në dijeni dhe ndjek rregullisht intervistat, analizat dhe artikujt tuaj lidhur me problemet shqetësuese që kalon Shqipëria dhe bashkë me të, dhe acarimin dypolar, Berisha-Baze.

Për mua që qëndroj larg politikës, debatit, ballafaqimit dhe interesit personal, analiza që i bëj periudhës 17-vjeçare të pluralizmit dhe zhvillimit të proceseve demokratike në Shqipëri, bën që të konstatoj jo me kënaqësi situata paralele të ngjashme me ato që çuan në ngjarjet tragjike të ‘97. Edhe në atë periudhë numri 1 i shtetit, me veprimet e tij karakteristike të një paranojaku, irritoi popullin deri në atë shkallë, sa për të zbrazur mllefin e padrejtësive të akumuluara që arritën kulmin me vjedhjen e parave të firmave piramidale nga politikanë, të cilët celebruan korrupsionin me shtetin, veprim ky që dëmtoi rëndë proceset demokratike dhe imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, u ngritën në revoltë popullore të dhunshme që u amplifikua dhe u përdor nga e majta për marrjen e pushtetit. Kjo situatë precipitoi dëmin më të madh për shqiptarët, ku ka pjesën e saj të barabartë dhe opozita e atëhershme, e cila pas ‘97 doli në krye, me një bilanc gati të balancuar në kapjen e pushtetit ekonomik midis PD dhe PS. Kjo lojë politike që zhvillohej me ule-ngritje të kurbës së përfitimit politiko-ekonomik, herë në njërin krah e herë nga krahu tjetër, kamuflohej dhe vazhdon me taktikën e sulmeve të ndërsjella kundër njeri-tjetrit deri në “çmenduri”, duke i deklaruar kundërshtareve jo vetëm abuzimin dhe korrupsionin, por edhe burgun, deri dhe deklarimin e vrasjes në seanca parlamentare. Nisur nga kjo situatë, më lind pyetja: Çfarë synohet dhe programohet të arrihet? Pse kemi frikë të ngremë pyetjen: Pse SHBA dhe BE, njëlloj si dhe para tragjedisë të ‘97, qëndrojnë në rolin e spektatorit kritik objektiv, pa kundërmarrë veprime konkrete kundër shkeljeve abuzive, antiligjore të pashembullta si në asnjë demokraci tjetër, të bëra nga një pushtetar paranojak unitar i pashërueshëm? A mos vallë duhet pritur që ky person të bëhet një Sllobodan apo Sadam që SHBA, BE dhe NATO të ndërhyjë për të rivendosur demokracinë e nëpërkëmbur nga ky harbut?

Detyrohem ta përsëris se kambana e alarmit po bie për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe pikërisht është i njëjti individ paranojak i pandreqshëm që si më 1997, po parapërgatit terrenin për një tragjedi të re, ndoshta me pasoja më të rënda se e para.

Jeni vetëm ju gazetaret që ashtu si deri më sot jeni rreshtuar në vijën e parë të frontit kundër uzurpimit të legjislativit, ekzekutivit, prokurorisë dhe gjyqësorit, duhet që të shumëfishoni forcat duke mbështetur fuqishëm njëri-tjetrin dhe duke sensibilizuar akoma më me forcë opinionin gjysmë të zgjuar, por edhe për të kërkuar me këmbëngulje mbrojtjen dhe ndërhyrjen urgjente të ndërkombëtarëve dhe institucioneve të tyre demokratike të Evropës dhe të SHBA.

Koha nuk pret, tema tashmë dihet, nesër do jetë tepër vonë. Kjo nuk është thirrje për luftë, por për një mobilizim total kundër të keqes që paralajmëron rënia e kambanës.

