Olldashi: Janë shkelur të gjitha rregullat për dhënien e lejes
Tragjedia e ndodhur dy ditë më parë në Gjirokastër, ku humbën jetën tre persona, mes tyre dhe një vajzë 12-vjeçare ka zbritur në sallën e Kuvendit. Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin. Debati ka precipituar në fjalë fyese midis deputetit Ndriçim Babasi dhe deputetes së PS-së, Arta Dade. Pas incidentit, në shenjë proteste, deputetët e opozitës janë larguar nga salla e Kuvendit. Pak më parë se të ndodhte incidenti, ministri i Ekonomisë dhe deputeti i Gjirokastrës, Genc Ruli, pasi ka ngushëlluar familjarët për humbjen e njerëzve të tyre, kërkoi nga Prokuroria e Gjirokastrës dhe Kryeprokurorja Ina Rama, që ta hetojnë këtë çështje dhe të vënë para drejtësisë të gjithë shkaktarët e tragjedisë, kushdo qofshin ata. Ai akuzoi drejtuesit e Bashkisë së Gjirokastrës për këtë tragjedi, duke vënë theksin se gabimi ka qenë te dhënia e lejeve të ndërtimit në këtë zonë, ashtu siç po ndodh edhe në zona të tjera të qytetit. Sipas deputetit Ruli, për Gjirokastrën, ka pasur një objekt studimi të hollësishëm për të gjithë zonën, por që rezulton se nuk është zbatuar nga drejtuesit e bashkisë së qytetit. Deklarata e tij është mbështetur edhe nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Ai bëri publike disa shkresa nëpërmjet të cilave, sipas tij, vërtetohen shkeljet dhe abuzimet që ka bërë kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës. Sipas Olldashit, shkak i incidentit është makutëria e pushtetarëve, e atyre njerëzve që kanë të drejtën ligjore për të dhënë leje ndërtimi. Për ministrin e Transporteve, mënyra e dhënies së lejes së ndërtimit për objektin që shkaktoi tragjedinë është e çuditshme. Duke treguar disa dokumente, Olldashi tha se "shoqëria e ndërtimit është krijuar më 29 prill 2008. Kësaj shoqërie i janë dhënë brenda një dite miratimi i studimit, leja e sheshit, leja e ndërtimit, të gjitha më datën 15 korrik 2008, dhe po në të njëjtën datë kur zotëria ka bërë njoftimin për fillimin e punimeve, bashkia ka qenë e paduruar për të shkuar dhe për t‘i dhënë piketat, ku dihet se marrja e piketave është një kalvar më vete për ndërtuesit, ndërkohë që bashkia ia ka dhënë brenda ditës të gjitha". Për Olldashin, faji këtu nuk është i emergjencave dhe i zjarrfikësve, por i modelit të një qeverisjeje, e cila bazohet mbi dhënien e lejeve në mënyrë kriminale. "Nuk është hera e parë që na ndodh një gjë e tillë, kemi raste të përsëritura në Tiranë. Na ka rënë tavani në shkollën e Brrakës, na ka rënë tavani në Unazën e Re, na kanë dalë flakët në majë të një pallati në Rrugën e Kavajës dhe mezi kemi nxjerrë njerëzit me litar. Pse? Pikërisht për të njëjtin mekanizëm, për shkak të mënyrës kriminale sesi jepen lejet e ndërtimit. Më pas, Olldashi kërkoi që prokuroria të hetojë për këtë ngjarje, për t‘i vënë para përgjegjësisë fajtorët. Kritik dhe i ashpër ndaj drejtuesve të pushtetit vendor, ka qenë edhe deputeti Edi Paloka. Ai theksoi se ngjarje të tilla rrezikojnë të përsëriten edhe në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, pasi lejet e dertimit janë dhënë pa kriter. Deputetët mbajtën një minutë heshtje, në nderim të viktimave të tragjedisë së Gjirokastrës.