Fondi 6 milionë për pronat, Më 15 qershor, nis aplikimi
Kompensimi financiar për pronat nis në datën 15 qershor dhe Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave u bëri thirrje të gjithë ish-pronarëve të aplikojnë. Vendimi i qeverisë hyri në fuqi, duke hapur aplikimin në mesin e këtij muaj për të shpërndarë rreth 6 milionë dollarë për këtë vit. “Aplikimi nis në datën 15 qershor, ditën e hënë, dhe mbyllet në datën 14 korrik”, - tha dje nëndrejtori i AKKP-së, Genci Çelo. Duke iu referuar vendimit të qeverisë, i cili nuk ka shumë ndryshim nga vendimi dhe përvoja e vitit të kaluar, përcaktohet se kompensim financiar do të ketë për ish-pronarët që aplikojnë për kompensim financiar deri në 200 metra katrorë. Nisur edhe nga përvoja në përcaktimin e fituesit të këtij fondi, ish-pronarët që kanë aplikuar më herët, do të jenë më të favorizuar për të fituar. Kështu, në rast se një ish-pronar ka aplikimin para datës 26 korrik 1995, do të ketë më shumë shanse. Njëkohësisht, asnjë nga aplikuesit nuk duhet të ketë përfituar më parë ndonjë kompensim financiar si dhe nuk duhet të ketë ndonjë kthim prone nga ish-Komisioni apo nga Agjencia e sotme e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Parashikohet që edhe përfituesit e ndonjë toke me ligjin 7501 nuk duhet të përfshihen në listën e përfituesve, madje edhe trashëgimtarët e tyre nuk duhet të kenë përfituar ndonjë tokë me këtë ligj të vitit 1991. “Subjekti nuk duhet të ketë përfituar më parë kompensim, njëkohësisht të mos jetë trajtuar me ligjin 7501”, - tha më tej nëndrejtori Çelo. Një kriter i domosdoshëm është edhe dokumentacioni dhe veçanërisht hartografia e tokës. Në përfundim të kompensimit të vitit 2008, ku përfituan 160 ish-pronarë nga 740 që aplikuan, mbetën jashtë aplikimit shumë ish-pronarë, të cilët i plotësonin kushtet. Këta aplikues do të jenë të favorizuar në ndarjen e fondit të këtij viti. Të gjitha këto kritere janë bërë në mënyrë që përfituesit e këtij fondi të jenë ish-pronarët të cilët gjatë viteve të tranzicionit nuk kanë arritur të përfitojnë asgjë. Në rast se mes dy ish-pronarëve që kërkojnë kompensim për një tokë deri në 200 metra katrorë, por që njëri prej tyre ka marrë një kthim prone vite më parë, ndërsa i dyti nuk ka marrë asgjë, ky i fundit është përfitues, duke e krahasuar me të parin. Subjekti ka detyrimin që të sjellë vendimin përkatës bashkë me hartën. Në përfundim të depozitimit të dokumentacionit përkatës, të gjitha verifikimet i përkasin administratës së AKKP-së. Kjo do të bëjë të mundur që qytetarët të mos sorollaten më nëpër zyrat e shtetit për të verifikuar dokumentacionin apo pretendimin e tyre, por do ta bëjë vetë administrata e AKKP-së. Vendimi i fundit i qeverisë miratoi një formular të veçantë që thjeshtëson punën mes AKKP-së dhe ZRPP-së. Formulari ka titullin “Modelar i konfirmimit të gjendjes juridike të pronës për kompensim”, që duhet të plotësohet nga zyrat rajonale të AKKP-ve dhe zyrave vendore për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Ky formular shërben për marrjen e verifikimit nga ZRVPP-të për gjendjen e pronësisë së subjektit të shpronësuar që aplikon për t’u kompensuar, për fondin prej 600 milionë lekësh të reja. Modelari përmban katër pika gjithsej, që do të verifikojnë vlefshmërinë e aktit të pronësisë që ish-pronari ka paraqitur fillimisht në AKKP për të aplikuar për kompensimin financiar të vitit 2009.