21 shkurt 2008, kur Ministria e Mbrojtjes nderonte Ylli Pinari
Një ditëlindje për t’u mbajtur mend. Një festë që niste paradite dhe do të përfundonte mëngjesin e ditës tjetër. Që bëhej në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, me dy “turne”, për t’u transferuar më pas në njërin prej hoteleve më luksozë të Tiranës për të mbaruar mbas shumë orësh, mes ngrënieve, pirjeve, lëvdatave pa fund për ushtrinë shqiptare, për sukseset e tregtisë së armëve dhe municioneve të Shqipërisë, për bashkëpunimin e shkëlqyer të ndërmarrjes ushtarake të eksport-importit, MEICO me privatët. Të pranishmit, persona VIP, rang zëvendësministrash të Ministrisë së Mbrojtjes, shefi i Shtabit të përgjithshëm, shefi i Komandës së Bashkuar të Ushtrisë. Dhe mbi të gjithë…personazhi kryesor, drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, për të cilin bëhej jo vetëm festa pa fund, por edhe dekorimi i tij nga Ministria e Mbrojtjes.
Kjo është tabloja e ditës së 21 shkurtit, ditë që në Shqipëri simbolizon rrëzimin e bustit të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha nga qindra mijëra njerëz në sheshin “Skënderbej”, 17 vite më parë, ndërsa atë ditë të vitit 2008, kur lartësohej figura e drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari. Është tabloja e sjellë nga rrëfimi i të pranishmëve në festën maratonë, shoqëruar me albumin fotografik, ku janë një pjesë e personazheve, të cilët do të bëheshin mjaft të njohur për opinionin publik, brenda dhe jashtë vendit, vetëm 22 ditë më vonë, kur në Gërdec do të shpërthente biznesi i MEICO-s dhe i bashkëpunëtorit Delijorgji, duke vrarë 26 njerëz, plagosur 300 të tjerë, shkatërruar qindra banesa dhe biznese, dhe duke damkosur Shqipërinë si një vend që nuk mund të bëhet.
Mungonte vetëm Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që të kompletohej lista e të pranishmëve në festën e Pinarit. Sepse shumica e aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes ishte aty. Të gjithë të veshur civilë, me rroba të shtrenjta, shumica të blera enkas për atë ditë, kur Pinari festonte një përvjetor të rëndësishëm. Në njërën prej tavolinave ishin ulur drejtuesit, zëvendësministrat e Mbrojtjes, Zana Xhuka dhe Petrit Karabina, në mes tyre shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, Luan Hoxha dhe më tej drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari. Në një tavolinë tjetër Shefi i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu dhe drejtues të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Të bashkuar, siç do të zbardhej më vonë, si në skemën e bashkëpunimit të frytshëm të tregtisë me armët dhe municionet e stokut të trashëguar nga ushtria shqiptare prej kohës së komunizmit.
Ishte Ministria e Mbrojtjes ajo që kishte përgatitur kuadrin ligjor për bizneset e MEICO-s, ishte Shtabi i Përgjithshëm ai që kishte marrë përsipër të gjitha punët për biznesin e demontimit të municioneve, deri edhe te firmosja e shkresës për të dërguar fadromistin në repartin tjetër, në fabrikën e vdekjes, ishte Komanda e Forcave të Bashkuara që kishte dhënë me qira tokën në të cilën u ngrit fabrika e demontimit të armëve. Një bashkëpunim perfekt mes strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, MEICO-s dhe privatëve të “Albademil”, që bëri të mundur transferimin e municioneve të rënda nga 26 depo anembanë vendit për t’u demontuar në Gërdec, dhe që të gjitha raportoheshin në zyrën e kryeministrit Sali Berisha, ku thuhej se në një ditë aty arrinin deri në 100 tonë municione, të marra nga depot ushtarake në Fier, Berat dhe Krujë për t’u zgjeruar më vonë me shumë të tjera, sepse biznesi po lulëzonte. Deri mesditën e 15 marsit 2008, kur do të kthehej në tragjedi.
(Në numrin e nesërm do të lexoni: Dekorimi i Ylli Pinarit nga Shefi i Shtabit, Luan Hoxha, fjala e drejtorit të MEICO-s, për bashkëpunimin e frytshëm me privatët dhe premtimi për Gërdecin)
Rrëfimi i ushtarakut
Ministria e Mbrojtjes, aty ku ligjin e bëjnë civilët
“Nuk e bënë as Mediu dhe as Pinari Ministrinë e Mbrojtjes çerdhen më të degjeneruar të qeverisë shqiptare. Kështu ka qenë historikisht prej fillimit të viteve ’90. Njeriu që flet është ushtarak. U ka mbijetuar shumë reformave, “ka ngrënë” disa ministra dhe zëvendësministra, ashtu duke pranuar në heshtje çdo ofendim, duke mbyllur sytë para padrejtësive më të rënda që mund t’u bëhen njerëzve me uniformë, të cilët në Ministrinë e Mbrojtjes prej shumë vitesh janë parë si armiq. “Kur erdhi Zhulali si ministër na shihnin me neveri se kishim patur teserën e PPSH-së. Po kush të çonte në shkollë në kohën e Enver Hoxhës, po të mos ishe anëtar partie? - thotë ushtaraku. Shumë prej shokëve të mi u nxorën në lirim, edhe pse ishin në kulmin e fuqive intelektuale dhe fizike”. Kujton se tërhiqeshin për hunde nga civilë dhe ushtarakë pa karrierë, bij ish-sigurimsash që u bënë eprorë falë qenies në PD dhe që u bënin “rreshtore” me kuptimin e vërtetë të fjalës. “Kam mbijetuar, jam zvarritur, siç bëja dikur në stërvitje, poshtë telave me gjemba. Kam fëmijë për të shkolluar, familje për të mbajtur, një kredi që po më ha shpirtin, kam ende shpresën se do më rritin gradën që të marr pak lekë më shumë dhe ta shtyj edhe këto vite që më kanë mbetur për të dalë në pension”. Është ky njëri prej ushtarakëve të Shqipërisë, e cila do të bëhet, sipas gjasave në prill 2009, pjesë e NATO-s, aleancës më të fuqishme ushtarake dhe politike. Do të shkojë atje, “krenar” duke u zvarritur, dhe tanimë është mësuar.