Ndoshta dhe mund të gaboj në konkluzionin që parashtrova, por jam i sigurt se dhe po qe se mund të gaboj, Zoti do ma falë mëkatin ose gabimin, sepse kjo “profeci” nuk është se bëhet me qëllim të keq dhe as për ndonjë përfitim vetjak, por bëhet nisur nga dëshira për të ndërgjegjësuar shoqërinë civile qytetare mbi rrezikun që mbartin, personat me prirje diktatoriale.

I uroj të gjithëve, gëzuar Krishtlindjet dhe festën tradicionale të Vitit të Ri 2209!

Agime Kera

agimekera@live.com

Unë që po ju shkruaj jam lexuese e rregullt e gazetës “TemA”. Këto ditë po lexoj gjëra të trishtuara për këtë gazetë, të cilën mund ta krahasoj me gazetën “New York Times” këtu te ne, pa e zmadhuar.

Zotit Mero Baze i uroj suksese dhe krenohemi që ekzistojnë të tillë gazetarë në Shqipëri. Unë sapo kthehem nga puna në orën 1 e 30 minuta pas mesnate futem dhe lexoj artikujt e kësaj gazete. Ashtu duhet të luftojnë të gjithë gazetarët kundër korrupsionit, kundër krimit ekonomik, kundër mafiozëve, kundër qeveritarëve të pasuruar me pasuri të pistë në moshë të re. Zoti Sali Berisha duhet të dijë një gjë, se bota lufton kundër njerëzve që pengojnë median e lirë, menjëherë larg duart nga kjo gazetë prestigjioze. Populli duhet ta ngrejë zërin edhe mbas reagimeve të ambasadës amerikane. Vetëm në Shqipëri më duket se qeveria është private. Njerëzit e thjeshtë që vjedhin, pse duhet të shkojnë në gjyq, ndërsa qeveritaret që kanë bërë vezën e kuqe duhet të rrinë të lirë, duke injoruar dhe Prokuroren e Përgjithshme? Atëherë dhe kjo e fundit nuk është serioze, duhet të japë dorëheqje, derisa nuk i shkon fjala në vend. Në fund zoti Mero mos u dorëzo. Partia Demokratike duhet të mblidhet menjëherë dhe t’i kërkojë zotit Berisha se çfarë të keqe i ka sjellë kombit kjo gazetë e nderuar. Ku janë Spartak Ngjela, Besnik Mustafaj, zoti Zogaj, zoti Lesi etj? Këta njerëz duhet ta ngrenë zërin krah jush.

Kurrë nuk mund të mbyllet kjo gazetës. Ne gratë shqiptaro-amerikane do i dërgojmë një letër ambasadës amerikane. Ju urojmë në gjuhën tonë suksese dhe urime për Krishtlindjet! Rroftë atdheu ynë, Shqipëria, për të cilin na merr malli! Përshëndetje, Kera.

Arben

milosao2001@yahoo.com

Z. Mero, lexoj çdo ditë në web gazetën tuaj, pasi nuk jetoj në Shqipëri. Me keqardhje shoh një ngutje shumë të madhe për mbylljen e kësaj gazete dhe kjo është e qartë, pasi gazeta që nuk bën fresk për qeverinë është gjithmonë e dëmshme. Tashmë populli është i lodhur nga dhuna, nga mitingjet, nga gënjeshtrat pafund për çdo gjë, pra është arritur qëllimi që ai të jetë i pafuqishëm për përmbysje dhe në këtë çast, kur ju nëpërmjet gazetës tuaj ndriçoni të vërtetat e dhimbshme, bëni punën e ARMIKUT

dhe i prishni qetësinë bajraktarëve që sundojnë me votat e popullit. Do dëshpërohesha vërtet, nëse gazeta juaj e mirë do të mbyllej, pasi ata janë të paparashikueshëm në hakmarrjen e tyre.

Besoj se gjithë kolegët e medias duhet të jenë me ty, pasi në të kundërt do t’ju vijë radha atyre, nëse nuk jeni të bashkuar.

Liria

liria@liria.com

Liria e mendimit dhe shtypit është e paprekshme. Kush e prek ose e cenon atë, humbet pa ia nisur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›