E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia përcakton buxhetin e Kamzës, të hënën nisin përgatitjet

Nga ILIR CARA

50 milionë lekë të reja, kjo është garancia financiare e bashkisë për ecurinë skuadrës, me qëllim e vetëm, rikthimin në Kategorinë Superiore 

Pas ndryshimeve të bëra nga këshilli bashkiak i Kamzës rreth aksioneve të shoqërisë, ku Bashkia merr 51% të aksioneve dhe 49% u mbeten aksionarëve, dje i ka ardhur radha përcaktimit të buxhetit të ekipit për sezonin e ri.

Në një deklartë të bërë nga Bashkia e Kamzës mësohet se në dispozicion të ekipit të futbollit do vendoset një shumë rreth 50 milionë lekë ( të reja), shumë e cila do të shërbejë si garanci për rikthimin e Kamzës në Superligë.

Buxheti i ri i Kamzës është një ndërthurje mes financimeve të bashkisë, e cila do të jetë financuesja kryesore me 200 milionë lekë të vjetra, pastaj vjen biznesmeni Zamir Mane, që do të akordojë 150 milionë, Naim Qarri, që deri në fund të sezonit të fundit ishte president i ekipit, me 50 milionë, si dhe donatorët e tjerë që me sponsorizimet e tyre pritet të kapin shifrën e 100 milion lekëve (të vjetra).

Sipas komunikatës së bërë nga bashkia mësohet se ekipi i ri pritet të jetë konkurrues, në përbërjen e të cilit do të ketë lojtarë me kualitete të larta, falë investimit të bashkisë dhe donatorëve.

Po kështu, javën e ardhshme, përveç grumbullimit të futbollistëve, do të bëhet edhe shpalosja e gjithë stafit drejtues të ekipit. Për sa i përket se kush do të jetë trajneri i ri, në qarkullim janë disa emra, por më i lakuari te kamzalinjtë është një ish-lojtar dhe trajner vendas, Viktor Zuna.

Por nuk dihet nëse ky projekt i përpiluar nga bashkia do të materializohet në fillimjavë, pasi Naim Qarri e ka bërë të qartë se është president i ekipit, dhe askush nuk mund tia përvetësojë aksionet prej 51%.

Madje është thënë se Qarri është gati për të nisur punën me ekipin e tij. Gjithsesi, emri i Qarrit është në listën e bashkisë, por jo si financues kryesor. Shpresohet që të gjendet gjuha e përbashkët që të mos shkohet në krijimin e dy ekipeve paralele.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›