“Nuk e them për të larë veten, por në Ministrinë e Mbrojtjes, prej vitit 1992 nuk ka patur ushtarakë. Janë degjeneruar. Janë trajtuar si plehra prej civilëve. Jo direkt prej ministrave, por nën hundën e tyre, edhe prej shoqëruesve të tyre. Ju nuk e keni parë se si një truproje ministri të degjenerojë, të shajë me rrënjë e me degë një gjeneral brigade, të bëjë ligjin, të mbledhë paratë si gjobvënës, të zhveshë me vështrime motrat tona të nderuara. Kështu ndodhi me Zhulalin, kështu me Hajdaragën, kështu me Majkon, kështu me Mediun. E kështu po ndodh me Oketën, që tani na i ka sjellë të gjithë të rinjtë nga Durrësi nga është vetë. Dhe ne ushtarakët jemi shitur, kemi shitur edhe shpirtin, kemi përdhosur uniformën tonë të nderuar, dhe ata na kanë blerë me zyra luksoze. Ju do të habiteni se sa luks ka në Ministrinë tonë, sa pije të shtrenjta ka në frigoriferët e zyrave tona, sa njerëz rrinë kot dhe dredhin zinxhirin, duke pritur tenderin e radhës, për të shitur dhe blerë të gjitha gjërat e mundshme, nga patatet te helikopterët dhe ju nuk e dini se sa vjedhje e madhe ka ndodhur dhe po ndodh në zyrat tona. Ju bëni lajme vetëm kur shikoni rekrutët e shkretë që mezi ngopen me bukë dhe në vend të kambaleve u japin këpucë kartoni, ose i lënë të veshin shapkat dhe atletet që kanë sjellë nga shtëpia. Janë bërë aq shumë vjedhje, sa biznesi i Ylli Pinarit me Delijorgjin do të dukej si një blerje te Gabi”- thotë me trishtim ushtaraku, i cili bën me faj jo vetëm qeveritë shqiptare që kanë qenë të dijeni të këtyre fakteve, por edhe përfaqësuesit e misioneve të huaja që kanë asistuar Ministrinë e Mbrojtjes. “Ata janë pjesa tjetër e inkriminuar dhe bashkëfajtore me drejtuesit shqiptarë të Ministrisë së Mbrojtjes. Ata të vetmin angazhim kanë patur, kur zgjidhej shefi i shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë. Ju nuk keni parë se sa keq bëheshin ata, si ziheshin me njëri-tjetrin pse donin të emëronin shef shtabi të ushtrisë shqiptare, njeriun që kishte studiuar në vendin e tyre, e që e konsideronin “njeriun e tyre”. Aq donin dhe për të tjerat nuk u ka bërë kurrë përshtypje, sepse helbete, si turistë janë në këtë vend”.
Tregimi i të pranishmit
Unë 12 orë në festën luksoze te SHQUP-i
“Festa nisi në ora 11.00 të paradites së 21 shkurtit- kujton njëri prej të pranishmëve që sjell dëshminë e tij me fjalë dhe fotografi. Në sallën më të mirë të SHQUP-it (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë). Ishte bukur. Rreth 100 të ftuar, drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, stafi i dikasterit, ata të MEICO-s, burra dhe gra të sajdisur si mos më mirë. Kostumi më koti ishte ai që kisha veshur unë, sepse më i liri aty mund të ishte mbi 300 euro. Më erdhi pak turp nga vështrimi habitor i ushtarëve që ruajnë ndërtesën. Brenda gjithçka ishte sjellë nga jashtë. Vendosur anash sallës me servise të shtrenjta që vazhdonin të ngroheshin mbi tavolinat e mbuluara me copëra blu. Ishte një banket i mrekullueshëm, shumë herë më i mirë se ato që kisha provuar në festa të tjera që bëhen te SHQUP-i. Vera ishte e shkëlqyer. Këngëtarë dhe dy orkestra që na shoqëruan nga paraditja deri natën vonë. Piva aq sa mezi e mbajta veten. Mund të kem thënë shumë gomarllëqe, por se mos vetëm unë. Ata të gjithë ishin të dehur. Kështu i lashë kur u largova për arsye personale. Më thanë të nesërmen se festa ishte transferuar te njëri prej hoteleve luksozë të Tiranës, ku ishte një tjetër banket, tjetër muzikë e fjalime të tjera…”.
Ky është rrëfimi i shkurtër i dëshmitarit okular të festës së 21 shkurtit 2008, me rastin e përvjetorit të 55-të të drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari.
Rrëfimi dhe fotot ekskluzive për festën maratonë, tre javë para se të shpërthente fabrika e demontimit të municioneve në Gërdec. Kur festohej 55-vjetori i drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari dhe ai nderohej nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, me një dekoratë ushtarake, megjithëse ishte civil, për kontributin e shquar në biznesin e tregtisë së armëve dhe municioneve, siç po ndodhte në Gërdec