E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon saga e Prizrenit, por sipas Komisionit Zgjedhor, për momentin, atje ka fituar LDK-ja

Sipas bisedës që para pak çastete ka zhvilluar në Prizren një reporter i Bota Sot me z.Nysret Bytyçi, shef ekzekutiv i KKZ në Prizren, atje ka fituar LDK-ja. z.Bytyçi ka thënë se gjatë futjes se materialit në të dhënat e votimeve në kopmpjuter janë bërë disa gabime teknike. Në vendvotimin 04/2 LDK ka pasur 164 vota kurse PDK 146, në vendvotimin 2042 LDK ka pasur 65 vota më shumë, kurse PDK 35. Në vendovotimin 2006/3 LDK ka pasur 154 vota kurse PDK 152 vota. Dhe, sipas Nysret Bytyçit, me ndryshimin e këtyre gabimeve LDK-ja del fituese në Prizren me 78 vota më shumë. Këto dhëna, sipas z.Bytyçi, iu kanë dërguar edhe KQZ-së në Prtishtinë. Kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Zafir Berisha i hedh poshtë këto të dhëna duke e quajtur Bytyqin "të afërt me LDK-në".


Saga e Prizrenit/Qyteti i Prizrenit duket se do të bëhet mollë sherri ndërmjet Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike, pasi të dy partitë shprehen të sigurta se e kanë fituar qytetin e dytë më të madh në Kosovë. Zyrtarët e LDK-së kanë konfirmuar se kanë bërë disa ankesa për parregullsi në Prizren, kurse presin që edhe numri i votave me kusht të konfirmojë fitoren e tyre në këtë komunë. Sipas rezultateve paraprake, PDK-ja kryeson me 42 vota në raport me LDK-në në Prizren. Shefi i Shtabit të LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se rezultatet e konfirmuara për komunën e Prizrenit, për LDK-në, janë brengosëse dhe serioze, ngase autoritetet politike të kësaj partie kanë një sërë faktesh për parregullsitë. Sipas tij, në Prizren rezultatit preliminar është 50 për LDK-në dhe 50 për PDK-në, me kusht janë 1602 vota, të cilat do të përcaktojnë rezultatin përfundimtar. Ai pretendon se LDK-ja ka gjetur fakte për manipulime, të cilat i kanë paraqitur në KZAP. “Ky është procesverbali origjinal i nënshkruar nga të gjithë komisionarët, ku Hanefi Muharremi nga LDK’ja i ka 139 vota, ndërsa Ramadan Muja 67, në procesverbalin e falsifikuar ku mungon nënshkrimi i komisionarëve edhe është një dorë, e cila ka nënshkruar, i kemi rezultatet e ndërrume, 139 vota i ka Ramadan Muja, 47 i ka Hanefi Muharremi, ndërsa rezultati final është i njëjtë”, ka thënë Haziri, derisa e ka prezantuar një dokument ku, sipas tij, vërehen qartë parregullsitë që kanë shoqëruar procesin elektoral në Prizren. Ai ka kërkuar nga Kryetarja e KQZ-së që kutitë e votimit të komunës së Prizrenit të futen në karantinë. “Kërkesa e fundit që sot LDK-ja ka paraqit përmes anëtarit të tij në KQZ, Florjan Dushit është që zyrtarisht do të kërkohet nga Kryetarja e KQZ-së që kutitë e votimit të komunës së Prizrenit të konservohen, që votat me kusht të komunës së Prizrenit të numërohen publikisht, ka mundësi dhe potenciale që kjo të ndodh, natyrisht me prezencën e të dy partive, në mënyrë që rezultati i fundit të mos kontestohet nga askush të jetë i pranueshëm dhe të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve që atje është shprehur”, ka thënë Haziri.


Por, ndryshe flasin zyrtarët e PDK-së. Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Enver Hoxhaj, të hënën gjatë një konference për media, ka përsëritur se janë fitues në 16 komuna të Kosovës dhe në 4 të tjera janë në bashkëqeverisje. Hoxhaj ka thënë se fitorja e PDK’së në komunën e Prizrenit është konfirmuar edhe nga KKZ-ja, sipas së cilës PDK’ja prinë me 42 vota më shumë se LDK’ja. “E vërteta është se Komisioni Zgjedhor në nivel komunal ka konfirmuar që Partia Demokratike e Kosovës ka 42 vota më shumë sesa subjekti i dytë politik”, ka thënë ai. Hoxhaj ka folur edhe për votat me kusht, të cilat do të vendosin fituesin në Prizren. “Ne besojmë që gjatë ditëve ne vijim do të numërohen votat me kusht, mirëpo aktualisht PDK’ja është parti e cila thjesht e ka fituar pushtetin në Prizren”, ka konstatuar Hoxhaj.


