E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izolohet Kelmendi, bora rreth 2 metra

Trashësia e dëborës në disa vende ka arritur deri në dy metra. Shqetësimet më të mëdha paraqiten në aksin rrugor nga Selca deri në Vermosh, që përfshin disa fshatra që për momentin nuk komunikojnë njëri me tjetrin.

Sipas të dhënave te nënprefekturës se këtij rrethi, prej dy ditësh nuk ka reshje dëbore, por situata është krijuar nga erërat e shumta dhe me presion që vazhdojnë të fryjnë në këtë zonë, duke grumbulluar sasi të mëdha me dëborë në segmente të ndryshme.

Si rezultat i dëborës së madhe dhe erërave të forta, ka pasur defekte të linjave elektrike duke lënë për disa orë pa energji një pjesë të fshatrave, por që me ndërhyrjen e kompanisë ÇEZ dhe të vetë komunitetit, është bërë e mundur që furnizimi me energji të rikthehet.

Strukturat e emergjencave civile po punojnë intensivisht për zhbllokimin e aksit rrugor Selcë-Vermosh, ndërkohë që i kanë kërkuar institucionit të prefekturës së Qarkut Shkodër si dhe Drejtorisë se Përgjithshme të Emergjencave Civile në Tiranë, që të dërgojnë drejt Malësisë së Madhe mjete të tjera më të fuqishme për të zhbllokuar rrugët. /Start/

                                                                                             2012-01-09 10:56
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›