Leskaj: Prokuroria të hetojë ngjarjen
Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kërkoi që Prokuroria Shqiptare të hetojë me seriozitet ngjarjen e ndodhur në Gjirokastër dhe të vërë para drejtësisë të gjithë shkaktarët, pavarësisht se cilët janë ata. Në fjalën e saj në Kuvend, në emër të grupit parlamentar socialist, Leskaj u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave dhe mbështetjen e opozitës për zbardhjen e shkaktarëve të kësaj tragjedie. "Ky rast, u shpreh Leskaj, kërkon një reflektim të thellë dhe që duhet të vlejë për të nxjerrë mësime në të ardhmen. Duhet të rritet vëmendja në vendimmarrjen e strukturave të pushtetit lokal dhe nga qeveria duhet të evidentohen të gjitha boshllëqet që mund të krijohen nga kuadri ligjor". Sipas saj, legjislativi duhet të rishikojë të gjithë kuadrin ligjor, siç është ligji për licencimin e ndërtimeve pa leje, për urbanistikën, për legalizimet etj. Leskaj kërkoi po ashtu që sektori i emergjencave dhe zjarrfikëset të pajisen me të gjitha mjetet që duhen për ndërhyrjen e shpejtë. "Nuk kemi pse të presim që të na vijnë qentë nga Greqia", u shpreh Leskaj në Kuvend. Qëndrimi i saj është përforcuar edhe nga nënkryetari Erjon Braçe, i cili theksoi se pas kësaj tragjedie, kreu i Bashkisë së Gjirokastrës duhet të hapë dorëheqjen, e cila do të ishte një akt moral.