Por, akuzat e partive politike në drejtim të PDK’së nuk janë ndalur gjatë gjithë ditës së hënë. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e quajti balotazhin si proces të rëndë dhe me defekte të shumta të demokracisë. “Them se ky është dëmi më i madh që mund t’i bëhet një vendi kur partitë duhet me e kërku ndihmën e huliganëve me mbrojt demokracinë nga shteti, meqenëse Kosova e qeverisur nga z. Thaçi e ka sjellë punën në atë mënyrë që më me rëndësi janë huliganët që ruajnë objektet e zgjedhjeve sesa vetë procesi. Kjo është e vërteta për procesin zgjedhor”, tha Haradinaj. “Është një dëmtim i madh i demokracisë, ndryshe e kemi quajtur Zanzibar Demokraci në vend”, ka vazhduar akuzën e tij Haradinaj, pas një takimi me këshilltarët e kuvendeve komunale, ku qeveris dhe përfaqësohet AAK-ja. Megjithëse AAK-ja ka arritur të fitojë disa komuna të Kosovës, koalicioni AKR-LDD është ndarë më së keqi nga procesi zgjedhor. Ky bashkim i partive nuk ka sjellë asnjë fitore në nivel vendi. Partia e Behgjet Pacollit ka qenë në garën në raundin e dytë zgjedhor në Mitrovicë, ku kandidati i saj, Nexhmedin Spahiu, sipas rezultateve zyrtare, e ka humbur garën përballë kandidatit të PDK’së, Avni Kastrati. Por, zyrtarët e AKR-së ende nuk i kanë shuar shpresat. “Ne mendojmë se është herët të flitet për rezultatin final para certifikimit sepse ka edhe vota me kusht dhe nja dy ankesa, të cilat duhet të shqyrtohen nga KZAP-i të AKR-së”, ka thënë Ibrahim Gashi në një konferencë për media. “Konsiderojmë se këto zgjedhje kanë qenë një test, të cilin nuk e ka kaluar me sukses KQZ’ja”, ka konstatuar ai. Kjo parti ka vazhduar me ankesa në drejtim të KQZ’së për manipulime të votave. “Ankesa e parë ka të bëjë me pikat që janë vënë re në fletëvotimet në disa qendra të votimit, pra në disa vendvotime ka pasur fletë të votimit me nga një pikë në katrorin para emrit të kandidatit të PDK-së”, ka thënë Nënkryetari i AKR-së. Kurse vërejtja tjetër ka të bëje me personat e paautorizuar nëpër vendvotime. “Vërejtja e dytë ka pas të bëjë me lëvizjen e njerëzve të paautorizuar nëpër shumë qendra të votimit me fokus në shkollën ‘Migjeni’ në Shipol dhe në shkollën ‘Abdullah Shabani’”, ka përmendur ai. Ish-pretendenti për të udhëhequr me Mitrovicën, Nexhmedin Spahiu, i cili vazhdimisht merret me analiza politike, ka parashikuar edhe qeverisjen nga Avni Kastrati. “Do të dëshiroja që ai të ketë sukses të bëjë ndonjë ndryshim në qeverisjen komunale, por jam shumë skeptik që ai do të mund të arrijë këtë”, ka analizuar Spahiu. Por, ai nuk është ndalur me kaq. “Ky rezultat rrezikon seriozisht integritetin e Kosovës dhe copëtimin e mëtutjeshme të Kosovës”, ka konstatuar Spahiu. Ndërsa partia e Nexhat Dacit ka zgjedhur të reagojë përmes një komunikate për media, ku ka hedhur akuza për manipulime të votave. “Lidhja Demokratike e Dardanisë konsideron se në Kosovë ka pasur një varg keqpërdorimesh dhe manipulime të votave të qytetarëve të vendit, të cilat strukturat e saj i kanë dëshmuar apo argumentuar tek organet kompetente me kohë, si dhe tek monitoruesit e ambasadës amerikane në Kosovë”, thuhet në komunikatën e LDD-së. Kjo parti ka qenë në garë në Viti, por të dielën ka humbur përballë kandidatit të PDK’së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›