E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Objektivi madhor, dritë në tunelin e Krrabës

TIRANË- Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi ka përcaktuar tunelin e Krrabës, pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan si projektin madhor të infrastrukturës rrugore për këtë vit. Ai ka deklaruar se së shpejti pritet dritë në këtë tunel.

Autostrada Tiranë-Elbasan dhe tuneli i Krrabës, si pjesë e saj është projekti kryesor i infrastrukturës rrugore për këtë vit. Kjo rrugë është renditur në krye të listës së projekteve që ministri i Transporteve, Sokol Olldashi prezantoi për këtë vit.

“Nëqoftëse do të duhej ta mblidhja me një fjali objektivin më madhor të vitit 2012-të për Ministrinë e Punëve Publike, kjo do të ishte dritë në tunelin e Krrabës. Unë jam i bindur se shumë më shpejtë se sa e mendoni ju ne do të shohim dritë në tunelin e Krrabës, në objektin më të rëndësishëm infrastrukturor që është duke u ndërtuar në vend, në autostradën Tiranë-Elbasan”, tha Olldashi.

Autostrada Tiranë-Elbasan shkurton mesatarisht 40 minuta kohën që duhet për të shkuar nga Tirana në Elbasan. Investimi më i rëndësishëm i rrugës është tuneli i Krrabës me një gjatësi prej rreth 2.4 km. Shpejtësia e udhëtimit do të variojë nga 100 në 120 km në orë. Afati i përfundimit të punimeve për tunelin është 18 muaj, ndërsa vlera e investimit 83 milionë dollarë. Autostrada Tiranë-Elbasan është e gjatë 26.9 km. Kjo rrugë është e ndarë në tri lote, nga të cilat: loti i parë fillon nga Unaza e Madhe deri në kilometrin e 13-të, loti i dytë është tuneli dhe loti i tretë është nga dalja e tunelit në qytetin e Elbasanit.
(ma.ar/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Olldashi pë tunelin e Krrabës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›