E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olimpiada e pasuron Britaninë e Madhe

Kryeministri britanik David Cameron insiston se të gjitha pjesët e Britanisë së Madhe do të përfitojnë para nga Lojërat Olimpike, përkundër shpenzimeve prej disa miliardë funtesh për organizimin e këtij evenimenti madhështor.

Ai thotë se Olimpiada nuk do të ndihmojë vetëm në aspektin fitimprurës, nga turizmi dhe mundësitë e biznesit, që vlerësohen rreth 13 miliardë funte, por gjithashtu në infrastrukturën dhe inspirimin e djelmoshave dhe vashave të reja që të involvohen në sport. Pas Olimpiadës, sipas tij, në këto stadiume mund të ushtrojnë 800 mijë njerëz në vit.

“Mendoj se do të kemi dobi nga paratë e fituara si vend. Kostoja e përgjithshme e Olimpiadës është 9 miliardë funte. Është shumë e lart. Por, mendoj se do ta kalojmë këtë buxhet, nëse çdo gjë shkon sipas planit në javët e ardhshme” theksoi Cameron për gjigantin mediatik BBC.

“ Nëse mendojmë se çka do të fitojmë si vend, mendoj se do të shkojmë në 13 miliardë nga përfitimet ekonomike, nga marrëveshjet që do të arrihen, shpenzimet ekstra, ekstra turizmi dhe të gjitha të tjerat”, shtoi ai.

Cameron nënvizoi se siguria në vend do të jetë në nivelin e duhur, pas inkuadrimit të trupave shtesë. Ai beson se që sportistët britanikë kanë mundësi të mira që në shtëpi t’i fitojnë disa medalje. Kryeministri britanik zbuloi se sporti të cilin e pëlqen është atletika, me vrapimet me distancë të mesme dhe të gjatë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›