Topi: Para drejtësisë, ata që pasurohen në kurriz të viktimave
Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka bërë thirrje dje nga Gjirokastra për hetim të plotë të ngjarjes tragjike, gjetjen e fajtorëve dhe daljen e tyre para drejtësisë. Dje në mesditë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mbërriti në Gjirokastër për të parë nga afër pasojat e tragjedisë së ndodhur dy ditë më parë, kur një pallat pesëkatësh u shemb dhe zuri brenda tij tre banorë, dy gra dhe një vajzë. Gjatë vizitës në vendngjarje, Presidenti Topi u takua me familjarët e të mbeturve poshtë gërmadhave dhe të mbijetuarit e tragjedisë. Së pari, ai u takua me bashkëshortët Sokrat dhe Zhuljeta Papadhopulli, ku është shprehur se ndihej pranë tyre në këtë tragjedi. Presidenti kërkoi nga ata që të ruanin qetësinë dhe se shteti do të angazhohej si në hetimin e shkaqeve, përcaktimin e përgjegjësisë penale për tragjedinë por edhe për rikuperimin e humbjeve të tyre nga kjo tragjedi. Kreu i shtetit mbërriti në vendngjarje kur ishin zbuluar dy nga tri viktimat e kësaj tragjedie. Në takimin me shefin e Shërbimit të Zjarrfikësve, Dilaver Laçi, pasi u informua rreth situatës së momentit, ai falënderoi trupat e përfshira në operacionet e kërkimit, që punuan me përkushtim në rrethanat e një rrezikshmërie të lartë. Presidenti kërkoi prej tyre që të vazhdonin edhe më tej operacionet, për të gjetur trupin e viktimës së fundit të tragjedisë, vajzës 12-vjeçare, Anxhela Dalani. Më pas, Presidenti Topi kërkoi një takim me Shtabin e Emergjencës në Prefekturën e Gjirokastrës. Ai bëri thirrje për vazhdimin e operacioneve dhe përcolli një apel të fuqishëm për drejtësinë shqiptare. "Kemi të bëjmë me një ngjarje tepër tragjike, unikale dhe që për këto arsye, ajo është një apel i madh për shtetin dhe shoqërinë shqiptare, për parandalimin e përsëritjes së këtyre tragjedive me pasoja për njerëzit e pafajshëm. Ngjarja na imponon ndërmarrjen e një monitorimi të përgjithshëm për të bërë profilaksinë e të gjitha zonave që përbëjnë rrezik të tillë, për të shmangur përsëritjen e tyre", tha Topi. Për sa i takon shkaqeve që sollën tragjedinë e shembjes së pallatit, Presidenti i Republikës u shpreh shumë i vendosur dhe i prerë, duke përcjellë mesazhe të qarta për prokurorinë dhe gjykatën. "I bëj apel organeve të prokurorisë dhe drejtësisë në Gjirokastër që të zbardhin sa më shpejt këtë ngjarje tragjike, që është mjaft e qartë dhe e dukshme, që të bëjnë një hetim e gjykim të plotë dhe profesional", theksoi kreu i shtetit.