Oliver Ivanoviç kundër "referendumit"

“Këshilltarët” e listës qytetare të cilën e përfaqëson Oliver Ivanoviç, kanë kritikuar vendimin e shpalljes së “referendumit” në veri të Kosovës. Ata kanë vlerësuar se ky akt do të zvogëlojë hapësirën manovruese të Serbisë në raportet e ardhshme me BE-në.
Ata kanë theksuar se nuk kanë marrë pjesë në takimin e djeshëm kur është marrë vendimi për referendum. Ata gjithashtu kanë thënë se Beogradi zyrtar nuk do të përkrahë këtë referendum dhe se ai nuk do të ketë mirëkuptim nga bashkësia ndërkombëtare, njofton B92.
Tre komunat ilegale në very, Mitrovica, Zveçani dhe Zubin Potok, të mërkurën kanë marrë vendim që të mbajnë “referendum” më 14 e 15 shkurt nëse do të pranojnë institucionet e Kosovës. Në komunën e katërt ilegale, në Leposaviç sot pritet të merret vendimi lidhur me këtë “referendum”.